Ndërlidhjet

Prishtina e rezervuar ndaj hetimeve për trafikimin e organeve


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kërkojnë që të mos ketë politizim rreth akuzave të ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, se kinse luftëtarët shqiptarë i kanë vrarë disa dhjetëra serbë dhe i kanë shitur organet e tyre gjatë luftës.


Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës vazhdojnë t’i konsiderojnë të pavërteta akuzat që kinse pjesëtarët e UÇK-së kanë qenë të përfshirë në trafikun e organeve të dhjetëra të burgosurve serbë gjatë luftës.

Ndërkohë, qeveria ende nuk ka marrë ndonjë qëndrim rreth vendimit të Këshillit të Evropës për dërgimin në Kosovë të senatorit zviceran, Dick Marty, për të hetuar dhe më pas përpiluar një raport për këtë çështje. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, kërkon që kjo çështje të mos politizohet.

“Mendoj se për këtë çështje do të duhej të merreshin institucionet përkatëse hetimore. Vendimi i Këshillit të Evropës ndoshta është marrë për shkak të influencës së ndonjë shteti apo vendi. Sido që të jetë, do të shohim diçka më konkrete se si do të jetë kjo”.

“Duhet çmuar interesimi i deputetëve evropianë për t’u marrë me këtë çështje, por assesi që këto çështje t’i trajtojmë politikisht, nga kushdo qofshin ato. Me këtë çështje duhet të merren institucionet përkatëse hetimore”, tha Zenun Pajaziti.

Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi kërkesën e një grupi prej 17 parlamentarëve, që ky këshill të nisë hetime rreth akuzave të Del Pontes, të bëra në librin e saj “Gjahu”.

Prishtina zyrtare ka hedhur poshtë akuzat e Del Pontes, duke konsideruar se po të kishte ndonjë në të vërtetë, ajo vetë do t’i përfshinte këto në aktakuzat që i ka bërë kundër pjesëtarëve të UÇK-së në kohën sa ka qenë kryeprokurore e Tribunalit të Hagës.

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, dyshon se Këshilli i Evropës do të mbajë qëndrim të paanshëm gjatë përpilimit të këtij raporti.

Për ne është gënjeshtër ordinere, por meqë institucionet e Kosovës po heshtin, është lejuar një hapësirë që të implikohet Këshilli i Evropës. Kur kihet parasysh fakti se KE ka një qëndrim refuzues ndaj pavarësisë së Kosovës, atëherë ne mendojmë se këtu do ketë probleme dhe po bëhen përpjekje për t’u zhvendosur problemi nga pozicionet reale në ato imagjinare”, tha Shala.

Ndryshe, kohë më parë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se pohimet e zonjës Del Ponte, për trafikimin e organeve të të rrëmbyerve serbë të Kosovës, janë "frustruese, qëllimkëqija dhe tendencioze" dhe kanë për qëllim ta dëmtojnë imazhin e Kosovës pas pavarësisë.

Akuzat i ka hedhur poshtë edhe ish-bashkëpunëtorja e afërt e Del Pontes, Florence Hartman, duke i cilësuar si të papërgjegjshme dhe jodinjitoze. Ministri Zenun Pajaziti shfaq shqetësimin se Këshilli i Evropës po synon të hetojë akuza të pabaza.

“Mendoj se dyshimet e bazuara të saj, nëse janë të një institucioni përkatës, duhet të trajtohen me aktivitetet përkatëse hetimore. Del Ponte do të ishte mirë që të merrej me këto çështje sa ka qenë në detyrë”.

“Këto çështje tashmë nuk po i ngrit Gjykata e Hagës, por deklarata e Del Pontes. Kështu që janë shqetësuese, sepse ne konsiderojmë se një gjë e tillë as që ka ndodhur dhe as që është përmendur dhe askush në Kosovë nuk ka dëgjuar akuza të tilla, përpos nga Del Ponte”, tha Pajaziti.

Javë më parë, Human Right Watch ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës të hetojnë pretendimet e ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës.

Ndërkohë, Qemal Minzhozi, deputet i zonës së Matit në Kuvendin e Shqipërisë, zonë ku Del Ponte pretendon se janë kryer krimet, ka deklaruar se ka ngritur një padi penale kundër Del Pontes, e cila do të drejtohet nga një zyrë ligjore në Zvicër. Edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulëzim Basha, ka thënë se akuzat e Del Pontes janë të pavërteta dhe me absurditete.
XS
SM
MD
LG