Ndërlidhjet

Serbët formuan kuvendin në Kosovë


Mitrovica
Mitrovica

Liderët radikalë të serbëve të Kosovës kanë formuar në Mitrovicë kuvendin e tyre, që cilësohet ilegal nga institucionet e Kosovës dhe nga administrata e Kombeve të Bashkuara.




Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës formuan sot në veri të Mitrovicës të ashtuquajturin Kuvend të Bashkësisë së Komunave të Kosovës. Kuvendi përbëhet nga 45 përfaqësues serbë, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të Serbisë, të cilat u mbajtën edhe në territorin e Kosovës.

Sipas themeluesve të këtij kuvendi, ky trup është bazë për mbrojtjen serbe të Kosovës. Dokumenti i parë i këtij organi paralel është deklarata konstitutive përmes së cilës u hodh poshtë pavarësia e Kosovës.

Përkrahja nga Beogradi zyrtar ka ardhur përmes ministrit serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, i cili ka vlerësuar se ky kuvend do të jetë një urë lidhëse mes komunave të Kosovës dhe institucioneve në Beograd.

“Do të jetë de fakto pjesë e Qeverisë së Serbisë në terren, e cila me funksionin e vet do t’u mundësojë serbëve, goranëve dhe joshqiptarëve tjerë që të mbesin në vendin e tyre dhe të sigurt të jetojnë si qytetarë të Serbisë”,
tha Sllobodan Samarxhiq.

Konstituimi i kuvendit paralel serb është bërë në ditën e Vidovdanit, gjest ky i vlerësuar lart nga kleriku serb Amfilohije, meqë, sipas tij, e tërë historia serbe lidhet me këtë ditë.

Prishtina zyrtare ka reaguar kundër këtij organi paralel, duke vlerësuar se ky do të jetë një trup, që qëllim ka destabilizimin e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj ka thënë se këto struktura paralele nuk prodhojnë kurrfarë efekti juridik në Kosovë.

“Ato janë përpjekje jolegale dhe çfarëdo strukture eventuale që formalisht mund të duket se po formohet do të jetë e paefektshme, e painkorporuar në sistemin e punës të funksionimit dhe të realizimit në kuptimin juridik dhe politik”, tha Manaj.

Manaj ka thënë se me këtë veprim, disa politikanë serbë po mundohen t’i mashtrojnë bashkëkombësit e tyre që jetojnë në Kosovë.

“Janë vetëm përpjekje virtuale të një kuvendi virtual, i cili mund t’u shërbejë atyre për synimet e tyre mashtruese ndaj qytetarëve serbë, përndryshe nuk kanë efekte dhe nuk prodhojnë efekte juridike”, theksoi Manaj.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, ka thënë se formimi i strukturave paralele në Mitrovicë është një akt ilegal, me të cilin forcohen strukturat paralele serbe.

“Parlamenti serb është ilegal. Ai është një pjesë e një realiteti virtual, diçka që ne nuk e marrim seriozisht”,
ka thënë Ivanko, duke shtuar se deklarata e këtij kuvendi, e cila hedh poshtë pavarësinë e Kosovës, nuk ndihmon në pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Do të ishte më e dobishme që serbët e Kosovës të mundohen që të përfshihen sa më shumë në punën e institucioneve të Kosovës, në vend se të formojnë struktura të reja paralele”, tha Ivanko.

Më herët, shefi i ri i UNMIK-ut ka thënë se nuk pret që formimi i kuvendit serb të ndryshojë realitetin në terren. Ndërsa, presidenti Sejdiu ka thënë se strukturat paralele janë të papranueshme, meqë qëllimi i tyre është destabilizimi i Kosovës.

Ndërkaq, edhe në vetë mesin e serbëve ka skeptikë, të cilët e shohin këtë veprim si të padobishëm dhe që nuk i sjell asnjë të mirë komunitetit serb të Kosovës.

XS
SM
MD
LG