Ndërlidhjet

logo-print

“Rikonfigurimi të kryhet sa më shpejt”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Këmbëngulës se nuk do të ketë proces të ri të negocimit ndërmjet Prishtinës e Beogradit, presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, është kthyer të dielën nga Nju Jorku, ku ka marrë pjesë në mbledhjen e KS të OKB-së, ku ka kërkuar që procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut të kryhet sa më shpejt. Në një konferencë shtypi të mbajtur në Aeroportin e Prishtinës, presidenti Sejdiu ka paralajmëruar se rikonfigurimi i misionit të UNMIK-ut do të përfshijë edhe përmirësimin e raporteve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, por assesi rifillimin e negociatave. "Procesi i rikonfigurimit kërkon një masë të proceseve fasilituese në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete sovrane. E kam thënë në Nju Jork, por edhe në bisedat që i kam zhvilluar atje, se ne nuk pranojmë asnjë dialog, që mbase dikush mund ta ketë, që Kosovën ta shtyjë në një proces të negocimit të ri", ka deklaruar presidenti Sejdiu. Përveç kësaj, ai ka thënë se me rikonfigurimin e UNMIK-ut, i cili pritet të fillojë gjatë kësaj jave, UNMIK-u edhe më tej do të mbetet me rol në sferën e sigurisë. "Ata nuk kanë ndonjë rol të veçantë, mbeten me rol më tepër në pjesën e sigurisë që është e përbashkët me EULEX-in për këtë kohë të tranzicionit, meqë ka pasur edhe një vonesë në përgatitje për të marrë sa më shpejt këtë proces", ka thënë Sejdiu...

KOSOVA SOT
Pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj nga një pjesë e vendeve të botës vazhdon të ngjallë diskutime, nëse ky vendim ka kontribuar ndaj stabilitetit në Ballkan. Eksperti amerikan, Xhefri Sajmën, nga Universiteti Kombëtar i Mbrojtjes, argumenton se, meqenëse shumica e vendeve të rajonit nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, kjo ka pasur ndikim destabilizues në rajon dhe mund të jetë kundërproduktive për integrimin e mëtejshëm të Ballkanit. Zoti Sajmën thekson se parandalimi i konflikteve nuk do të jetë i lehtë, nëse nuk rishqyrtohet çështja e Kosovës. Por, analisti Daniel Server, nga Instituti Amerikan i Paqes, thotë se rishikimi i kësaj çështjeje do t'i jepte shkas dhunës në Ballkan. E ardhmja e stabilitetit në Ballkan do të varet nga marrëdhëniet që do të kenë Serbia me Kosovën. Kështu shprehet për VOA-në, Xhefri Sajmën, ekspert i mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se çështja e Kosovës do të duhet të rishqyrtohet dhe kjo ka të ngjarë të ndodhë edhe me administratën e ardhshme amerikane... Por, analisti Daniel Server paralajmëron se ndarja e Kosovës do të çonte në fillimin e dhunës në Ballkan…

EPOKA E RE
Ish-i dërguari i posaçëm i SHBA-së për bisedimet për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Uisner, ka deklaruar se pas pavarësisë së Kosovës kufijtë e Ballkanit janë të qartë dhe ky territor mund të ndërtojë një të ardhme të sigurt, duke u integruar në familjen evropiane. Evropa, më së fundi, ka një hartë të re të përcaktuar për Ballkanin dhe mund të fillojë punën për t'i sjellë të gjitha shtetet evropiane në harmoni dhe gjithashtu në familjen evropiane", ka thënë Uisner. Ai ka vlerësuar se me përfundimin e pavarësisë së Kosovës, NATO-ja mund të shikojë për rrugën e daljes, por kjo nuk do të ndodhë menjëherë, sepse të dyja anët kanë nevojë për një periudhë të qetë, që të binden se vendi është i sigurt. Kosova ka nevojë për një forcë mbrojtëse dhe NATO-ja do ta ndihmojë për të ngritur këtë forcë", ka thënë diplomati amerikan...

LAJM
Gjiganti metalurgjik "Trepça" edhe më tej vazhdon të mbetet pa ndonjë përkrahje të duhur institucionale, gjë që ditaditës shpie drejt shkatërrimit të saj. Kohë më parë, çështja e "Trepçës" nga drejtuesit e vendit është lidhur me statusin e Kosovës, mirëpo edhe pas pavarësimit të vendit dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës, gjendja me Trepçën vazhdon të mbetet e tillë. Mijëra punëtorë, të cilët punojnë në kushte kryesisht të këqija, mezi arrijnë të sigurojnë paga. Mirëpo, këtë institucion edhe më shumë e ka dëmtuar moskoordinimi ndërmjet zyrtarëve të institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare. Menaxherë të kompanisë vazhdojnë të japin deklarata inkurajuese për punën që është duke u bërë në minierat e "Trepçës". Menaxheri i përgjithshëm, Nazmi Mikullovci, thotë se puna ecën si më parë, por kohëve të fundit ka një rënie të çmimeve të metaleve në bursën botërore, gjë që ndikon direkt edhe tek ata. Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës aspak nuk janë të kënaqur me punën që është duke u bërë në minierat e "Trepçës". Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula, thotë se kohëve të fundit kanë punuar rreth fatit të minierës së "Trepçës", por ende nuk kanë ardhur në ndonjë përfundim të qëndrueshëm...

ZËRI
Gjatë qëndrimit në Nju-Jork, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun. Në takimin gjysmë-orësh, që u zhvillua në selinë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, u këmbyen mendime për gjendjen në Kosovë dhe për perspektivën e zhvillimeve, sidomos sa i përket strukturimit të pranisë ndërkombëtare në Kosovë. I pranishëm në takim ka qenë edhe ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni. Presidenti Sejdiu vlerësoi edhe një herë punën e deritanishme të UNMIK-ut, ndërsa kërkoi që ky mision të rikonfigurohet shpejt e që puna e tij të përfundojë si një histori e suksesshme e një misioni të OKB-së.
"Kosova ka shpallur pavarësinë dhe ka miratuar Kushtetutën e Republikës në përputhje të plotë me Planin Ahtisaari", theksoi presidenti Sejdiu, duke kërkuar që OKB-ja, emisar i së cilës ishte Ahtisaari, të mos bëjë veprime që bien në kundërshtim me Planin e Ahtisaarit. Ban Ki-Mun nga ana e tij ka çmuar rolin që ka luajtur udhëheqja e Kosovës në kohët e ndryshimeve thelbësore që kanë ndodhur në Kosovë...

EXPRESS
Çfarë do të jetë në realitet Kuvendi i serbëve të Kosovës, i cili pritet të themelohet më 28 qershor - një date e cila edhe më tej inspiron nacionalizmin tek serbët, pavarësisht a janë radikalë apo të moderuar? Një organ nga i cili do të dalin parulla nacionaliste, e që do të ruajë status quo-n në pjesën veriore, apo një institucion që në të ardhmen mund ta çojë vendin drejt ndarjes. Ky "sabor" i serbëve, i cili zyrtarisht do të emërtohet si "Kuvend i Bashkësive të Komunave të Kosovës dhe Metohisë", sipas liderëve lokalë serbë, nuk synon ndarjen e Kosovës, pasi, disa nga ta, konsiderojnë se Kosova nuk duhet ndarë dhe duhet të mbetet e plotë, si pjesë e Serbisë. Mirëpo, jo të gjithë eksponentët e politikës serbe në Kosovë mendojnë njësoj. Disa prej tyre thonë se ajo që do të krijohet më 28 Qershor, në Vidovdan, ditë që serbët e konsiderojnë si festën më të madhe të tyre, do të jetë një akt i kotë...

BOTA SOT
Duke u prononcuar lidhur me një deklaratë gjatë javës së kaluar të kryetarit të Komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës, z.Bekim Çollaku, se "kanë përfunduar bisedimet rreth demarkacionit të kufirit me palën maqedonase dhe së shpejti pritet shënjimi i vijës kufitare", z.Zymri Ilazi, përfaqësuesi i fshatit Debëllde dhe njëherësh anëtar vëzhgues i këtij komisioni, ka shprehur shqetësimet dhe rezervat e tij rreth kësaj deklarate të fundit të kryetarit të Komisionit shtetëror, z. Çollaku... Sipas Zymri Ilazit, ai vetë ka marrë pjesë si anëtar -vëzhgues i Komisionit në të gjitha takimet me palën maqedonase dhe në bazë të këtyre takimeve ai nuk është në njohuri se bisedimet rreth shënimit të kufirit kanë përfunduar dhe se tani do të fillojë edhe puna konkrete në shënim në terren. "Unë nuk di se ku është mbështetur kryetari i Komisionit z.Çollaku, kur ka thënë se bisedimet kanë përfunduar dhe se çështja e shënjimit të vijës kufitare do të fillojë brenda këtij muaji", thotë z.Ilazi, sepse, sipas tij, “çështja e tokave private të debëlldeasve të mbetura përtej kufirit, nuk është përfunduar assesi"...

INFOPRESS
Ndonëse para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës shumë çështje kanë qenë të paqarta, tani me hyrjen në fuqi të këtij akti më të lartë politik e juridik, gjërat duhet të qartësohen. Ajo që ka mbetur ende kontestuese është çështja e betimit të ministrave të Qeverisë para organit më të lartë legjislativ të vendit, Parlamentit të Kosovës. Edhe pse ende pa hyrë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, ministrat të cilët janë zgjedhur në fillim kanë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës, ministrat e rinj të Qeverisë të cilët do të udhëheqin dikasteret e reja qeveritare duket që nuk do të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo, për arsye se, sipas zyrtarëve të Qeverisë, betimi i kabinetit qeveritar bëhet vetëm në fillim, atëherë edhe kur zgjidhet, ndërsa ministrat që zgjidhen më vonë nuk kanë nevojë të bëjnë të njëjtën gjë. Mirëpo, në nenin 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht në pikën 6 thuhet se anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit dhe se teksti i betimit rregullohet me ligj...
XS
SM
MD
LG