Ndërlidhjet

Grupi Drejtues për Kosovën ka zhvilluar sot takimin e radhës në Prishtinë. Aty është shqyrtuar ecuria e punës lidhur me zbatimin e planit të Ahtisaarit. Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, tha se Grupi Drejtues e vlerëson lart përparimin që po bëhet në Kosovë.


Grupi Drejtues për Kosovën është i inkurajuar me angazhimet e institucioneve të Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e pakos së Ahtisaarit, ka thënë sot shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith.

Pas takimit të Grupit Drejtues për Kosovën, ku bëjnë pjesë shumica e vendeve të BE-së, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende tjera që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Pieter Feith tha se bashkësia ndërkombëtare e çmon lart përkushtimin e Kosovës në fillimin e çështjes së decentralizimit, përkujdesin për pakicat dhe fillimin e punëve në çështjen e demarkacionit të kufirit me Maqedoninë.

“Sot është një ditë e rëndësishme pasi që ka filluar edhe puna fizike në demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, çka paraqet një pjesë të rëndësishme të zbatimit të planit të Ahtisaarit”, tha Feith.

Pieter Feith tha se Grupi Drejtues për Kosovën e cilëson pa efekte legale formimin e kuvendit serb në veri, dhe pret nga qeveria e re në Beograd që të pranojë shtrirjen e EULEX-it në këtë pjesë të Kosovës.

“EULEX-i dhe ICO-ja shumë shpejt do të kenë qasje në tërë territorin e Kosovës. Ne shpresojmë se së shpejti do të formohet një qeveri në Beograd dhe ajo do t'i shqyrtojë këto zhvillime në mënyrë pozitive dhe të na bëjë të lehtë neve për një vendosje të plotë në veri”, tha Feith.

Në këtë takim ka marrë pjesë dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai tha se i ka njoftuar përfaqësuesit ndërkombëtarë me angazhimet e Kosovës në fushën e zbatimit të planit të Ahtisaarit.

Duke u ndërlidhur me bisedimet me Beogradin, Sejdiu tha se ka çështje që janë interes reciprok, e që kanë të bëjnë me fushën e energjisë, bashkëpunimin në fushën e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe bashkëpunimin në fushën e luftimit të krimit. Ndërkaq, çdo temë që ndërlidhet me statusin e Kosovës, si tha Sejdiu, do të marrë përgjigjen negative të Prishtinës.

"Kosova është e gatshme që të pranojë të gjitha investimet edhe ndërkombëtare të këtij niveli, për të zhvilluar relaks të marrëdhënieve edhe me Serbinë dhe me atë pjesë të serbëve që hezitojnë të jenë pjesë e sistemeve, por nuk pranojmë asnjëherë tema që nënkuptojnë kthimin e procesit në çështjen e statusit, apo në njëfarë mënyre mohimin e projektit për të cilin ne jemi përcaktuar dhe të cilin e kemi miratuar", deklaroi presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Grupi Drejtues për Kosovën, që përbëhet nga 25 shtete, e ka mirëpritur dhe fillimin e rikonfigurimit të UNMIK-ut, me çka besohet se po i hapet rruga misionit të Bashkimit Evropian.

Takimi i sotëm ishte i katërti me radhë dhe i pari që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës. Grupi Drejtues ka të mandatuarin e vet në Kosovë, zotin Pieter Feith, i cili bën vlerësime të kohëpaskohshme në lidhje me zbatimin e obligimeve që Kosova ka marrë përsipër në lidhje me implementimin e pakos së Ahtisaarit, si marrëveshje për statusin e saj.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG