Ndërlidhjet

Beqaj: UNMIK-u e ka vënë Kosovën në kurth


Belul Beqaj
Belul Beqaj

“UNMIK-u e ka sjellë Parlamentin e Kosovës dhe Kosovën në një kurth politik juridik, por edhe vetë ka hyrë në këtë kurth, nga fakti se nuk dihet se si do të dalë”, thotë analisti Belul Beqaj, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Beqaj, në veri të Mitrovicës, përfaqësues të komunitetit serb kanë paralajmëruar për nesër formimin e një parlamenti serb. Cili mendoni se do të jetë roli dhe ndikimi i këtij parlamenti?

BELUL BEQAJ
Parlamenti, para së gjithash, do ta legjitimojë pakicën serbe si faktor të rëndësishëm në aspektin politik, por edhe në aspektin juridik. Pra, legjitimimi i serbëve të Kosovës njëkohësisht nënkupton edhe delegjitimimin e serbëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në zgjedhjet kosovare.

Dhe, ky do të ishte një faktor i rëndësishëm në kuptimin e komunikimit të ardhshëm mes serbëve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, mes Beogradit dhe Kosovës.

Shkurt, nuk ka vetëm karakter simbolik, por është edhe i karakterit praktik, pragmatik, nga fakti se ky kuvend do të merret me koordinimin e aktiviteteve në komunat ku shumicë janë serbët dhe do të merret me realizimin e pikësynimeve që i ka parashtruar qeveria e mëhershme ndaj serbëve të Kosovës, të cilët i ka llogaritur gjatë tërë kohës si pjesë të pushtetit të vet, e jo të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështja e veriut të Kosovës po vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha të institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Ka zëra që thonë se ajo pjesë e Kosovës edhe mund të shkëputet nga Kosova. Ju, si e shihni zgjidhjen e kësaj çështjeje?

BELUL BEQAJ
Kjo çështje nuk ka zgjidhje derisa Bashkësia Evropiane ta ndërrojë qasjen ndaj Serbisë dhe Kosovës. Pra, unë mendoj se Bashkësia Evropiane është ajo që mundet eventualisht ta kapërcejë këtë problem dhe të mos shkaktojë probleme të tjera, siç është Presheva, Bujanoci e Medvegja.

Po them me arsye se problemi mund të zgjerohet nga fakti se sikur eventualisht të hiqet procesi i vizave jo vetëm për Serbinë, por edhe për Kosovën, mendoj se do të fitohet një ndjenjë e qarkullimit të lirë të të gjithëve, të cilët janë në vijat që mund të paraqiten si raste të cenimit të territorialitetit të Serbisë, përkatësisht Kosovës.

Dhe, nëse eventualisht Bashkësia Evropiane e ndërron qasjen edhe ndaj Serbisë, por edhe ndaj Kosovës, atëherë mendoj se krijohet një relaks i serbëve, të cilët janë në kufi administrativ dhe shqiptarëve, të cilët gjithashtu janë në kufi administrativ me Serbinë; krijohet ndjenja e qarkullimi të lirë, që faktikisht e amortizon pakënaqësinë për t’u shkëputur nga Kosova, përkatësisht nga Serbia.

Pra, unë mendoj se këtu duhet për të luajtur një rol vendimtar bashkësia ndërkombëtare më shumë sesa që ka të bëjë eventualisht Kosova. Pres që qeveria, e cila po trajtohet si pro-evropiane, pro-demokratike e reformiste, të ndërrojë qasjen ndaj serbëve të Kosovës, të cilët kanë ambicie për ndarjen.

Po e them nga arsyeja se vetë presidenti Tadiq ka deklaruar publikisht se në Kosovë mjerisht ekzistojnë edhe serbët, të cilët për nga profesioni janë serbë, pra, njerëzit që e kanë për detyrë ta shkëpusin atë pjesë të Mitrovicës.

Nëse këto dy ndryshime ndodhin në Bashkësinë Evropiane në qasje me këtë problem dhe në Qeverinë e ardhshme të Serbisë, mendoj se edhe Qeveria e Kosovës duhet të nënshtrohet në kërkesat e reja, të cilat faktikisht këtë problem mund ta zvogëlojnë, por jo edhe ta zgjidhin.

RADIO EVROPA E LIRË
OKB-ja ka dhënë dritën jeshile për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Thuhet se UNMIK-u do të veprojë në zonat e populluara me shumicë serbe, kurse BE-ja ka më shumë përgjegjësi në zonat e banuara nga shqiptarët. Çfarë nënkupton një gjë e këtillë?

BELUL BEQAJ
Faktikisht, Kosova është sjellë në një konfuzion politik juridik dhe këtë mendoj se po e bën bashkësia ndërkombëtare me vetëdije. A do të kontrollojë zonat e serbëve UNMIK-u, përkatësisht zonat shqiptare EULEX-i, për mua është irelevante, nga fakti se dallimet janë shumë të vogla mes UNMIK-ut dhe EULEX-it, nga këndi im i analizës së shikimit.

Por, dallimet janë të mëdha nëse ekziston apo jo Rezoluta 1244. Pra, problemi definitivisht do të zgjidhet vetëm në momentin kur të hiqet nga fuqizimi Rezoluta 1244.

E deri atëherë, edhe fuqizimi i Kushtetutës së Kosovës për mua është i natyrës margjinale, sikurse që është i natyrës margjinale sa i përket kontrollimit të territorit e efikasitetit të pushtetit edhe fakti se a do të jenë në mbikëqyrje EULEX-i apo UNMIK-u.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Beqaj, është krijuar një situatë konfuzioni midis UNMIK-ut dhe planit të Martti Ahtisaarit, për të cilin Këshilli i Sigurimit nuk e ka dhënë miratimin. Si mendoni se mund të ndikojë një qasje e këtillë në funksionimin e UNMIK-ut?

BELUL BEQAJ
Nuk pajtohem me ju se është krijuar një konfuzion. Konfuzioni në aspektin politik juridik, siç thashë pak më parë, është krijuar në raportin e funksionit të tyre, por jo në raport me planin e Ahtisaarit.

Unë mendoj se UNMIK-u është absolutisht i qartë dhe këtë e ka deklaruar zëdhënësi Ivanko, para dy ditësh, kur tha se UNMIK-u në veprimet e veta do të marrë për bazë raportin e fundit të Ban Ki Moonit, e jo planin e Ahtisaarit. Kjo do të thotë se UNMIK-u do të përqendrohet në ato gjashtë pikat e planit të Sllobodan Samarxhiqit, e jo të Ahtisaarit.

Faktikisht, UNMIK-u e ka sjellë Parlamentin e Kosovës dhe Kosovën në një kurth politik juridik, por edhe vetë ka hyrë në këtë kurth, nga fakti se nuk dihet se si do të dalë.

Në këtë kuptim, unë mendoj se nëse përqendrohet bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht UNMIK-u, në zgjidhjen e gjashtë e pikave, ku është për shembull, policia, drejtësia, doganat e kështu me radhë, domethënë çështje të natyrës së drejtpërdrejtë të pushtetit, atëherë do të legalizohet në kuadër të shtetit të Kosovës edhe pushteti i pakicës.

Dhe, ne në perspektivë do ta kemi një konfrontim të dy pushteteve, të pushtetit të pakicës, që është nën kontroll të UNMIK-ut, dhe pushtetit të shumicës, të cilin gjoja se do ta mbikëqyrë EULEX-i.

Por, perspektiva e tyre do të jetë me të vërtetë shumë diskutabile dhe unë prognozoj që do të jetë i paevitueshëm edhe një aspekt i destabilizimit dhe i pasigurisë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni për procesin e deritashëm të njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës?

BELUL BEQAJ
Mendoj se ka qenë në shpërputhje me vlerësimet, sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës. Para së gjithash, prognoza ka qenë joreale dhe e mbështetur në premtime të të tjerëve, jo në aktivitetet që i ka marrë Qeveria e Kosovës.

Së dyti, mendoj që proceset e jashtme dhe të mbështetjes varen edhe nga proceset pozitive që bën brenda, të cilat, megjithatë, kanë munguar gjatë muajve të fundit. Dhe së treti, mendoj se vetë zgjidhja e ministrit nuk është adekuate në kuptimin e mundësisë së përshpejtimit të proceseve, të cilat do ta afronin Kosovën shumë afër fatit të njohjes së dy të tretave të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit.
XS
SM
MD
LG