Ndërlidhjet

Çeku: Qeveria të insistojë në zbatimin e Kushtetutës


Ethem Çeku

Ethem Çeku

"Qeveria e Kosovës duhet të jetë më këmbëngulëse për ta implementuar Kushtetutën, si dhe të sjellë plane konkrete për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës", thotë Ethem Çeku, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Çeku, institucionet e Kosovës kanë premtuar se Kushtetuta do të zbatohet në gjithë territorin, por një gjë e tillë nuk po ndodh, e posaçërisht në veri. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?

ETHEM ÇEKU
Unë besoj që Kushtetuta duhet të implementohet në të gjithë vendin. Për momentin e di se ka vështirësi jo vetëm në veri të Kosovës, por në të gjitha pjesët ku jeton komuniteti serb. Ata nuk e kanë pranuar realitetin e ri të krijuar edhe më herët, mirëpo tani këtë e kemi më të theksuar, posaçërisht pas aprovimit të Kushtetutës në Parlamentin e Kosovës.

Mendoj se kjo është ana e keqe e njërës medalje që po ndodh. Po ashtu, një anë e keqe që po na ndodh është mungesa e ofertës konkrete, e vizionit të institucioneve të Kosovës dhe të Qeverisë së Kosovës, sa i përket asaj se si ta integrojë komunitetin serb në realitetet e reja të krijuara në Kosovë.

Komuniteti serb në Kosovë sikur nga presioni i Serbisë heziton ta pranojë realitetin. Po ashtu, pala serbe dhe institucionet e Serbisë i kanë afruar një pako relativisht të mirë komunitetit serb, do të thotë edhe në aspektin e të ardhurave dhe në shumë drejtime të tjera.

Prandaj, institucionet e Kosovës, në këtë rast Qeveria e Kosovës, duhet të jetë disa herë më shumë e angazhuar, më këmbëngulëse për ta implementuar Kushtetutën, por, në të njëjtën kohë, të sjellë vizion dhe plane konkrete për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës dhe në jetën e Kosovës në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Analistë të ndryshëm thonë se kombinimi i misioneve ndërkombëtare në Kosovë, atij të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, mund të prodhojë krizë. Ju, si mendoni?

ETHEM ÇEKU
Prezenca e institucioneve ndërkombëtare në Kosovë ka qenë e mirëpritur. Unë jam që nga fillimi i jetës institucionale i kyçur, që nga ditët e para të ardhjes së mekanizmave ndërkombëtarë.

Ata kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe duhet t’i falënderojnë qytetarët dhe institucionet e Kosovës për një ndihmë të madhe që kanë dhënë. Mirëpo, tani sikur janë ngatërruar punët, sikur kemi një dualizëm të veprimeve. Kam frikë se ky dualizëm i veprimeve do të stopojë shumë nga proceset, sepse do të barten ende lojërat e ndryshme për përgjegjësi.

Do të thotë, jeta institucionale me dy-tri pozicione vendimmarrëse apo me dy-tre akterë vendimmarrës gjithmonë ka sjellë dhe ka prodhuar kriza, prolongime, ndalimin e proceseve.

Unë shoh se këtu mund të kemi një vështirësi tepër të madhe, sa i përket këtyre dy institucioneve, edhe EULEX-it, edhe Rezolutës, që në njëfarë forme ende po ruhet në një Kosovë, edhe pse në aspektin numerik është shumë e vogël, mirëpo ato janë anë formale; nuk çon peshë ajo, por po ruhet një rezolutë 1244.

Mendoj se kjo do të sjellë deri te prodhimi i vështirësive. Edhe kështu jeta është e vështirësuar në Kosovë, në aspektin ekonomik, në aspektin social, në aspektin e mangësisë së zhvillimeve ekonomike; do të thotë, kriza të mëdha ekonomike dhe sociale.

RADIO EVROPA E LIRË
A parashikoni ju ndonjë rrezik të ndarjes së Kosovës?

ETHEM ÇEKU
Në fakt, ne tani kemi një lloj ndarjeje të Kosovës. Kushtetuta e Kosovës dhe institucionet e Kosovës nuk janë duke shtrirë ndikimin e vet në gjithë Kosovën. Janë diku mbi 20 për qind e territorit, ku Kosova dhe institucionet e Kosovës nuk kanë
Në fakt, ne tani kemi një lloj ndarjeje të Kosovës. Kushtetuta e Kosovës dhe institucionet e Kosovës nuk janë duke shtrirë ndikimin e vet në gjithë Kosovën. Janë diku mbi 20 për qind e territorit, ku institucionet e Kosovës nuk kanë qasje.
qasje. Dhe, atje po krijohet gradualisht një realitet.

Realiteti i ri i krijuar në terren dikton edhe shumëçka tjetër. Prandaj, ne kemi një situatë, e cila në aspektin e jashtëm ndërkombëtar - kufijtë e Kosovës janë të pacenueshëm dhe të mbrojtur - mirëpo, në aspektin e brendshëm, kemi një situatë, e cila nënkupton një lloj enklavizimi të Kosovës, një lloj ndarjeje territoriale të Kosovës, një lloj administrate të veçantë.

Tani kemi administratën në arsim të veçantë dhe në shumë fusha të tjera; në ekonomi po ashtu të veçantë. Nuk na funksionon sistemin doganor, nuk na funksionon sistemi policor në ato zona, të cilat janë të kontrolluara nga serbët dhe kjo është një e metë e madhe e politikës kosovare në përgjithësi dhe konkretisht e institucioneve ndërkombëtare, sepse nuk i eliminuan strukturat paralele.

Këto struktura paralele nuk u krijuan vetëm pas 17-shit; janë struktura paralele edhe më herët, të cilat gradualisht po e ndërtojnë jetën në Kosovë. Unë kam qenë nga ato ministrat që jam ballafaquar me këto struktura paralele dhe me koston që reflektojnë këto struktura paralele në koston ekonomike, në koston e Kosovës dhe në shumë fusha të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të flasim pak edhe për çështjet energjetike në Kosovë. Gjendja energjetike vazhdon të jetë ende e rëndë. Pasi që kenë qenë ministër, a mendoni se ka hapësirë për përmirësime?

ETHEM ÇEKU
Absolutisht. Sektori energjetik ka qenë një ndër sektorët më të vështirë. Në bëmë progres ekonomik në sektorin e energjisë. Nxorëm energjinë nga një ide që ishte se duhet të mbahet nga donatorët dhe e kthyem në idenë e fillimit të proceseve të reja ndërtimore.

Mirëpo, qeveria aktuale tanimë nuk i vazhdon ato politika. Ka stagnuar tërësisht dhe mendoj se është duke e kthyer procesin e energjetikës në vitet ’99, në vitet kur vetëm buxheti i Kosovës dhe donatorët e kanë mbajtur energjetikën.

Mendoj se me këto politika që është duke i bërë kjo qeveri, buxheti i Kosovës, në vitin 2010, duhet të dedikohet tërësisht për blerjen e energjisë nga kompanitë ndërkombëtare. Kjo është një politikë krejtësisht e gabuar e qeverisë në fushën e energjisë.

Qeveritarët e sotëm, për shkak të raporteve që i kanë acaruar me punëtorë dhe për shkak të grevave të vazhdueshme dhe të pakënaqësive që kanë sjellë, nuk janë në gjendje ta mbajnë as gjendjen e prodhimit aktual. Nuk e kanë shtuar inkasimin.

Prandaj, problemi i fushës së energjetikës në Kosovë është një problem shumëdimensional dhe kërkon shumë angazhim, shumë punë. Kjo qeveri, tani për tani, nuk është e gatshme të ballafaqohet me këto probleme.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni ngrirjen e çështjes së ndërtimit të termocentralit ‘Kosova C’?

ETHEM ÇEKU
Është diçka më e keqja e mundshme që e ka bërë qeveria aktuale. Unë e kuptoj se një qeverie të re i nevojitet kohë për t’u informuar, por nuk kam menduar se kësaj qeverie i nevojiten mbi gjashtë muaj kohë për t’u edukuar. Dhe, si mund të thuhet se nuk kemi pasur informacione, kur qeveria praktikisht vetëm në kampanjën elektorale ka plasuar ide për furnizim me energji elektrike 24 orë.

Mendoj se kjo që ka bërë qeveria është stopim i procesit të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ka bërë që të shpenzohet i
Qeveria ka ndërprerë projektin ‘Kosova C’, i cili duhej t’i sillte Kosovës disa qindra miliona euro të hyra buxhetore të drejtpërdrejta, që siguronte disa mijë vende të reja pune, që siguronte 24 orë energji elektrike.
gjithë buxheti me blerjen e energjisë elektrike. Ka ndërprerë projektin ‘Kosova C’, i cili duhej t’i sillte Kosovës disa qindra miliona euro të hyra buxhetore të drejtpërdrejta, që siguronte disa mijë vende të reja pune, që siguronte 24 orë energji elektrike, që u siguronte qytetarëve një çmim shumë më të mirë të furnizimit me energji elektrike.

Mendoj që gabimi kardinal i kësaj qeverie dhe i kësaj politike qeveritare është në fushën e ekonomisë, konkretisht në fushën e energjisë dhe minierave.

Në dy sektorët ku Kosova është e zonja të bëhet një vend i rëndësishëm në Evropën Juglindore dhe të konkurrojë në tregjet evropiane dhe zëri i saj t’i kalojë caqet e Kosovës dhe të hyjë në caqet ndërkombëtare, ajo të dy këto sektorë i ka lënë pas dore dhe është duke u marrë më tepër vetëm me çështjet që ajo i sheh si prioritet.

Kjo qeveri tani ka politika të tjera, që mendoj, e them edhe njëherë, se janë krejtësisht të gabuara dhe do ta sjellin Kosovën në një situatë të varfër në aspektin ekonomik.

Këta po i shpenzojnë tani buxhetet që ne i kemi grumbulluar, qytetarët e Kosovës. Mirëpo, do ta shohim se si do të dinë ta grumbullojnë buxhetin në vitet e ardhshme. Prandaj, them që politikat zhvillimore të kësaj qeverie janë të dështuara tërësisht.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG