Ndërlidhjet

logo-print

60 vjet pas misionit humanitar në Berlin

  • RFE /RL

Qershor, 1948 - Aeroplanët duke u furnizuar për misionin e Berlinit

Qershor, 1948 - Aeroplanët duke u furnizuar për misionin e Berlinit

Para 60 vjetësh, populli në Berlinin perëndimor ishte nën bllokadë, pasi lideri i atëhershëm sovjetik, Jozef Stalin, më 24 qershor të vitit 1948, i bllokoi të gjitha rrugët tokësore dhe ujore nga Gjermania lindore komuniste për në pjesën perëndimore të qytetit të ndarë. Qëllimi i tij ishte që ta shkatërrojë atë që ishte një enklavë brenda lindjes, që ishte nën kontrollin sovjetik.

Por, më 26 qershor të vitit të përmendur, aeroplanët e parë me furnizime të domosdoshme nga Gjermania perëndimore filluan të aterojnë.

Siç raporton korrespondentja e Radios Evropa e Lirë, Ketlin Mur, shumë qytetarë që e kanë përjetuar këtë bllokadë, thonë se ndihmat i shpëtuan njerëzit nga uria dhe se kjo nuk duhet të harrohet.

26 qershori i vitit 1948 ishte fillimi i transportit ajror në Berlinin perëndimor, që paraqet operacionin më të madh humanitar të këtij lloji.

Gjatë periudhës së ardhshme njëvjeçare, aeroplanët e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë, i bënë afro 300 mijë fluturime, duke bartur më se 2 milionë tonë ushqim, karburante dhe furnizime të tjera, për t’i mbajtur gjallë afro 2 milionë banorë.

Në maj të vitit 1949, bllokada sovjetike ishte tërhequr, megjithëqë fluturimet e aleatëve vazhduan edhe për disa muaj. Këtë javë, populli në Gjermani dhe më gjerë po e përkujton këtë ngjarje, që u bë simbol i vendosmërisë perëndimore kundër kërcënimit sovjetik.

Trojte Grier, gjatë kohës së bllokadës, i kishte 16 vjet.

"Berlini ishte në gërmadha dhe nuk ishte shumë situatë e kënaqshme atë kohë pas luftës. Ne kërkonim ushqim, strehim, nuk kishte nxehje, rrymë... Ishte një kohë e tmerrshme", thotë zonja Grier dhe shton se “rusët synonin të na shkatërronin, prandaj ne u falënderohemi shumë aleatëve perëndimorë”.

"Rusët përpiqeshin të na linin pa ushqim. Udhëheqja e tyre diktatore nuk ishte shumë humane. Prandaj, aleatët perëndimorë përpiqeshin të na ndihmonin dhe ne u falënderohemi shumë për këtë. Ndihmat nëpërmjet ajrit ishin sikur të na arrinte parajsa. Pavarësisht se ushqimet ishin të kufizuara, ne na mbante shpresa se aleatët do ndihmonin dhe se më vonë do të kishim mjaft ushqim", thotë zonja Grier.

Donald Luman ishte 23 vjeçar dhe shërbente në armatën e Shteteve të Bashkuara.

Ja se si i përshkruan ai ato ditë të para 60 vjetëve:

"Derisa po hynim në dimër, ne kishim shumë ditë me mjegull dhe ne praktikisht, një pjesë të madhe të kohës fluturonim me ndihmën e instrumenteve. Sovjetikët na rrezikonin se nëse largoheshim nga korridori, ata do të ndërmerrnin masa drastike. Por, pilotët ishin të gjithë të mirë dhe kishin mjaft përvojë", thotë zoti Luman.

Më tutje ai shpjegon:

"Në atë kohë nuk kisha menduar shumë për këto çështje, sepse ishte pjesë e punës sonë. Nga ne kërkohej që të fluturonim. Unë isha i vendosur në Kaliforni dhe ne fluturonim prej Kalifornisë në Australi dhe në Tajlandë dhe në të gjithë ishujt e Paqësorit. Pra, ne ishim një skuadrilje që transportonim furnizime ushtarake. Por, ndodhi që ne në atë kohë fluturonim për të dërguar furnizime të tjera për në Berlin", thotë Luman.

Banorja Trojte Grier thotë se “ne u kemi borxh shumë atyre që ndihmuan më se 2 milionë njerëz në Berlinin perëndimor”.

"Ju duhet të falënderoheni dhe të mos harroni atë që e bënë – ndihmuan 2 milionë njerëz nga uria. Çdo dy minuta arrinte një aeroplan dhe ata pilotë kurrë nuk pushonin dhe shumë prej tyre kanë vdekur. Shtatëdhjetë vetë humbën jetën në atë mision të furnizimit me ushqim. Ne u kemi shumë borxh atyre", thotë Trojte Grier.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG