Ndërlidhjet

"UNMIK-u sërish do të forcohet?"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ka kërkuar të mërkurën nga strukturat përgjegjëse për siguri në veri, që të marrin masa për të mos lejuar tensionimin e gjendjes me rastin e 28 qershorit, kur serbët kanë paralajmëruar themelimin e kuvendit të tyre në Kosovë. Në takimin e Komitetit për Siguri, ai ka thënë se ka mundësi që gjendja të tensionohet, meqë në këtë datë pritet edhe një fluks i qytetarëve nga Serbia, të cilët festojnë Vidovdanin, prandaj strukturat e sigurisë duhet që në hyrjet kufitare në kufi me Serbinë, sidomos në pikat 1 dhe 31, të kontrollojnë dhe legjitimojnë secilin që hyn në Kosovë. Ai edhe një herë ka përsëritur se një kuvend i serbëve në Kosovë nuk ka kurrfarë vlere juridike dhe është ilegal, për të cilin ka ndasi edhe ndërmjet vetë komunitetit serb, ku një pjesë e mirë e lidershipit është kundër një krijese të tillë ilegale. Megjithatë, ai ka thënë se ne duhet të vazhdojmë të vetëpërmbahemi dhe të mos provokohemi dhe njëkohësisht t'i injorojmë këto gjëra që nuk përkojnë me realitetin në vend...

BOTA SOT
Hiq vrasjet dhe aktet tjera makabre që i kanë bërë para, gjatë dhe pas luftës, ekstremistët serbë, të mërkurën, ua kanë bërë edhe provokimin më të rëndë shqiptarëve të Lagjes së Boshnjakëve, në veri të Mitrovicës. Mu në mjedis të shtëpive shqiptare, në një shtëpi të blerë po nga shqiptarët, strukturat paralele serbe kanë hapur komunën e tyre, në të cilën kanë vënë edhe mbishkrimin “Republika e Serbisë, Kuvendi i Komunës, Mitrovica e Kosovës”. Në këtë ndërtesë pra është vendosur administrata paralele serbe, që e ka formuar përbërja e kuvendit që ka dalë nga zgjedhjet ilegale, që Serbia i organizoi edhe në Kosovë, më 11 maj të këtij viti. Dhe, në mesin e mijëra ndërtesave, ekstremistët serbë kanë vendosur që komunën e tyre ta funksionalizojnë mu në lagjen e banuar me shumicë shqiptare, me të vetmi qëllim që të bëjnë presion tek shqiptarët për t’i leshura pronat e tyre dhe për t’u zhvendosur në pjesën jugore të qytetit...

ZËRI
Vonesa në qartësimin e instruksioneve të Ban Ki-Munit për Prishtinën e Brukselin, duket që mund të sjellë disa revidime në qëndrimet e tij tashmë të artikuluara në Letrat dërguar kryetarit të Kosovës dhe atij të Serbisë, dhe në raportin e tij për gjendjen aktuale në Kosovë, të cilin e ka përgatitur për KS të OKB-së. Kështu, sipas të gjitha gjasave, është vënë nën pikëpyetje Memorandumi i mirëkuptimit në mes të OKB-së dhe BE-së. Pastaj, bazuar së paku në burimet diplomatike perëndimore të afërta me kreun e OKB-së, në Zyrën e Ban Ki-Munit, në Nju Jork, po mendohet që megjithatë, PSSP të ketë një rol më të fortë sesa që ishte paraparë me Propozimin e mëhershëm të rikonfigurimit të UNMIK-ut... Tani duket që Zanier mund t'i ruajë disa prej kompetencave që deri vonë i ka ushtruar Joakim Ryker, shefi i UNMIK-ut në periudhën 2006-2008. Zanier do ta ketë edhe zëvendësin e tij të parë, edhe pse ky post ishte planifikuar të shuhet. Sipas burimeve diplomatike perëndimore në Prishtinë, kandidati më serioz për ta marrë këtë pozitë që gjithmonë i ka takuar diplomacisë amerikane është Riçard Vilkoks, shefi i Zyrës së UNMIK-ut në Beograd, i cili u bë i njohur në opinionin kosovar me bisedimet e tij konfidenciale me dy ministrat në Qeverinë e Serbisë të kryeministrit Vojisllav Koshtunica, Sllobodan Samarxhiqin dhe Vuk Jeremiqin...

LAJM
Asnjë njohje e re që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës. Ndonëse, llogaritej se me fuqizimin e aktit më të lartë do të shtohej edhe ritmi i njohjes së Kosovës, kryesisht nga vendet, të cilat këtë akt e kushtëzonin me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjeve të Ahtisaarit. Që nga 13 qershori, kur Kosova u njoh nga Sierra-Leone, asnjë njohje e re nuk është bërë. 16 qershori nuk solli asgjë të re. Shtetet që hamendeshin dhe pritnin Kushtetutën dhe ligjet e Ahtisaarit ende nuk kanë lëvizur në ketë drejtim. Kështu, Kosova rrezikon të aplikojë për anëtarësim në OKB në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme që mbahet në vjeshtë, pasi për këtë nevojitet një numër i konsiderueshëm njohjesh, diku rreth 100 sosh. "Nuk besoj që Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në OKB në këtë sesion, sepse numri i vendeve që na kanë njohur është shumë i vogël. Por, çështja është nëse sponsoruesit më të mëdhenj të pavarësisë, SHBA-të dhe Britania, do të jenë të gatshëm të sponsorojnë në Asamblenë e Përgjithshme, që Kosova të marrë përkrahje për njohje", thotë për "Lajm", Ilirjana Islami, profesoreshë e së Drejtës ndërkombëtare publike në UP...

KOSOVA SOT
Formimi i komunës veriore të Mitrovicës, por edhe reforma e tërësishme e pushtetit lokal do të bëhet në pajtim të plotë më planin e Ahtisaarit. Kjo ka qenë deklarata e dalë nga presidenti Fatmir Sejdiu, në një takim të organizuar nga ministri Sadri Ferati me kryetarë të komunave, me ç'rast u shënua hyrja në fuqi e ligjeve që lidhen me pushtetin lokal. Presidenti Sejdiu tha se Kosova mund të qeverisë vetveten, duke dëshmuar gjithnjë potencialet e saj që ka për të arritur objektivat e një qeverisjeje të mirë në dobi të qytetarëve të saj dhe për të mbajtur stabilitet qeverisës dhe politik. "Ligjet janë harmonizuar në frymën e përgjithshme me Kushtetutën dhe Pakon e Ahtisaarit dhe dokumentet ndërkombëtare. Kemi edhe ligjin e qeverisjes lokale, i cili është harmonizuar, është në frymën e përgjithshme edhe të legjislacionit të Kosovës. Kërkohet që të bëjmë planifikimin e mirë të realizimit të këtij ligji dhe të tjerëve dhe të kemi një koordinim të mirë dhe të plotë me gjithë qytetarët", tha Sejdiu...

KOHA DITORE
Shefi i ri i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka përjashtuar mundësinë që t'i përgjigjet urdhrave të kujtdo tjetër përpos atyre që merr nga zinxhiri komandues i Kombeve të Bashkuara. Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kreu i Misionit të OKB-së në Kosovë ka sqaruar se çmon atë që "ka thënë" presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në takimin e parë zyrtar, por që kjo gjë, sipas fjalëve të Lamberto Zannier, mbetet dëshirë. "Marrëdhëniet, të cilat jemi duke i ndërtuar nuk janë të tilla që të presim urdhra nga njëri- tjetri. E marr parasysh dhe e respektoj shumë atë që presidenti (Sejdiu) më ka thënë kur u takuam. E kam përcjellë atë që më tha në Nju Jork. Mandati im rrjedh nga Këshilli i Sigurimit, udhëzimet i kam nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, andaj ky është zinxhiri komandues", ka thënë Zannier. Përgjigjja e tij ndërkaq vjen pas një kufizimi kohor që presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar t'i ketë paraqitur sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, për qëndrimin e UNMIK-ut në Kosovë, e që, sipas tij, ky afat do të jetë "shumë i shkurtër, absolutisht shumë i shkurtër, që të nënkuptojë vetëm disa muaj". Por, në atë takim me presidentin Sejdiu, Lamberto Zannier nuk ka komentuar fare për çështjen se a mund të vendosë çfarëdo autoriteti në Kosovë për largimin e UNMIK-ut nga Kosova...

EXPRESS
Dy partitë e koalicionit PDK dhe LDK mund ta sfidojnë partneritetin e tyre kur të nisin bisedimet për formimin e Ministrisë së Integrimeve, krijimin e të cilës është duke e shtyrë partia më e madhe në vend. Aktualisht këto dy parti kanë telashe rreth afatit kohor për formimin e dikasterit më të ri të Qeverisë së Kosovës, përderisa mospajtimet ekzistojnë edhe rreth nevojës ose jo të kësaj ministrie teksa ekziston ajo e Punëve të Jashtme. PDK, që e do atë ministri për vete, krijimin e saj është duke e trajtuar gati si çështje urgjente, ndërsa LDK nuk duket e disponuar të flasë. Këtë nxitim të PDK-së dikush e sheh si një përpjekje të saj për ta zbehur dhe për t'i bërë rivalitet Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila i takon LDK-së. Kujt do t'i takoje kjo ministri? Aktualisht debati nuk duket të jetë i fokusuar në këtë çështje. Lidhja Demokratike e Kosovës është befasuar për shkak të hapit të partnerit të saj, PDK, e cila kërkon themelimin e kësaj ministrie qysh në fillim të korrikut...

INFOPRESS
Kuvendi (i Kosovës) nuk reagon për kuvendin paralel serb. Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, ka thënë se kjo është vetëm një jehonë trembëse e serbëve, të cilët përpiqen ta frikësojnë si faktorin ndërkombëtar, ashtu edhe faktorin vendor. Ai ka thënë se ato nuk do të kenë kurrfarë efekti, ngase janë të papranueshëm si me legjislacionin e Kosovës, ashtu edhe për faktorin ndërkombëtar. Njëjtë ka thënë edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kur ka kritikuar organizmat ndërkombëtarë, UNMIK-un dhe EULEX-in, për pengimin e shtrirjes së Kushtetutës edhe në pjesën veriore. Edhe Krasniqi ka thënë se institucionet paralele nuk janë pranuar as nga administrata ndërkombëtare dhe as nga ajo vendore, andaj edhe janë ilegale dhe të papranueshme. Megjithatë, Kuvendi si organi më i lartë i vendit ende nuk ka reaguar si institucion, duke kundërshtuar me ndonjë deklaratë apo rezolutë formimin e institucioneve paralele serbe, sikur qe nuk ka kërkuar shtrirjen e tërësishme të Kushtetutës në tërë territorin e Kosovës, edhe në veri të Mitrovicës...
XS
SM
MD
LG