Ndërlidhjet

SHPK: Nuk do të tolerohet asnjë provokim


Shërbimi Policor i Kosovës - Qendra në Prishtinë.

Shërbimi Policor i Kosovës - Qendra në Prishtinë.

Pjesëtarët e SHPK-së kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të pasur nën kontroll situatën e sigurisë në prag të 28 qershorit, që tek serbët njihet si dita e Vidovdanit dhe shënohet në Gazimestan, afër Prishtinës. Zyrtarët e SHPK-së bëjnë të ditur se do të reagojnë ndaj çfarëdo provokimi të mundshëm.

Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të pasur nën kontroll situatën e sigurisë në prag të 28 qershorit, datë kjo e cila këtë vit shënon përvjetorin e 619-të të Betejës së Kosovës midis serbëve dhe Perandorisë otomane.

Veton Elshani, zëdhënës i policisë, thotë se një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të SHPK-së do të jetë në vëzhgim të manifestimeve që do të bëhen të shtunën.

“Shërbimi Policor i Kosovës, si zakonisht në afrim të çfarëdo date që është e rëndësishme për Kosovën, përgatit plane operative. Është e vërtetë që ne kemi përgatitur planin operativ ‘Vidovdani 2008’, i cili ndryshon shumë pak nga plani që ka qenë edhe vitin e kaluar”.

“Ajo që dua të theksoj është se qytetarët që vijnë nga Serbia, në asnjë moment nuk do të ndalohen që të hyjnë në Kosovë dhe të vizitojnë Gazimestanin apo Graçanicën. Nga Mitrovica e veriut deri në Gazimestan, qarkullimi i tyre do të jetë me autobus. Do të thotë, nuk do të lejohet që ata të vijnë në këmbë dhe të marshojnë, për shkak të sigurisë që mbizotëron në Kosovë”, tha Elshani.

Ai pohon se policia e Kosovës do t’i arrestojë të gjithë ata persona, të cilët tentojnë të bëjnë ndonjë provokim.

“SHPK-ja nuk do të lejojë asnjë provokim. Organizata e Car Lazarit është organizatë ilegale dhe vazhdon të mbetet e tillë. Kështu që çfarëdo provokimi që do të shihet nga njerëzit, ai nuk do të tolerohet”.

“Kjo do të thotë që nëse rastësisht kemi për shembull persona që kanë bluza me mbishkrime të Car Lazarit ose me mbishkrime që mund të shkaktojnë provokim, atëherë SHPK-ja do të marrë masa që ato të largohen nga autobusi dhe të mos provokohet popullata”,
tha Elshani.

Ndërsa, sa i përket paralajmërimeve të themelimit të një parlamenti serb në veri të Mitrovicës, zoti Elshani ka thënë se çështjet e tilla janë politike. Por, ai shton se për çfarëdo kërkese që vjen nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të reaguar, SHPK-ja do të jetë e gatshme.

Nga ana tjetër, edhe Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se ministria ka kërkuar nga SHPK-ja që gjatë këtyre ditëve, organet e rendit të jenë edhe më vigjilente në përcjelljen e situatës së sigurisë.

“Prej fillimit, prej kur është hartuar plani i statusit, i cili ende është në fuqi, kemi kërkuar nga policia e Kosovës të ngrejë nivelin e përgjegjësive dhe angazhimeve, të jenë vigjilentë dhe ta përcjellin këtë situatë me kujdesin më të madh”, theksoi Rexhepi.

28 qershori këtë vit shënon përvjetorin e 619-të të Betejës së Kosovës. Kjo datë në histori tradicionalisht shënohet në Gazimestan afër Prishtinës dhe tek serbët njihet si dita e Vidovdanit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG