Ndërlidhjet

Prishtina e përmbajtur për qeverinë e re serbe


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Është koha e fundit që Beogradi të heqë dorë nga provokimet dhe të pushojë me organizimin e strukturave paralele në Kosovë, thonë përfaqësuesit politikë në Prishtinë, duke komentuar zhvillimet e fundit në Serbi lidhur me marrëveshjen për qeverinë e re.


Autoritetet në Prishtinë shprehen tejet të rezervuara në lidhje me marrëveshjen për Qeverinë e re të Serbisë. Prishtina zyrtare i tërheq vërejtjen Beogradit se është koha e fundit që të heqë dorë nga provokimet dhe të pushojë së mbështeturi dhe organizimi të strukturave paralele në Kosovë.

Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se Kosova në politikën e saj rajonale angazhohet që kjo pjesë e Evropës Juglindore të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, në mënyrë që rruga e integrimit në BE dhe në NATO të jetë sa më e shkurtër.

Në këtë aspekt, ai angazhohet për një bashkëpunim të ngushtë mes vendeve të rajonit. Por, Beqiri rikujton edhe qeverinë e re të demokratëve të Tadiqit me socialistët, se Kosova dhe republikat tjera të ish-Jugosllavisë i kanë përjetuar vuajtjet më të mëdha pikërisht në kohën e periudhës së socialistëve serbë, të cilët ende nuk janë distancuar nga politika e Millosheviqit.

“Çështja që s’mund të anashkalohet është ajo e Partisë Socialiste të Serbisë, e cila asnjëherë nuk është distancuar nga politika e liderit të saj shpirtëror, Sllobodan Millosheviq, që shkaktoi disa luftëra, qindra mijëra viktima civile dhe shumë vuajtje njerëzore në ish-Jugosllavi”.


“Por, ne dëshirojmë që të besojmë se edhe Beogradi, herët a vonë, do ta kuptojë se gjuha e urrejtjes nuk çon askund, kurse rajoni ka nevojë për politikë të matur për bashkëpunim dhe plotësim të standardeve evropiane, që dalin para të gjitha vendeve të kësaj hapësire”, tha Beqiri.

Duke prezantuar dhe pikëpamjet e presidentit Fatmir Sejdiu, zëdhënësi Beqiri i bën thirrje qeverisë së re që do të formohet në Beograd, që të pushojë me provokimet dhe organizimin e jetës paralele të serbëve në Kosovë, duke ftuar komunitetin pakicë serb, në anën tjetër, që të integrohet në jetën institucionale në Kosovë.

“Presim që edhe Beogradi zyrtar, qeveria e re, të pushojë t’i instruktojë serbët, jo vetëm ata lokalë në Kosovë, por edhe të pushojë t’i infiltrojë serbët nga Serbia në Kosovë dhe t’i kontribuojë krijimit të një hapësire më paqësore e më stabile, sepse kjo do të ishte ne interes të të gjithëve”, thotë Xhavit Beqiri.

Të njëjtën porosi për qeverinë e re serbe e ndan edhe opozita në Prishtinë. Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se të paktën deri më tash, as partia e Tadiqit nuk ka treguar se ndryshon diçka në politikën e saj në raport me Kosovën.

Kurse, për socialistët ai thotë se kjo parti vetëm pak vjet më parë i ka shkaktuar tragjedinë më të madhe Kosovës dhe viseve të ish-Jugosllavisë. Andaj, Makolli thotë se tash është koha e fundit që ky vend të orientohet kah politika demokratike e pro-evropiane dhe të heqë dorë nga pretendimet e saj në Kosovë.

“Pjesë të këtij koalicioni qeverisës e kemi edhe një subjekt politik, i cili ka qenë frymëzues i gjithë atyre që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi, e në veçanti në Kosovë. Kujtoj që është koha e fundit që politika e Beogradit dhe ky koalicion qeveritar tashmë të pajtohen me realitetin e ri në Kosovë dhe të fillojnë gradualisht në ndërtimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Kosovën”, tha Makolli.

Ndërkohë, përfaqësuesit serbë i shohin në mënyra të ndryshme zhvillimet e reja në Serbi. Ndërsa ata të pjesës veriore kanë mbështetur në vazhdimësi radikalët dhe partinë e Koshtunicës, serbët e pjesës qendrore të Kosovës e vlerësojnë pozitivisht faktin se partia e Tadiqit është ajo që merr nën drejtim Qeverinë e re serbe.

Rada Trajkoviq thotë se ky është një lajm i mirë për Serbinë dhe serbët e Kosovës.

“Kjo, në përgjithësi, thotë se qytetarët e Serbisë janë përcaktuar për Serbinë me perspektivë evropiane dhe janë shmangur nga politika konfrontuese dhe luftënxitëse e Koshtunicës, si dhe janë shmangur nga politika e Çedomir Jovanoviqit, i cili kërkonte njohjen e pavarësisë së Kosovës”, thekson Trajkoviq.

Sipas saj, askush nuk duhet të presë nga Tadiqi që ta pranojë pavarësinë e Kosovës, e as nga Prishtina që të heqë dorë nga pavarësia. Por, në këso rrethanash, ajo mendon se Beogradi, duke bashkëpunuar me ndërkombëtarët, mund të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetesës për serbët, si dhe mund të kontribuojë në uljen e tensioneve ndërmjet të dyja vendeve.

Shumë më të rezervuar ndaj qeverisë së re që po krijohet në Beograd janë serbët e veriut të Kosovës, të cilët i mbështesin forcat radikale në Serbi.
XS
SM
MD
LG