Ndërlidhjet

logo-print

DiCarlo: Dinamika e njohjes s’është e ngadalshme


Rosemary DiCarlo

Rosemary DiCarlo

Dinamika e njohjes së Kosovës është shumë më e madhe krahasuar me disa shtete tjera dhe këtë mund ta ilustroj me shtetet si Sllovenia, Kroacia apo Bangladeshi, ka thënë Rosemary DiCarlo, zëvendës-ndihmëse e sekretares amerikane të Shtetit.


Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se dinamika e njohjes së shtetit të Kosovës nuk është e ngadalshme siç vlerësohet nga qarqe të ndryshme, pasi krahasuar me shtetet tjera që pavarësinë e kanë shpallur menjëherë pas ndonjë konflikti të caktuar a në rrethana tjera, mund të konstatojnë se dinamika e njohjes së Kosovës është shumë më e mirë.

Kështu ka deklaruar në Shkup, Rosemary DiCarlo, zëvendës-ndihmëse e sekretares amerikane të Shtetit pas takimeve që pati me drejtuesit e institucioneve më të larta të shtetit dhe liderët e partive politike.

"Mund të themi se dinamika e njohjes së Kosovës është shumë më e madhe krahasuar me disa shtete tjera dhe këtë mund ta ilustroj me shtetet si Sllovenia, Kroacia apo Bangladeshi. Ne tani kemi një situatë kur dy e treta e shteteve të BE-së dhe dy e treta e shteteve anëtare të NATO-s e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Tetë nga 15 shtetet anëtare të KS të OKB-së e kanë njohur Kosovën sikur edhe 7 vende nga G-8 ", tha Rosemary DiCarlo, për të shtuar:

"Gjithsesi se ne dëshirojmë të shohim më shume shtete që do të njohim Kosovën dhe e dimë se ka plane që një gjë e tillë edhe të ndodhë në muajt në vijim", tha zëvendës-ndihmësja e sekretares amerikane të Shtetit.

Zonja DiCarlo ka falënderuar Maqedoninë për mbështetjen që po i jep planit të Ahtisaarit, por nuk janë dhënë detaje nëse në takimet e zhvilluara është biseduar për njohjen e shpejtë të Kosovës edhe nga Maqedonia.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, u shpreh:

"Maqedonia ishte një ndër shtetet e para që ka mbështetur planin e zotit Ahtisaari në raport me statusin e Kosovës. Kjo nuk ka ndryshuar as tani, ndërsa në të ardhmen do të kemi qasje edhe më pozitive", deklaroi shefi i diplomacisë, Antonio Milloshovski.

Zëvendës-ndihmësja e sekretares amerikane të Shtetit, Rosemary DiCarlo, është takuar edhe me liderët e partive politike shqiptare, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, me të cilët ka biseduar për nevojën e arritjes së kompromisit për progresin që duhet të arrihet, sikur edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Në këtë kuadër, zonja DiCarlo tha se SHBA-të dëshirojnë formimin sa më parë të qeverisë së re, për të vazhduar kursin e reformave, ndërsa shefi i diplomacisë, Millloshoski, tha se në qeverinë e re do të ketë së paku edhe një parti politike shqiptare, edhe pse kjo, sipas tij, nuk e obligon mandatarin Gruevski, pasi partia e tij ka shumicën absolute në përbërjen e re parlamentare.

Në të gjitha takimet me diplomaten e lartë amerikane është biseduar edhe për çështjen e emrit dhe Maqedonia është inkurajuar nga Rosemary DiCarlo për arritjen sa më të shpejtë të kompromisit me Greqinë.
XS
SM
MD
LG