Ndërlidhjet

logo-print

Çmimet në ngritje, pagat në ngrirje


Produkte ushqimore

Produkte ushqimore

Ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore ka shqetësuar tej mase popullatën në Kosovë.

Shpend Ahmeti, drejtor i Institutit për Studime të Avancuara, GAP, thotë se ngritja e çmimeve tashmë ka ndodhur në gjithë tregun botëror, por në Kosovë kjo po ndikon rëndë për shkak të numrit të lartë të të papunëve dhe gjendjes së rëndë ekonomike në vend.

“Natyrisht, në një vend si Kosova, ku kemi nivelin e lartë të varfërisë dhe me situatën ekonomike, kjo ka ndikim edhe më të madh se në shtetet tjera, për shkak se sipas Bankës Botërore, një pjesë e madhe e qytetarëve jeton në varfëri dhe bazohet në ushqime kryesore. Ndërkaq, rritja e çmimeve ndikon që ata të blejnë më pak ushqim”, thotë Ahmeti.

Jusuf Azemi, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, pohon se përballë çmimeve shumë të larta të produkteve ushqimore, problem paraqiten pagat e ulëta të punëtorëve. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, thotë ai, nuk po merret aspak me këtë çështje.

“Unë mendoj se kriza në të cilën gjendet Kosova, nuk mbahet mend. Andaj, edhe veprimet, edhe kundërveprimet e kësaj krize, ne si organe shtetërore nuk i kemi në nivelin e duhur, sepse e kemi lënë në renditje të dytë ose të tretë. Duke u nisur nga një pagë minimale, një punëtor nuk mund t’i kryejë as obligimet elementare, kështu që vërtet ne jetojmë në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë shtetërore”, thotë Azemi.

Por, Shpend Ahmeti thotë se nëse institucionet e Kosovës nuk kanë mundësi t’i rrisin pagat e punëtorëve, atëherë, shton ai, qeveria duhet të bëjë përpjekje që t’i mbrojë shtresat e varfra, konkretisht familjet që jetojnë me pensione dhe me asistencë sociale, sepse, sipas tij, shuma e mjeteve që marrin prej 40 deri në 65 euro në muaj, është e pamjaftueshme përballë çmimeve të larta.

“Ndoshta jo rritja e pagave, por rritja e transfereve sociale për personat që janë më të ndikuar - flasim për grupin e pensionistëve dhe për grupin e asistencës sociale, në mënyrë që së paku grupi më i varfër ta përballojë këtë ngritje të çmimeve në mënyrë sa më të lehtë”, shprehet Ahmeti.

Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale tashmë kanë deklaruar se për shkak të buxhetit të kufizuar të Kosovës, gjatë këtij viti nuk do të ketë rritje të skemave sociale.

Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave kanë pohuar se qeveria do të bëjë përpjekje që të ketë një përmirësim në sistemin e pagave të punëtorëve në institucionet publike.

Sidoqoftë, afër 15 për qind janë ngritur çmimet e konsumit në Kosovë, në krahasim me vitin e kaluar. Gjatë këtij viti, vetëm mielli dhe vaji janë shtrenjtuar më shumë se 100 për qind. Ndërkaq, përballë këtyre çmimeve, sipas Bankës Botërore në Kosovë, jetojnë 45 për qind e popullatës në varfëri, 15 për qind prej tyre në varfëri të skajshme, ndërkaq 18 për qind e qytetarëve të tjerë janë të rrezikuar nga varfëria.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG