Ndërlidhjet

Rohan: Ndarja s'mund të jetë temë e bisedimeve


 Albert Rohan
Albert Rohan

"Një gjë e tillë nuk mund të jetë qëllimi i bisedimeve", thotë ish-ndërmjetësuesi në bisedimet Prishtinë - Beograd, Albert Rohan, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.



RADIO EVROPA E LIRË

Dr Rohan, Kuvendi i Kosovës ka miratuar tërësinë e ligjeve të dala nga plani i Ahtisaarit dhe fillon zbatimin e tyre. Çfarë do të thoshit?

ALBERT ROHAN
Jam i kënaqur nga njëra anë se propozimet tona janë bazë e zgjidhjes dhe mund të zbatohen. Nga ana tjetër, ka një mori përgjegjësish që i jepen bashkësisë serbe, zbatimi i të cilave ka nevojë për bashkëpunimin e vetë serbëve.

Derisa mos të kemi bashkëpunim nga pala serbe, këto elemente të planit nuk mund të zbatohen dhe kjo është për të ardhur keq.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këto rrethana që përmendet, a jeni optimist se plani do të zbatohet?

ALBERT ROHAN
Nuk jam as pesimist dhe as optimist. Nëse shohim ecurinë e gjërave që nga 17 shkurti, kur u shpall pavarësia, e kuptojmë se zhvillimi i ngjarjeve ka qenë shumë më pozitiv seç pritej.

Nuk pati largim masiv të serbëve nga Kosova dhe dhuna mbeti e izoluar në dy incidente në veri. Të gjitha ligjet që dalin nga plani ynë janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës, përfshirë këtu dhe Kushtetutën.

Gjërat kanë ecur përpara, ndonëse më ngadalë. Ka ende për të bërë, por duhet të jemi të kënaqur me atë çfarë është arritur deri tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, kreu i Kombeve të Bashkuara ka bërë propozimin mbi praninë ndërkombëtare në Kosovë, që është e ndryshme nga ajo që jepet në planin Ahtisaari, në hartimin e të cilit keni marrë pjesë. A do të thotë se plani do të ndryshojë?

ALBERT ROHAN
Jo, plani nuk do të ndryshojë. Ajo çfarë ka vendosur Sekretari i Përgjithshëm, është zvogëlimi i UNMIK-ut nisur nga realiteti i ri.

Roli i UNMIK-ut thuajse është zhdukur. Pas 120 ditëve të tranzicionit, kur EULEX-i të jetë shtrirë në Kosovë, UNMIK-u do të mbajë vetëm disa kompetenca.

Ma merr mendja se Kombet e Bashkuara pas kësaj do të jenë një lloj ombrelle për misionin civil, por, në të njëjtën kohë, përfaqësuesi civil do t’i kryejë detyrat e parapara në propozimin tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, siç e thatë dhe ju, prania e Bashkimit Evropian do të jetë nën ombrellën e OKB-së dhe jo si në planin tuaj. A mund të themi se plani i Ahtisaarit nuk po zbatohet ashtu siç është hartuar?

ALBERT ROHAN
Kjo është e vërtetë. Plani ynë përballet me realitetin se nuk mori kurrë autorizimin nga Këshilli i Sigurimit.

Kjo bën që rrethanat të jenë pak të ndryshme nga ato që parashikonim ne. Por, pavarësisht faktit se misioni i BE-së do të jetë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, detyrat e tij mbeten të njëjta.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka gjasa që plani i Ahtisaarit të zbatohet vetëm pjesërisht?

ALBERT ROHAN
De facto kjo mund të ndodhë, pasi pjesë nga propozimi ynë, siç e thashë dhe më parë, kanë nevojë për bashkëpunimin e të gjitha palëve të interesuara.

Ne mund t'i japim bashkësisë serbe përgjegjësi dhe të drejta, por ata duhet t'i zbatojnë vetë. Për aq kohë sa Beogradi nuk i lejon serbët e Kosovës të përfshihen dhe për aq kohë sa këta të fundit refuzojnë, pjesa e propozimit ku bëhet fjalë për bashkësinë serbe, nuk mund të zbatohet.

RADIO EVROPA E LIRË
I përmendët vështirësitë me të cilat përballet Prishtina për zbatimin e asaj pjese të planit që lidhet me pakicën serbe. Duke pasur parasysh dhe zhvillimet në veri, a mendoni se plani Ahtisaari është në gjendje ta mbajë Kosovën si të tërë?

ALBERT ROHAN
Duhet të pranojmë se në realitet, veriu gjatë tetë vjetëve të fundit thuajse nuk ka qenë as nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara dhe as nën kontrollin e Qeverisë së Kosovës. Në këtë kuptim asgjë nuk ka ndryshuar.

Ajo çfarë bën plani është se rikonfirmon unitetin e territorit të Kosovës. Por, në realitet gjendja është ashtu siç ishte në tetë vjetët e shkuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Propozimi i ri i Ban Ki Moonit parasheh dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, ku shefi i UNMIK-ut është lehtësues. Duke i njohur mirë palët dhe qëndrimet e tyre, a mund të presim dialog konstruktiv?

ALBERT ROHAN
Shpresoj shumë për një dialog të tillë, por shumëçka varet nga qeveria e re në Beograd. Këto janë bisedime për çështje praktike dhe duke qenë se Kosova dhe Serbia janë fqinj, ato duhet të bisedojnë dhe të bëjnë një sërë marrëveshjesh.

Në këtë kuptim, këto bisedime janë të nevojshme. Nëse Beogradi merr përsipër gjysmën e vetë të qasjes konstruktive, do të mund të shohim rezultate.

Por, këto bisedime nuk mund të jenë për statusin, pavarësisht se si mund të etiketohen në Beograd. Statusi i Kosovës është i pakthyeshëm. Por, ka shumë çështje për të biseduar, përveç asaj të pakicës serbe në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka shqetësime mes njohësve të rajonit se qëllimi final i Beogradit është ndarja e Kosovës. A mendoni se këto bisedime që mund të fillojnë si teknike, të përfshijnë dhe çështje që kanë të bëjnë me kufijtë?

ALBERT ROHAN
Jo, nuk mendoj kështu. Një gjë e tillë nuk mund të jetë qëllimi i këtyre bisedimeve. Beogradi gjithmonë e ka hedhur poshtë se ka për qëllim ndarjen. Ky opsion është kundërshtuar edhe nga Prishtina dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndarja nuk mund të jetë temë e bisedimeve. Ky lloj dialogu nuk mund të përfshijë çështje të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Plani i Ahtisaarit është i brishtë për shkak se KS-ja nuk e miratoi. Duke pasur parasysh punën dhe energjitë e hedhura në këtë plan për gati dy vjet, a jeni të zemëruar me bashkësinë ndërkombëtare?

ALBERT ROHAN
Jo, nuk jemi të zemëruar. Padyshim që ekziston një lloj frustrimi, pasi do të dëshironim që të ishim të suksesshëm, në mënyrë që plani të pranohej nga të gjitha palët.

Do të thosha se e kuptoj pozicionin e Serbisë, deri diku e kuptoj dhe qëndrimin e Rusisë.
Ajo që e kam të vështirë të kuptoj është qëndrimi i disa vendeve evropiane, të cilat duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës, e nxisin rezistencën e Serbisë.

Në këtë mënyrë, ata rrezikojnë edhe misionin evropian, për të cilin vetë ranë dakord që të krijohej. Ka një mungesë logjike në qasjen e disa vendeve evropiane.
XS
SM
MD
LG