Ndërlidhjet

"NATO kundërshton ndarjen"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

ZËRI
Pavarësia e Kosovës absolutisht nuk paraqet asnjë precedent për Baskinë e Spanjës, thotë ish i dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin final të Kosovës, Martti Ahtisaari. Ahtisaari ka hedhur poshtë çdo ndërlidhje të pavarësisë së Kosovës me lëvizjën separatiste nga ana e rajonit të Baskisë duke thënë se historia e të dy vendeve është diametrikisht e ndryshme. "Ndoshta disa njerëz dëshirojnë ta kthejnë Kosovën në një precedent dhe ta shfrytëzojnë atë, por këtë gjë ata do ta bëjnë edhe po qe se Kosova do të ishte nga ndonjë planet tjetër", ka thënë Ahtisaari për të përditshmen spanjolle, "El Pais"... “Kur në rastin e Kosovës dikush e mbron legalitetin ndërkombëtar, i njëjti person nuk thotë se ka qenë Slobodan Milosheviq ai i cili në mënyrë të pakushtëzuar e ka anuluar autonominë e Kosovës dhe ka urdhëruar ilegalisht kasaphanën dhe dëbimin e qindra mijëra shqiptarëve", ka thënë Ahtisari për "El Pais". Ai tha se Serbia e ka humbur Kosovën si pasojë e politikave të ish-kryetarit serb, Milosheviq, ndërsa tani komuniteti ndërkombëtar duhet ta ndihmojë Serbinë të kuptojë se nuk ka kthim prapa dhe asgjë nuk do të ndërrojë...

EPOKA E RE
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Havier Solana, ka deklaruar të hënën në Bruksel se vendimin për misionin EULEX do ta marrë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, nëse këtë nuk e bën Këshilli i Sigurimit. "Do të punojmë sipas vendimit të OKB-së. Mendoj se për këtë duhet të vendosë sekretari i përgjithshëm, kurse ne do ta zbatojmë vendimin, ashtu siç i zbatojnë rezolutat e tjera", ka deklaruar Solana. Në konstatimin e gazetarit se Rusia konsideron se vetëm Këshilli i Sigurimit të OKB-së mund të sjellë vendimin, Solana është përgjigjur se për këtë "duhet të vendosë Këshilli i Sigurimit". "Nëse nuk do të ketë vendim të Këshillit të Sigurimit, atëherë vendimin do ta marrë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, kurse ne do ta zbatojmë", ka theksuar përfaqësuesi i lartë i BE-së...

KOHA DITORE
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hop Scheffer, ka hedhur poshtë çfarëdo mundësie që partnerët ndërkombëtarë të jenë duke shikuar mundësinë e ndarjes së Kosovës. Shefi politik i Aleancës Veriatlantike, i cili ka qëndruar të hënën në Republikën e Kosovës për t'u njoftuar nga afër me situatën politike dhe të sigurisë pas fuqizimit të Kushtetutës së re, ka insistuar se një mundësi e tillë e copëtimit të Kosovës nuk vjen fare në shprehje. "E dini se kjo çështje nuk është pjesë e letrave (të lojës). Çfarëdo forme e ndarjes nuk vjen në shprehje. Po e përsëris, nuk vjen në shprehje. Kur e them këtë, nënvizoj atë që kam thënë më herët se mandati i KFOR-it është brenda 1244 dhe do të ketë prani në gjithë territorin e Kosovës", ka thënë ai në fund të vizitës së tij. Jaap de Hop Scheffer gjatë vizitës së shkurtër në Kosovë ka qenë edhe në veri te vendit, ndërsa përveç takimit me komandantin e forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjeneralit francez Xavier Bout de Marnhac, ai ka marrë informata edhe nga presidenti dhe kryeministri i vendit, sikur edhe nga politikanët serbë në veri të Kosovës...

LAJM
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, në Samitin e Konferencës Islamike, i cili u mbajt në Kampala të Ugandës, është përqendruar te Kosova dhe procesi i njohjes së pavarësisë së saj nga vendet anëtare të kësaj organizate. Sipas një komunikate të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Basha në këtë konferencë ka informuar përfaqësuesit e vendeve islamike për hyrjen në fuqi të Kushtetutës së shtetit të ri të Kosovës, të certifikuar nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, si një dokument që u përgjigjet standardeve ndërkombëtare dhe që është në përputhje me Propozimin Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të të dërguarit special të OKB-së, Martti Ahtisaari. Ministri Basha tha, po ashtu, se në përshtatje me realitetin e ri të një Kosove të pavarur, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, më 12 qershor 2008, udhëzoi rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë. Basha falënderoi vendet anëtare për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës gjatë këtij procesi dhe kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen...

KOSOVA SOT
Liderët e partive serbe në Kosovë ndajnë mendime të ndryshme sa i përket formimit të Kuvendit serb. Një distancim nga tendencat e tilla ka ardhur edhe nga një pjesë e përfaqësuesve serbë të Kosovës. Kryetari i SLS-së dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Slobodan Petroviq kritikon iniciativën e fundit të disa liderëve serbë për formimin e Kuvendit të përkohshëm të Kosovës nga rezultati zgjedhor i zgjedhjeve serbe të 11 majit, të organizuara nga Serbia dhe të shpallura të pavlefshme nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare. "Aktivitetet e tyre janë të njohura, mjaft gjatë, tash e disa vjet, dhe çdo gjë që bëjnë ata është një skenar i shkruar, i cili nuk i shkon për shtati komunitetit serb në Kosovë", tha Petroviq. Rada Trajkoviq, nënkryetare e Këshillit Nacional Serb, thotë se paralajmërimet për krijimin e Kuvendit serb janë edhe një manipulim, të cilin e zbaton ish-kryeministri i Serbisë, Vojislav Koshtunica, dhe Slobodan Samarxhiq me bllokun e tyre popullor...

EXPRESS
Është gati projektligji për amnisti i hartuar nga Zyra ligjore e Ministrisë së Drejtësisë. Derisa greva e urisë e të burgosurve ka hyrë në dritën e tretë të saj, projektligji i cili parashikon kushtet dhe mënyrat e dhënies së amnistisë (lirim para kohe) tashmë ka përfunduar. Burime të Expressit nga Qeveria kanë sqaruar se ky projektligj të hënën pasdite është dërguar tashmë për procedurë të mëtejshme në ekzekutivin e vendit. Ky projektligj parashikon edhe detajet më të hollësishme sa i përket amnistisë dhe përbëhet prej 13 neneve, të cilat në tërësi e rregullojnë këtë çështje. Brenda këtyre 13 neneve, më e veçanta është se ato e përcaktojnë një trup të autorizuar (special), i cili do të bëjë vlerësimin dhe dhënien e amnistive. Më tej, ky projektligj shpjegon në mënyrë të qartë edhe format e amnistisë, pra se cilat janë kushtet që duhet t’i përmbushë një i burgosur në mënyrë që të ushtrojë kërkesë për amnisti...

BOTA SOT
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin e nivelit të lartë të politikës evropiane ndaj Ballkanit, të organizuar nga organizata Miqle e Evropës dhe Fondacioni Konrad Adenauer. Gjatë Samitit, kryeministri Thaçi do të flasë lidhur me rolin dhe ndikimin e Bashkimit Evropian në stabilizimin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit, me theks të veçantë në efektin stabilizues dhe paqësor që ka pasur pavarësia e Kosovës në rajon. Në këtë samit marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Doris Pak, komisionari i BE-së për Zgjerimin, Oli Ren...
XS
SM
MD
LG