Ndërlidhjet

Kosova e gatshme për të paguar borxhin e jashtëm


Zyrtarë të qeverisë dhe ekspertë për çështje ekonomike thonë se institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme të marrin përsipër shlyerjen e borxhit deri në vitin 1999.

Edhe pse shifrat zyrtare të borxhit deri më tani mungojnë, Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave, thotë se Kosova do ta shlyejë pjesën e vet të borxhit, nëse ato kredi janë shfrytëzuar në Kosovë.

“Dua të konfirmoj se Kosova ka shprehur gatishmërinë e saj për të qenë partner serioz me të gjitha institucionet ndërkombëtare, për çfarëdo obligimi që shoqëria kosovare, në mënyrë legjitime dhe transparente, ka pasur ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare dhe institucioneve tjera bilaterale, nëse vërtetohet se ato para kanë shërbyer për të mirën e popullit të Kosovës”, thotë ministri Shala.

Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se borxhi ndërkombëtar arrin deri në një miliard dollarë. Eksperti Bedri Selmani thotë se ky borxh duhet të riprogramohet. Sipas tij, institucionet financiare ndërkombëtare duhet të bëjnë përpjekje që kamatat e borxhit të mos jenë të vlefshme.

“Duhet të merren parasysh që të gjitha kamatat që kanë rrjedhur gjatë këtyre 18 vjetëve - prej viteve të ‘90-ta fare nuk është paguar ose është paguar fare pak - të fshihen dhe të mos jenë të vlefshme. Besoj se institucionet ndërkombëtare do të na ndihmojnë në këtë drejtim”, shprehet Selmani.

Megjithatë, ai thotë se Kosova duhet t’i pranojë borxhet vetëm pasi të verifikojë se ato fonde janë investuar në Kosovë. Kjo mund të bëhet duke verifikuar dokumentacionin origjinal të kredive që gjendet në Beograd.

“Këto borxhe kanë të bëjnë më investimet publike dhe investimet tjera që janë bërë në Trepçë, pastaj për infrastrukturën rrugore dhe për shumë investime tjera që janë bërë gjatë periudhës së kaluar. Prandaj, në ketë drejtim, duhet patjetër që gjatë muajve të ardhshëm të flitet në mënyrë më konkrete, të bëhen takime me Klubin e Parisit, që të bëhet marrëveshja për fillimin e kryerjes së obligimeve”, tha Selmani.

Por, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, shpreson se organizatat e huaja financiare do të marrin parasysh gjendjen e rëndë ekonomike në vend.

“Jam i sigurt se miqtë tanë do të kenë mirëkuptim për të biseduar miqësisht dhe njerëzisht për të tejkaluar çfarëdo sfide që ka Kosova”, tha Shala.

Ndryshe, Kosova, nuk është ligjërisht nënshkruese e këtyre kredive dhe si e tillë asnjë pjesë e borxhit nuk mund t’i transferohet automatikisht. Nënshkruese e borxhit ka qenë Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe pasardhëset e saj. Zgjidhja e këtij problemi ndërkaq është paraparë në pakon e Ahtisaarit.

XS
SM
MD
LG