Ndërlidhjet

Viktimat e torturës nuk mbrohen në mënyrë ligjore?


Në Ditën Ndërkombëtare në Përkrahje të Viktimave, organizatat joqeveritare që merren me këtë çështje kanë theksuar mangësitë ligjore dhe institucionale për trajtimin dhe parandalimin e rasteve të torturës në Kosovë.

Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tha se në Kosovë më shumë se gjysmë milioni njerëz vuajnë nga lloje të ndryshme të torturës. Sipas saj, mbi 23 për qind e popullatës vuajnë nga çrregullimet e stresit post-traumatik, ndërkaq 43 për qind nga depresioni.

Për këtë arsye, thotë ajo, nevojitet infrastrukturë e duhur ligjore, duke u përqendruar, siç thotë, në përmirësimin e strategjisë dhe planit nacional të veprimit për të drejtat e njeriut në Kosovë 2008-2011.

“Ky dokument, i cili është në prag të miratimit nga ana e institucioneve shtetërore, ka nevojë për një revidim të menjëhershëm kur bëhet fjalë për të drejtat e të mbijetuarve të torturës".

"Mirëpo, edhe kundër angazhimeve të vazhdueshme të qendrës, mungon përkujdesja institucionale, edhe pas kaq vitesh pas përfundimit të luftës. Të mbijetuarit e torturës vazhdojnë të ndihen të izoluar, të frikësuar, të heshtur, të anashkaluar dhe të lënë anash nga institucionet”, tha Rushiti.

Lulëzim Mjeku, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ndërkaq pohon se Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka krijuar mekanizma institucionalë dhe ligjorë, në mënyrë që të mbijetuarit nga shkeljet e të drejtave të njeriut të gëzojnë përkrahjen e nevojshme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron veten trashëgimtare të normave universale ligjore të njerëzimit të qytetëruar. Qeveria beson dhe është e bindur se respektimi i jetës, i pronës dhe i së vërtetës, janë vlerat kulmore të njerëzimit”, u shpreh Mjeku.

Ndryshe, veprimtari Adem Demaçi vlerësoi se në Kosovë ende vazhdojnë torturat, por, siç thotë ai, vetëm në forma të ndryshme.

“Edhe për ne po vazhdon ende tortura në forma të tjera, jo më në formën fizike, por vazhdon tortura duke na detyruar të pranojmë programe, projekte, të cilat janë jo të përshtatshme e jo të drejta për popullin tonë”, thotë Demaçi.

Sidoqoftë, sipas Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, në të shumtën e rasteve, njerëzit trauma kanë përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
XS
SM
MD
LG