Ndërlidhjet

Fillon rikonfigurimi i UNMIK-ut


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Kreu i OKB-së, Ban Ki Moon, i ka dhënë lejen shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, që të fillojë me procesin e rikonfigurimit të UNMIK-ut, që do zgjasë deri në fund të tetorit. Këtë vendim, Zannier ia transmetoi dhe presidentit Fatmir Sejdiu, i cili tha se ky plan ka nevojë për konsultime shtesë.

Shefi i administratës së UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ka marrë dritën jeshile nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, për fillimin e rikonfigurimit të UNMIK-ut.

Këtë vendim, Zannier ia ka transmetuar presidentit Fatmir Sejdiu. Zannier tha se procesi i ristrukturimit të UNMIK-ut do të sjellë si rezultat ndryshime të theksuara në strukturën aktuale të kësaj administrate.

“Ristrukturimi do të rezultojë me një reduktim substancial të UNMIK-ut, ndryshimin e rolit në harmoni me realitetin e ri dhe me akterët e rinj që do të përfshihen në Kosovë”, tha Zannier.

Ai tha se ka filluar ta përgatisë këtë proces, duke analizuar fushat e përgjegjësive, të cilat UNMIK-u duhet t’ua lë në kompetencë tash e tutje qoftë kosovarëve apo misionit të EULEX-it. Por, siç tha Zannier, një pjesë të përgjegjësive, UNMIK-u do të vazhdojë ta ruajë për vete.

Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu tha se rikonfigurimi i UNMIK-ut është një proces që kërkon të shqyrtohet edhe më tutje. Sejdiu pati kërkuar që UNMIK-u me vjeshtën e këtij viti të largohet nga Kosova, por një gjë e tillë nuk parashihet ende në planet e Sekretarit të Përgjithshëm.

“Atë mund ta quajmë proces të rikonfigurimit që do të ketë UNMIK-u në Kosovë, për të cilin do të ketë nevojë të komunikimit edhe më tutje. Një gjë mund ta them është se Kosova mbetet me përkushtimin e bashkëpunimit të mirë me mekanizmat ndërkombëtarë, edhe me OKB-në, në këtë rast edhe me EULEX-in dhe ICO-në, të cilat i quajmë pjesë të mbështetjes për të nxitur zhvillimin edhe të brendshëm ekonomik, edhe të aspektit të ecjes së saj në planin ndërkombëtar”,
u shpreh Sejdiu.

Rikonfigurimi i vonuar i UNMIK-ut dhe vonesa në shtrirjen e EULEX-it në anën tjetër, po shfrytëzohet nga Beogradi që t’i forcojë edhe më tepër strukturat paralele në Kosovë.

Pas formimit të kuvendeve paralele komunale, serbët, me mbështetjen e Beogradit, më 28 qershor, në veri të Kosovës, pritet ta themelojnë dhe një kuvend të bashkësisë së komunave serbe, si organi më i lartë përfaqësues në hierarkinë e organeve paralele.

Ky organ paralel u cilësua nga Sejdiu si i papranueshëm dhe ilegal.

“Mund te them se janë struktura ilegale dhe të papranueshme për institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare. Dhe, e dyta, dihet përpjekja e tyre për të destabilizuar Kosovën. Unë mendoj se qytetarët e Kosovës kanë parasysh këtë qasje që e ka një pjesë e serbëve dhe të mbesin në vizionin e ecjes së zhvillimeve që kemi pasur deri më tani, për të mbajtur stabilitetin e vendit”, tha Sejdiu

Ndërkohë, për shefin e UNMIK-ut, kuvendi serb është një organ më shumë simbolik, sesa që mund të ketë ndonjë funksion, dhe nuk do të mund të ndikojë në ndryshimin e realitetit në këtë pjesë të Kosovës.

“Planifikoj të shkoj së shpejti në veri të Kosovës, por kam një agjendë shumë të ngarkuar. Sidoqoftë, do të shkoj atje të flas me njerëzit dhe besoj se do ta lëvizim gjendjen përpara, ngase injorimi i gjendjes ekzistuese nuk është zgjidhje”, theksoi Zannier.

Në anën tjetër, opozita u bën thirrje institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare që të dalin me plane konkrete për veriun e Kosovës dhe integrimin e pakicës serbe.

Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, thotë se zhvillimet e tilla në veri të Kosovës ndikojnë në destabilizimin e Kosovës, ndikojnë në vetë procesin e njohjes së Kosovës si shtet dhe në zhvillimin e gjithmbarshëm. Andaj, ai kërkon që të dilet me plane konkrete për kthimin e kushtetutshmërisë në këtë pjesë të Kosovës.

“Duhet të ketë plan tani. Duhet që institucionet, të gjithë njerëzit e Kosovës të mendojnë dhe këto struktura nuk duhet të legalizohen assesi. Duhet të tregohet qartë se janë institucione jolegjitime, jolegale, të cilat krijojnë pasiguri dhe ndasi në Kosovë. Mendoj se në të ardhmen, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, detyrimisht duhet të prodhohet një plan për këtë çështje”, tha Gjini.

Sidoqoftë, përfaqësuesit serbë kanë kumtuar këto ditë vendimin që më 28 qershor, në ditën e Betejës së Kosovës, që ata e quajnë edhe si ‘Vidovdan’, të formohet ky kuvend i komunave serbe.

Ndërkohë që ishte kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili, këtë javë, tha se Kushtetuta nuk po zbatohet në shumë pjesë të Kosovës dhe për këtë, një pjesë të fajit ai ia adresoi edhe bashkësisë ndërkombëtare.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG