Ndërlidhjet

Vendimi i parë i kuvendit serb, mosnjohja e pavarësisë


Mitrovica
Mitrovica

Përkundër kundërshtimeve nga autoritetet e Kosovës, nesër në pjesën veriore të Mitrovicës pritet të mblidhet kuvendi i bashkësisë së komunave serbe. Njëri nga kreatorët e këtij organi, Lubomir Kragoviq, nga Partia Radikale Serbe, thotë se vendimi i parë i këtij organi do të jetë kundërshtimi i pavarësisë dhe Kushtetutës së Kosovës.

Kuvendi i bashkësisë së komunave serbe, i cili pritet të konstituohet nesër në pjesën veriore të Mitrovicës, paralajmërohet se do të sjellë si rezultat kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës dhe kushtetutës së saj.

Ky kundërshtim do të shfaqet përmes vendimeve të këtij organi, i cili për institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare paraqet një organ paralel dhe ilegal. Kryetari i Partisë Radikale për Kosovën, Lubomir Kragoviq, tha se në seancën e nesërme, kuvendi serb pritet që në start të nxjerrë vendime që paraqesin pozicionin serb ndaj pavarësisë së Kosovës.

“Me siguri se do të ketë edhe ndonjë përfundim, i cili ka të bëjë me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kushtetutës së aprovuar”, thotë Kragoviq.

Kuvendi serb nuk do të ketë mandat legjislativ dhe ekzekutiv, pasi që ai do të funksionojë mbi bazën e ligjeve të Serbisë. Por, si mandat kryesor, Kragoviq thotë se do ta ketë miratimin e qëndrimeve politike që do të prezantohen në emër të komunitetit serb të Kosovës.

Një pretendim i tillë i një pjese të partive politike serbe, kundërshtohet edhe nga vet serbët. Një prej tyre është Oliver Ivanoviq, i cili vlerëson se ky organ është një keqpërdorim i pozitave që kanë disa përfaqësues serbë.

“Mendoj se ky është një improvizim i madh, pasi që një apo dy përfaqësues nga Kosova promovohen si përfaqësuesit e vetëm të komunitetit serb”, thotë Ivanoviq. Sipas tij, ky kuvend do të sjellë deri te thyerjet mes serbëve të Kosovës.

Kuvendi serb pritet të mblidhet nesër në ora 16.00, në ditën e Betejës së Kosovës, apo në ‘Vidovdanin’, siç e quajnë këtë ditë serbët. Sipas Kragoviqit, në këtë seancë do të marrin pjesë edhe përfaqësues të zyrave diplomatike nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën e pavarur, si dhe përfaqësues politikë nga Serbia.

Ndërkohë që ky kuvend do të bojkotohet nga Partia Demokratike e Boris Tadiqit dhe nga G-17 plus, të cilat thonë se nuk e kundërshtojnë formimin e këtij kuvendi, por formën se si po konstituohet.

Kuvendi serb është cilësuar nga presidenti i Kosovës si ilegal dhe i papranueshëm, ndërkaq nga shefi i UNMIK-ut si një trup formal që nuk do të ndikojë në ndryshimin e rrethanave në këtë pjesë të Kosovës.
XS
SM
MD
LG