Ndërlidhjet

“Ndarja e Kosovës – skenar i rrezikshëm”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Shqipërisë, Sali Berisha, kanë deklaruar të martën në Bruksel se ndarja e Kosovës do të ishte një skenar i rrezikshëm. Kryeministri Berisha ka kritikuar autoritetet në Serbi për shkak të formimit të strukturave paralele në Kosovë, duke thënë se situata në veri duhet të vendoset si test kryesor për qeverinë e re atje. "Kufijtë ndërkombëtarë të Kosovës duhet të respektohen", ka thënë Berisha, të martën në Bruksel. Thaçi dhe Berisha kanë marrë pjesë të martën në një samit për Ballkanin, të organizuar nga "Miqtë e Evropës", i ciii përbëhet nga fondacione dhe shoqata të ndryshme. Në fjalën e tij, kryeministri i vendit ka thënë se pas krijimit të qeverisë pro-evropiane në Serbi, pret që ajo të ketë ndikim pozitiv edhe në Kosovë. "Sa më afër të jetë Beogradi me Brukselin, aq më afër do të jenë serbët e Kosovës me Prishtinën", ka thënë Thaçi. Duke u ndërlidhur me Mitrovicën, kryeministri Berisha ka thënë se Kosova është një rast unik, por jo edhe Mitrovica, duke thënë se në ish-Jugosllavi ka raste të tilla...

EPOKA E RE
Ministri italian i Punëve të Jashtme, Franco Frattini, në një intervistë për BBC-në ka vlerësuar se Italia është një vend që luan një rol pozitiv në Kosovë dhe Ballkan. Ai ka shprehur bindjen e tij se italiani Lamberto Zannier do të dijë të punojë mirë. I pyetur se çfarë do të ndodhë me Mitrovicën veriore tashmë që UNMIK-u drejtohet nga një diplomat italian, shefi i diplomacisë italiane, Frattini, ka thënë: "Unë besoj se të gjithë kanë pranuar parimin që Italia është një vend që luan një rol pozitiv në Kosovë dhe e luan në të gjithë territorin e Ballkanit, duke përfshirë edhe Serbinë". "Ne kemi marrëdhënie të mira me Serbinë. Pra, unë e di se vlerësimi për kandidatin italian është rrjedhojë edhe e faktit që Italia e njeh dhe e ndihmon këtë zonë, mbase më shumë se vendet e tjera. Unë jam i bindur se përfaqësuesi i lartë i zotit Ban Ki Mun, diplomati ynë Zannier, do të dijë të punojë mirë", ka shtuar ai. Fratini, po ashtu ka theksuar se "ne nuk duam që zona të rëndësishme të Kosovës veriore të braktisen"...

LAJM
Pavarësia e Kosovës si kusht për pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme nuk është përmendur as nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e as nga kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, në takimet e para të realizuara me mandatarin Nikola Gruevski, njoftojnë për ‘Lajm’ burime partiake në VMRO-DPMNE. Edhe Ahmeti, edhe Thaçi, njohjen e pavarësisë së Kosovës më herët e kanë përmendur si një nga kushtet për pjesëmarrje në koalicionin qeverisës. Mirëpo, as Thaçi, në deklaratën e dhënë pas takimit me Gruevskin, as Ahmeti, në deklaratën e shkruar pas takimit, nuk kanë përmendur se kanë biseduar me Gruevskin lidhur me njohjen e pavarësisë. Dy partitë shqiptare, pretendente për të qenë pjesë e pushtetit të ardhshëm, të martën nuk janë prononcuar dhe nuk kanë dhënë asnjë informacion se për çfarë kanë biseduar me Gruevskin dhe cilat janë çështjet për të cilat kanë hasur në mirëkuptim dhe çështjet për të cilat nuk janë pajtuar...

INFOPRESS
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës do të arkivohet në Arkivin e Kosovës dhe në Arkivin e Shqipërisë. Të martën, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ua ka dorëzuar nga një kopje të deklaratës përfaqësuesve të arkivave të të dy vendeve tona, drejtoreshës së Arkivave të Shqipërisë, Nevila Nika, dhe drejtorit të Arkivit të Kosovës, Jusuf Osmani. I pranishëm në këtë solemnitet ishte edhe Vladimir Zhumer, drejtor i Drejtorisë së Arkivave të Sllovenisë. Me këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se ky është një moment shumë i veçantë dhe dallon nga dokumentet tjera të arkivuara. “Deklarata sublimon përpjekjet gati 100 vjeçare të popullit shqiptar për pavarësinë e vendit”, ka theksuar kreu i Kuvendit të Kosovës. Duke folur për Deklaratën e Pavarësisë, Krasniqi ka thënë se është një akt të cilin brezat do ta shfrytëzojnë dhe secili në mënyrën e vet do ta interpretojë, ngase kjo deklaratë ka mundësi të shumta të interpretimit...

KOHA DITORE
Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk pritet të nxjerrë kurrfarë deklarate politike përmes së cilës do t'i shpallte si të paligjshme kuvendet lokale serbe në Kosovë, të cilat janë duke u ndërtuar mbi bazën e zgjedhjeve të Serbisë, të mbajtura më 11 maj. Kryesia e Kuvendit, të martën, ka hedhur poshtë mocionin e ngritur nga deputeti Driton Tali dhe pesë deputetë të tjerë, nëpërmjet të cilit është kërkuar që legjislativi i shtetit t'i anulonte çfarëdo lloj zgjedhjesh brenda territorit të Kosovës, që nuk janë të organizuara nga institucionet e vendit dhe që janë jashtë ligjit dhe sistemit politik të Kosovës. Mocioni në fjalë nuk është futur si pikë e rendit të ditës për seancën e 30 qershorit, me arsyetimin e Kryesisë së Kuvendit, se një nga nënshkruesit e mocionit është tërhequr nga kërkesa paraprake. Për t'u miratuar një mocion nga Kryesia, duhet të jenë të deponuara së paku gjashtë nënshkrime të deputetëve. Ndonëse nuk është bërë publike se cili nga deputetët është bërë "pishman" për kërkesën e bërë, tashmë dihet se këtë kërkesë pos Talit e kishin nënshkruar edhe Ali Lajçi (LDK), Rita Hajzeraj (AKR), Naser Rugova (LDD), Zylfije Hundozi (AAK) dhe Dritë Maliqi (LDD)...

ZËRI
Kushtetuta e Kosovës nuk po zbatohet edhe pas hyrjes së saj në fuqi më 15 qershor. Kështu tha dje kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili veçoi pamundësinë e zbatimit të Kushtetutës sidomos në veriun e vendit të kontrolluar nga strukturat paralele dhe në enklavat serbe, ku ndikimi i Beogradit vazhdon të jetë tejet i madh. "Ju e dini që në shoqëritë moderne kushtetutat kanë vështirësi që të zbatohen, pra edhe tek vendet që kanë një traditë demokratike dhe të sundimit të ligjit. Natyrisht, Kushtetuta e Kosovës ka vështirësi të zbatimit të saj në disa pjesë të territorit, e ju e dini se ajo është pjesë e administratës së UNMIK-ut dhe EULEX-it", tha Krasniqi, duke shpresuar se me kalimin e kohës, siç tha ai, Kushtetuta do të gjejë zbatim në tërë territorin e Kosovës. Deri më tani, institucionet e Kosovës nuk kanë dëshmuar të kenë ndonjë plan konkret për të shtrirë autoritetin e tyre në veri dhe në enklava, ku serbët nën autoritetin e qeverisë serbe kanë themeluar kuvendet paralele serbe, te cilat nuk njohin shtetin e ri të Kosovës...

BOTA SOT
Komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjeneral-lejtnant Sylejman Selimi, ka pritur të martën në takim ministrin e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, Bob Ainsuorth, me të cilin kanë diskutuar për proceset që do të kalojë TMK-ja, për t'u transformuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe mbështetjen që do të japë Qeveria e Britanisë për FSK-në. Gjeneral Sylejman Selimi ka falënderuar Qeverinë britanike për mbështetjen e vazhdueshme për TMK-në, duke theksuar se bashkëpunimi me shtetin anglez ka qenë i vazhdueshëm dhe i mirëpritur nga institucionet e Kosovës dhe vetë TMK-ja. "Nga ministri i Mbrojtjes, përkatësisht nga Qeveria britanike, morëm mbështetjen e plotë për ndihmë në procesin e transformimit të TMK-së në FSK, duke përfshirë këtë mbështetje në trajnimin dhe përgatitjen e kuadrove për institucionin e ri të Kosovës", tha gjeneral Selimi...

KOSOVA SOT
Kampionati Evropian i futbollit, i cili është në prag të përfundimit të tij, i ka ndihmuar shumë ligjvënësit kosovarë, që, pas agjendës së ngjeshur ditore të aktivitetit politik dhe të aktivitetit obligativ në punën nëpër komisione, për amendamentimin e ligjeve, orët e mbrëmjes t'i kalojnë në atmosferë relaksuese, në përcjelljen e ndeshjeve të ndryshme. Madje, ata nuk hezitojnë të japin edhe vlerësimet individuale për ecurinë e deritashme të disa prej ndeshjeve të zhvilluara, por edhe për përfundimin final të kampionatit. Shumë i dhënë pas futbollit thotë të jetë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj. "Jo vetëm si deputet, por si i ri që jam, më intereson së tepërmi sporti, e veçanërisht jam adhurues i denjë i futbollit", tha Zemaj... Jashtë rrjedhave të kampionatit të futbollit nuk është as deputeti i LDD-së, Naser Rugova. "Jam duke e përcjellë me vëmendje kampionatin evropian dhe ndeshjet e fundit kanë qenë të befasishme, sepse, t'ju them të drejtën, po zhvillohet një garë shumë e ashpër dhe me një rivalitet të madh, sidomos kjo do të ashpërsohet edhe më tutje, pas dy ditësh kur pritet të zhvillohet edhe gjysmëfinalja që sigurisht që do të jetë njëra nga gjysmëfinalet me interesante të kampionateve të fundit evropiane", tha deputeti i LDD-së, Naser Rugova...
XS
SM
MD
LG