Ndërlidhjet

logo-print

Bukoshi: Kosova s’do t’i durojë obstruksionet e Serbisë


Bujar Bukoshi

Bujar Bukoshi

“Bashkësia ndërkombëtare dhe autoritetet e Kosovës duhet që definitivisht të ndërmarrin hapa që i tregojnë qartë Beogradit se nuk do të ketë ndarje të Kosovës”, thotë Bujar Bukoshi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Bukoshi, ka mendime të ndryshme në lidhje me rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe shtrirjen e vonuar të EULEX-it në Kosovë. Nga analistët, dyfishimi i misioneve ndërkombëtare shihet edhe si rrezik i ndarjes së Kosovës. Andaj, si e shihni ju këtë proces jo krejt të qartë të misioneve civile ndërkombëtare?

BUJAR BUKOSHI
Së pari do të thosha se termi rikonfigurim është një eufemizëm për qëndrimin e mëtejmë të UNMIK-ut në Kosovë, i cili nuk është i paraparë më me kushtetutë. Ky është problemi i përplasjes juridike.

E dyta, kjo tregon po ashtu mungesën e vullnetit politik të fuqive të mëdha, të politikës ndërkombëtare që ka bërë gjumë deri më sot dhe tani sipas motos “po bie bora në janar dhe po na befason”.

Dhe, e treta është mungesa e konceptit në qasjen e zgjidhjes definitive të këtij problemi të Kosovës, i cili është duke vuajtur shumë nga qëndrimi obstruktiv i politikës serbe, i politikës neriziduale naziste serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërsa institucionet e Kosovës kanë fuqizuar kushtetutën dhe presin të ushtrojnë përgjegjësi të reja, në pjesën veriore të Kosovës strukturat paralele serbe kanë një shtrirje edhe më të madhe se në të kaluarën. Sa paraqet kjo kërcënim serioz për integritetin territorial të Kosovës?

BUJAR BUKOSHI
Kjo paraqet kërcënim serioz dhe është vërtet problem shumë serioz, sfidues, si për bashkësinë ndërkombëtare, ashtu edhe për lidershipin e Kosovës, që po ashtu vuan dhe ka mbetur pa tekst, sepse ky problem zhargitet më se tetë vjet.

Rezoluta 1244 është si kryqi i Krishtit, të cilin pala shqiptare e ngreh zharg prej atëherë kur kjo rezolutë duke u shkruar, ende pa iu terur ngjyra e asaj rezolute, ka qenë e tejkaluar me zhvillimet në terren. Prandaj, është e tejkaluar.

Edhe ky është ai problemi në mes të Kombeve të Bashkuara, e cila natyrisht në bazë vullnetare nuk do të tërhiqet. Tani duhet një politikë e mirëfilltë, do të thosha talent në politikë, që të kombinohet duke dhënë mesazhe të vendosmërisë së palës shqiptare, që kjo duhet të marrë fund.

Dhe, në anën tjetër, pala shqiptare në këtë moment mos të tregojë jokooperativitet, të mos tregohet në momentet e fundit si palë, e cila e prish lojën, mirëpo kjo lojë nuk mund të shkojë në kurriz të vullnetit politik të shqiptarëve.

Tani është një rrugë pa kthim, është Kushtetuta e Kosovës, është Kosova shtet i pavarur, i njohur ta zëmë nga çereku i shteteve, me një trend të njohjes së mëtutjeshme.

Këtu kemi nevojë për një asistencë të ndërkombëtarëve, pa të cilën ne nuk mundemi, por edhe ndërkombëtarët do të mbeten shumë problematikë nëse vazhdojnë me këtë logjikë të status quo-s.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka konsideroni atëherë se duhet të bëjnë qeveria dhe mekanizmat ndërkombëtarë për të kthyer rendin kushtetues në gjithë territorin, përfshirë edhe pjesën veriore?

BUJAR BUKOSHI
Mua më pak më takon të jap leksione tash karshi institucioneve tona të Kosovës, të cilat unë i respektoj dhe jam pjesë e tyre, por le të më lejohet që ta jap mendimin tim të prerë, të qartë, të bazuar në një përvojë modeste timen dhe të bazuar në ato paralajmërime, në ato alarme që ia bënim ne edhe para 10-15 vjetësh bashkësisë ndërkombëtare, që mos ta tolerojë Serbinë.

Tani jemi dëshmitarë se si tolerohet Serbia post-naziste. Me mbetjen e nazizmit në Beograd është një situatë absurde, ku Perëndimi edhe më tutje i bën lozha asaj pale, për shkak se ajo bën zhurmë, bën probleme, kurse pala shqiptare që është shumë kooperative, po abuzohet.

Konkretisht, do të jepja një shembull: duhet që nesër, në atë moment kur të hyjë Samarxhiqi në territorin e Kosovës, ai të arrestohet nga SHPK-ja, të mbahet nja 2-3 ditë derisa të sqarohen gjërat dhe tjetër herë mos të lejohet, sepse ai po na nxin jetën, po e komprometon ardhmërinë e këtij vendi.

Ky vend nuk do t’i durojë obstruksionet e Serbisë. Dhe ky është apeli im, që jo me ekstremizëm, por me akte konkrete.

Duhet të sigurohet kufiri, ka rrugë, ka mundësi, politika edhe më tutje mund të punojë, mund të veprojë, por një politikë e mirëfilltë, me koncept të qartë dhe me vendosmëri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bukoshi, nëse mund të ndalemi edhe te pakoja e Ahtisaarit – ky plan në masën më të madhe u dedikohet serbëve të Kosovës dhe pozitës së tyre në Kosovë. Por, si mund të zbatohet një plan kur shumica e këtij komuniteti, sidomos ata në pjesën veriore e refuzojnë atë?

BUJAR BUKOSHI
Këtu kemi të bëjmë me qytetarë serbë të Kosovës, po ashtu me qytetarë serbë të Serbisë nga forcat ekstremiste dhe reziduale naziste që janë të përqendruara në Mitrovicë, të cilat krejt procesin e komprometojnë.

Dhe tash, kjo duhet të ndalet, duhet të ndërpritet. Si të ndërpritet? Mënyra më e mirë është kur bashkësia ndërkombëtare, kur diplomacia ia bën me dije Beogradit dhe nuk e inkurajon më atë, ia pret të gjitha shpresat, se nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka veri të Kosovës, por ka plan të Ahtisaarit, të cilin serbët po e refuzojnë. Çfarë absurdi!

T’ju përkujtoj se shqiptarët, pala shqiptare, Kosova me planin e Ahtisaarit e ka lansuar mekanizmin më të mirë në Evropë për mbrojtjen e pakicave. Nuk ka në Evropë mekanizëm më efektiv, i cili po pret që të aplikohet, e pala serbe nuk po e do.

Kjo fillon edhe mua të më demotivojë, pasi që s’po e do ky, s’po e dua as unë. Nëse serbët po e shkelmojnë pakon e Ahtisaarit, atëherë shqiptarët nuk kanë arsye deri në qiell që t’i lusin serbët.

Edhe ashtu për palën shqiptare e dini se sa e hidhur ishte kjo që ta pranojë planin e Ahtisaarit, vetëm e vetëm për pavarësinë. Nuk dua të jap përshtypje se ka vend për pesimizëm.

Do të shkojnë punët, do të shkojnë proceset, çështja është se si të shkurtohen këto mundime të Tantalit, të cilat i shkakton vetëm një Serbi e lazdruar, të cilës edhe sot Evropa perëndimore po i jep koncesione, po i jep viza para shqiptarëve të Kosovës.

Atëherë, po them me cinizëm, “ia pafshi hajrin, e keni Mlladiqin me vizë duke shëtitur kah Brukseli, ose ta takojë zotin Solana”.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas shpalljes së pavarësisë, hyrja në fuqi e kushtetutës është vlerësuar si moment shumë i rëndësishëm për Kosovën. Mirëpo, sa jeni ju të kënaqur me performancën e treguar nga qeveria dhe institucionet vendore dhe sa në fakt Kosova po arrin të identifikohet si një shtet funksional dhe i qëndrueshëm?

BUJAR BUKOSHI
Këtu, t’ju them të drejtën, ende jemi në një lloj provimi. Ne jemi duke dhënë provimin e pjekurisë. Formalisht e kemi shpallur, e kemi kushtetutën, e kemi shtetin që është duke u gatuar ende.

Edhe tash, ky shtet, duhet nga pala shqiptare çdo ditë të sjellë prova se ky do të jetë një shtet i së drejtës, shtet ku sundon ligji, shtet demokratik, shtet ku respektohen serbët, romët, goranët, por edhe shtet që kujdeset për shumicën, 95 për qind të shqiptarëve.

Nëse Kosova si shtet, si shoqëri demokratizohet, nëse 95 për qind e kosovarëve që janë shqiptarë e ndjejnë veten mirë, atëherë nuk kanë pse të mos e ndjejnë veten mirë edhe serbët, edhe goranët, edhe boshnjakët etj.

Ne edhe më tutje do t’i ofrojmë, do t’i bëjmë ofertë pakicës serbe, e cila për fat të keq është shumë e ekstremizuar. Shikoni për kë votojnë serbët në Kosovë! Ne duhet t’i menaxhojmë problemet dhe t’i shikojmë interesat e këtij shteti të ri. Ne duhet t’i mbrojmë interesat e shtetit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG