Ndërlidhjet

Zannier: UNMIK-u lehtëson në dialogun Prishtinë-Beograd


Lamberto Zannier
Lamberto Zannier

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi zhvilluan një takim të përbashkët me shefin e ri të UNMIK-ut, Lamberto Zannier. Pas takimit u tha se Zaanier dhe UNMIK-u pritet të kenë një rol të konsiderueshëm në lehtësimin e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogardit.


Administrata e UNMIK-ut do të ketë një rol të theksuar në lehtësimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është thënë sot pas takimit të parë që presidenti dhe kryeministri i Kosovës zhvilluan me shefin e ri të UNMIK-ut, Lamberto Zannier.

Ndërsa Zannier tha se gjatë këtyre bisedimeve ai nuk do t’i hapë çështjet e ndjeshme politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, presidenti Fatmir Sejdiu në anën tjetër tha se agjenda e këtij dialogu nuk mund të përfshijë në asnjë formë çështjet e statusit, por ka të bëjë kryesisht me obligimet që Kosova ka marrë në lidhje me pozitën e komunitetit serb që parashihet edhe në pakon e Ahtisaarit.

“Kosova nuk do të pranojë asnjë proces të negociatave me Beogradin që lidhet me çështjen e statusit të Kosovës. Është një proces që ka përfunduar dhe është një proces që është mbështetur ndërkombëtarisht dhe kemi Kosovën e njohur si shtet sovran dhe i pavarur nga shumë vende të botës”.

“Ne kemi thënë se kemi nevojë të komunikojmë me Beogradin si fqinj, si dy shtete sovrane, por edhe për disa çështje praktike që lidhen me pjesën e projektit Ahtisaari, pra vetëm e vetëm në frymën e tij. Ne dëshirojmë që në këtë kuadër të ketë rol fasilitues edhe misioni ndërkombëtar”, tha Sejdiu.

Po në lidhje me dialogun, Prishtinë – Beograd, Lamberto Zannier tha se ai do të përpiqet që të jetë shumë pragmatik dhe të ngre për bisedime vetëm çështjet që janë në interes të dyja palëve.

“Do të bisedoj me të gjithë për zgjidhjen e problemeve dhe kjo do të zhvillohet në transparencë të plotë, por do t’u shmangem çështjeve të ndjeshme politike”, tha Zannier.

Ai tha se do të përpiqet që t’i zgjidhë problemet në favor të përmirësimit të jetës së njerëzve që jetojnë në Kosovë.

“Nuk dua që të përcaktoj objektiva shumë ambicioze që nga tash, por do të përpiqem të bisedoj me të gjithë”, u shpreh shefi i ri i UNMIK-ut.

Ndërkaq, në lidhje me misionin e tij administrues në Kosovë tani kur rrethanat kanë ndryshuar me shpalljen e pavarësisë, ai tha se e ka vështirë edhe vetë që ta kuptojë se çfarë roli mund të ketë UNMIK-u në këso rrethanash.

“Hapi im i parë është që ta kuptoj se si është i ndërtuar UNMIK-u, çka ende po mundohem që ta kuptoj”, tha Zannier.

Ai tha se është në pritje të udhëzimeve nga Nju Jorku që ta kuptojë se si do të bëhet ristrukturimi i UNMIK-ut dhe cilat do të jenë afatet. Zannier tha se do t’u bëjë një rivlerësim të gjitha fushave që ka tash në përgjegjësi UNMIK-u, për të parë nëse ka përplasje me fushat e përgjegjësive me misionin e EULEX-it.

Ndërsa, presidenti Fatmir Sejdiu tha se ai i ka kërkuar edhe Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, që afatet e rikonfigurimit të UNMIK-ut të jenë të qarta dhe të shkurta, duke parashikuar largimin e UNMIK-ut nga Kosova, diku në vjeshtën e këtij viti.
XS
SM
MD
LG