Ndërlidhjet

Në prag të Konferencës së Donatorëve


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Institucionet e Republikës së Kosovës janë në fazën finale të përgatitjeve për Konferencën e Donatorëve, e cila do të mbahet në fund të javës së ardhshme në Bruksel. Zyrtarë të Qeverisë pohojnë se tashmë kanë përfunduar projektet që do të paraqiten në konferencë, përderisa ekspertët e ekonomisë shprehin dyshimin në përgatitjet e duhura.

Qeveria e Kosovës është në përfundim e sipër të përgatitjeve për Konferencën e Donatorëve, e cila do të mbahet më 11 korrik në Bruksel.

Bedri Hamza, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave, tha se tashmë kanë përfunduar projektet e nevojshme, ndërkaq dokumenti bazë për këtë konferencë është Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, e publikuar javë më parë nga Ministria e Ekonomisë.

Janë përgatitur të gjitha dokumentet, duke filluar nga Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, që do të jetë një ndër dokumentet bazë për organizmin e kësaj konference. Janë kontaktuar të gjithë faktorët relevantë, janë përgatitur ftesat dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me organizimin e kësaj konference”, tha Hamza.

Ai shtoi se në kuadër të projekteve janë paraqitur edhe nevojat financiare.

“Ka numër shumë të madh të projekteve. Ne, në kuadër të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, kemi paraqitur edhe nevojat tona financiare, që ndahen në përkrahje direkt buxhetore, investime kapitale. Normalisht kemi edhe projekte individuale që janë përgatitur në formën e Pipi-t, që ka numër të madh të projektesh. Do të thotë, flasim për një numër të konsiderueshëm të projekteve dhe për një vlerë të konsiderueshme”, thotë Hamza.

Në bazë të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, institucionet e Republikës së Kosovës do të kërkojnë nga donatorët 1 miliard e 400 mijë euro, thotë zëvendësministri Bedri Hamza, duke shtuar se shuma e kërkuar do të jetë shumë më e lartë, kur llogariten edhe projektet tjera individuale.

“Nëse flasim për kërkesat, atëherë ato e kalojnë shifrën dhe ka projekte për kërkesat tona. Por, ne e kemi paraqitur orientimisht edhe si përkrahje të nevojshme buxhetore shumën të cilën e kemi paraqitur në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, ndërkaq vlera e kërkesave dhe projekteve individuale është vlerë miliarda-miliarda...”, shprehet Hamza.

Ndryshe, ekspertët e ekonomisë shprehin dyshimin në përgatitjet e duhura të qeverisë. Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se gjatë përgatitjeve për konferencë ka munguar një bashkëpunim me komunitetin e biznesit. Në anën tjetër, Shahini nuk është i kënaqur as me shumën që do të kërkohet në Konferencën e Donatorëve.

“Një miliard dollarë krahasuar me buxhetin e Kosovës, është një shumë e madhe, por krahasuar me vendet tjetra që kanë thithur donacione nga konferencat e donatorëve, kjo shumë është e vogël. Në këtë shumë do të duhej të shkohej sa 3 buxhete të Kosovës me projekte për të marrë 50 përqindëshin”, thotë Shahini.

Sidoqoftë, Konferenca e Donatorëve tashmë ka mbetur shpresa e vetme për shoqërinë kosovare për një rimëkëmbje ekonomike të vendit, e cila do të ndikojë edhe në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.
XS
SM
MD
LG