Ndërlidhjet

logo-print

Formimi i FSK-së është vonuar?


Paqeruajtësit e KFOR-it

Paqeruajtësit e KFOR-it

Ekspertë për çështje të sigurisë dhe analistë politikë kosovarë, në një konferencë me temën "Themelimi, operacionalizimi dhe funksionimi demokratik i Forcës së Sigurisë së Kosovës", kanë konstatuar se institucionet e Kosovës kanë ngecur në formimin e FSK-së. Pjesëmarrësit në konferencë, mes tjerash, kanë thënë që forca e ardhshme e sigurisë duhet të kontribuojnë edhe në misione paqeruajtëse rajonale dhe botërore.


Themelimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka ngecur meqë edhe në NATO pati vonesë derisa u arrit pëlqimi për formimin dhe trajnimin e kësaj force. Kështu kanë vlerësuar ekspertët e sigurisë në Kosovë.

Ramadan Qehaja, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se institucionet e Kosovës, tash pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, duhet që sa më parë të formojnë Ministrinë e Mbrojtjes.

“Edhe pse pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës është dashur që të kemi ministrin e FSK-së, një gjë e tillë ende nuk është bërë. Nuk kemi të emëruar komandantin e FSK-së, nuk kemi ndonjë bërthamë të Ministrisë së Forcës së Sigurisë si dhe të shtabit të përgjithshëm të FSK-së, të cilët do të merreshin me çështje konkrete, praktike", tha Qehaja.

Ai mendon se është e dëmshme që institucionet e Kosovës të presin për të vepruar vetëm pas asaj se çka thonë ndërkombëtarët. Qehaja këtë qasje e konsideron të gabuar. Ndryshe, sipas tij, roli i FSK-së do të duhej të ishte në mbështetjen e përpjekjeve për vendosjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe botë.

“Roli i FSK-së do të konsiderohet edhe më i madh, ngase ajo do të jetë bartëse e integrimeve euroatlantike. Aspiratat e Republikës së Kosovës për integrim në NATO do të jetësohen me ngritjen e kapaciteteve ndërvepruese të FSK-së, konform standardeve të NATO-s”,
u shpreh Qehaja.

Edhe eksperti tjetër për çështje sigurie, Fadil Kajtazi, thotë së formimi i FSK-së tash për tash varet shumë edhe nga formimi i Ministrisë së Mbrojtjes.

"Natyrisht se formimi i FSK-së është i rregulluar me ligj. Thënë në gjuhën ushtarake, në këtë rast, strategjinë e përcakton ligjvënësi, mirëpo arritja e një sërë objektivave në këtë fushë do një art operativ dhe taktik, zbatimi i të cilit varet shumë nga akterët ekzekutues, e që në fakt lidhen drejtpërdrejt me Ministrinë e FSK-së dhe strukturat në varësi të saj",
tha Kajtazi.

Në bazë të pakos së Ahtisaarit parashihet që Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë profesionale dhe shumetnike. FSK-ja do të përbëhet prej jo më tepër se 2500 pjesëtarëve aktivë dhe 800 pjesëtarëve rezervë.

Ndryshe, eksperti për siguri, Fadil Kajtazi, thotë se FSK-ja në të ardhmen duhet të jetë një forcë, e cila mund të kontribuojë në misione paqeruajtëse.

"Objektiv i politikës kosovare në përgjithësi është që në këto suaza të krijojë një forcë sigurie të aftë për frenim dhe mbrojtje, të aftë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe kriza humanitare, të ketë strukturë që të jetë pjesë e sistemeve të sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në përgjithësi, në këtë rast të OSBE-së dhe NATO-s”, tha Kajtazi.

Nga ana tjetër, edhe analisti politik, Ramush Tahiri, vlerëson se tash pas pavarësisë, Kosova ka nevojë për ushtrinë e saj.

“Kosova ka nevojë që ta ketë forcën e saj mbrojtëse, përkatësisht ushtrinë e saj, si çdo shtet tjetër në këto rrethana bashkëkohore", theksoi Tahiri.

Ndryshe, në ketë konferencë është prezantuar edhe dokumenti ‘Themelimi, operacionalizimi dhe funksionimi demokratik i Forcës së Sigurisë’, me ç’rast të pranishmit e vlerësuan atë dokument si një bazë të mirë, që jep një plan funksional dhe integrues të institucioneve të sigurisë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG