Ndërlidhjet

Scheffer: NATO ka nën mandat të plotë formimin e FSK-së


Prishtinë - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer, në takim me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, 23 qershor 2008.
Prishtinë - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer, në takim me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, 23 qershor 2008.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hoop Scheffer, qëndroi të hënën në Kosovë. Ai tha se NATO do të marrë nën mandatin e plotë formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërkohë që KFOR-i mbetet autoriteti kryesor i sigurisë në Kosovë.


Aleanca Veriatlantike do të merr nën mandatin e saj formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë sot në Prishtinë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Pas një vizite që i bëri Kosovës me ç’rast takoi udhëheqësit më të lartë vendorë e ndërkombëtar, Scheffer tha se të gjitha vendet anëtare të NATO-s, përfshi edhe ato që e kanë njohur apo nuk e kanë njohur Kosovën e pavarur, do të mbeten në Kosovë për të garantuar paqen dhe sigurinë në Kosovë.

“NATO-ja nuk ka të bëjë me njohjen. Ka vende që e kanë njohur Kosovën dhe vende që nuk e kanë njohur atë, por ajo që është me rëndësi të thuhet, është se të gjitha këto vende do të qëndrojnë në Kosovë, në kuadër të KFOR-it”
, tha Scheffer.

Duke iu referuar situatës së sigurisë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s rikujtoi se KFOR-i ka mandat të plotë që të veprojë ndaj çdo kërcënimi. Ndarja e Kosovës, nënvizoi ai, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë opsion. Kurse, ata që kërcënojnë rendin dhe ligjin, Scheffer i paralajmëroi se kanë të bëjnë me forcën e NATO-s, përkatësisht KFOR-it.

“KFOR-i është këtu dhe do të qëndrojë. KFOR-i ka mandat, KFOR-i ka trupa të mjaftueshme që nënkupton edhe ato rezervë. Andaj, KFOR-i është këtu që të mbrojë si shumicën, ashtu edhe pakicën”, u shpreh Scheffer.

Në vazhdim, Scheffer tha se ka diskutuar me autoritetet kosovare edhe çështjen e formimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai tha se kjo forcë do të jetë nën mandatin e plotë të NATO-s, do të jetë shumetnike dhe nuk do të jetë një ushtri që dikush mund ta interpretojë se del nga ish-TMK-ja.

Ai tha se do t’ua sqarojë edhe autoriteteve serbe të Beogradit se Forca e Sigurisë së Kosovës do të zhvillohet nën mandatin e NATO-s dhe Rezolutës 1244, si një forcë shumë e rëndësishme për Kosovën.

“Unë mendoj se në terme afatgjate është në interesin e Kosovës dhe të gjithë kosovarëve pa përjashtim që të formohet Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila po përsëris se nuk është armatë”, tha Scheffer.

Ai tha se NATO-ja do të marrë rol drejtues në shpërbërjen e TMK-së dhe ndërtimin e Forcës së Sigurisë prej 2500 pjesëtarëve të rregullt dhe 800 rezervistëve me detyra dhe përgjegjësi specifike.

“Kjo është vendosur nga Këshilli Veri-atlantik dhe shpresoj që do të jetë një forcë multietnike brenda mandatit të KFOR-it”, deklaroi ai.

Se kur do të formohet kjo forcë, Scheffer tha se u përket institucioneve të Kosovës që ta japin një përgjigje më të saktë. Kurse, në lidhje me mandatin e KFOR-it gjatë rikonfigurimit të UNMIK-ut dhe procesit të tranzicionit, Scheffer tha se aty nuk ndryshon asgjë, KFOR-i mbetet përgjegjës për sigurinë në Kosovë dhe do të veprojë në gjithë territorin e saj.

Gjatë kësaj vizite, Scheffer është takuar me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi, autoritetet e UNMIK-ut, si dhe ka vizituar ushtarët francezë në kuadër të KFOR-it, të vendosur në kampin më të largët verior të Kosovës, Nothing Hill, në afërsi të Leposaviqit.

XS
SM
MD
LG