Ndërlidhjet

BE-Rusi diskutojnë partneritetin strategjik

  • Chloe Arnold

Presidenti rus Medvedev

Presidenti rus Medvedev

Rusia dëshiron t'i përdorë kushtet aktuale që të zgjerojë ndikimin ekonomik në Evropë. Veç retorikës më të zbutur të Medvedevit, nuk do të ndryshojë asgjë në politikën ruse ndaj BE-së.




Jo rastësisht, energjia dhe siguria janë temat kyçe të takimit Rusi-Bashkimi Evropian, i pari që nga ardhja në pushtet e presidentit rus Medvedev. Edhe vetë takimi mbahet në një qytezë të Siberisë, të njohur për rezervat e naftës.

Bashkimi Evropian kërkon garanci se Moska nuk do t'i përdorë burimet e saj energjitike si mjet presioni ndaj vendeve fqinje, siç edhe ka ndodhur në të shkuarën.

"Bashkimi Evropian dëshiron të dëgjojë garanci më të forta nga Rusia lidhur me besueshmërinë e saj në furnizimin me energji. Kjo përbën shqetësim për Bashkimin Evropian pasi kërcënon konceptin evropian të sigurisë energjitike. Çështjet e energjisë në përgjithësi kanë shkaktuar ndarje mes BE-së dhe Rusisë", thotë për Radion Evropa e Lirë, Jevgeni Volk, drejtor i Fondacionit Heritage në Moskë.

Ai shton se Rusia nga ana e saj dëshiron ta përdorë fuqinë e burimeve energjitike për t'u shtrirë në perëndim.

"Rusia dëshiron të përdorë kushtet aktuale, të favorshme për të, që të zgjerojë ndikimin ekonomik në Evropë dhe të përfitojë qasje sa më fitimprurëse në fushën e energjisë, përfshirë projektet e infrastrukturës energjitike, siç janë gaz dhe naftësjellësat apo rafineritë", thotë Volk.

Por, në një intervistë të dhënë pak ditë para takimit BE-Rusi, presidenti rus Medvedev tha se nuk dëshiron që bisedimet e kësaj radhe të merren shumë me detajet.

"Duhet të jetë një dokument serioz dhe jo i ngarkuar me detaje. Duhet të jetë një kornizë konstruktive që do të na lejojë të shohim zhvillimet kryesore në vitet që vijnë. Kjo është përparësia jonë gjatë takimit", tha Medvedev.

Ekziston shpresa që takimi të përmirësojë raportet mes Moskës e Brukselit, të cilat kanë qenë të tensionuara gjatë presidencës së Vladimir Putinit. Ky i fundit e ka bërë të qartë se kundërshton hyrjen e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, vende fqinje me Rusinë, në strukturat evropiane.

Por, i dërguari rus në Bashkimin Evropian është përpjekur t'i zbusë dallimet e së shkuarës së afërt në prag të takimit.
Çizhov tha se "raportet BE-Rusi kanë vuajtur nga keqkonceptimet në të dyja anët".

Por, Volk, nga fondacioni Heritage në Moskë, tërheq vërejtjen se ndonëse qasja e Medvedvit mund të jetë e ndryshme, mesazhet do jenë të njëjta me ato të paraardhësit të tij.

"Nuk shoh se do të ndryshojë shumëçka në politikën ruse ndaj Bashkimit Evropian. Ndoshta retorika e Medvedvit është pak më ndryshe nga ajo e Putinit; le të themi Mevedevi është pak më i qytetëruar. Sa i përket politikës, asgjë nuk do të ndryshojë nga e shkuara", tha Volk për Radion Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG