Ndërlidhjet

logo-print

Kritikohet shtrenjtimi i rrymës


Termocentrali 'Kosova A'

Termocentrali 'Kosova A'

Krahas problemeve me furnizim me energji elektrike, Ministria e Energjisë dhe Minierave ka shtrenjtuar rrymën për 5 për qind. Anëtarë të Komisionit Parlamentar për Energji dhe ekspertë për çështje ekonomike kanë kundërshtuar këtë ngritje të çmimeve. Sipas tyre, ky shtrenjtim do të rëndojë edhe më tepër buxhetin familjar, çka do të ndikojë edhe në mospagesën e faturave të shpenzuara.

Përveç ngritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, është shtrenjtuar edhe energjia elektrike për 5 për qind. Zyra e Rregullatorit të Energjisë tashmë ka aprovuar kërkesën e Korporatës Energjetike të Kosovës, për tarifa të reja të energjisë.

Sipas tyre, tregu i energjisë kërkon që tarifat e energjisë elektrike të mbulojnë koston e prodhimit dhe të shërbimeve tjera lidhur me furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike.

Por, shtrenjtimi i energjisë është kundërshtuar nga Komisioni Parlamentar për Energji. Ethem Çeku, zëvendëskryetar i këtij komisioni, tha se KEK-u është dashur të gjejë alternativa tjera për t’i zgjidhur problemet.

“KEK-u ka nevojë për mbështetje financiare dhe për mbështetje të të hyrave për nevojat e KEK-ut. Por, kjo nuk është forma e vetme e zgjidhjes. Duhet të shohin edhe zgjidhje të tjera, siç janë të hyrat për nevojat e KEK-ut, përfshirja e të gjithë konsumatorëve në pagimin e energjisë elektrike, ndërprerja e keqpërdorimit të energjisë elektrike dhe disa hapa të tjerë, si kyçja e sektorit privat dhe format e tjera”, thotë Çeku.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike thonë se qasja e Korporatës Energjetike të Kosovës ndaj konsumatorëve është dashur të jetë në një formë tjetër, e jo ngritja e tarifave të energjisë.

Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se prioritet i KEK-ut është dashur të jetë rritja e nivelit të arkëtimit e jo shtrenjtimi.

“Shumë konsumatorë kanë borxhe të konsiderueshme ndaj KEK-ut. Dhe, nëse tani u shtohet ky shtrenjtim në faturat e tyre, do të kemi një numër më të madh të konsumatorëve të energjisë, të cilët do të hezitojnë apo do ta kenë të pamundshme të paguajnë energjinë elektrike”, vlerëson Keqa.

Flamur Keqa thotë se vendimi për shtrenjtimin e rrymës është i paarsyeshëm dhe në kohë jo të duhur, sepse, sipas tij, ky shtrenjtim do të rëndojë edhe më tepër buxhetin familjar, çka, siç thotë ai, do të bëjë të pamundur pagesën e faturave të shpenzuara.

Për këtë arsye, Keqa thotë se ekspertët e KEK-ut duhet të japin informata për arsyeshmërinë e ngritjes së çmimit të rrymës.

“Ky shtrenjtim do të keqësojë edhe më tepër standardin, sidomos shtresave që janë të rrezikuara. Ky shtrenjtim është shumë i madh dhe konsumatorët duhet të kenë informata lidhur më arsyeshmërinë e shtrenjtimit të rrymës. Përndryshe, ky do të ketë konotacion mjaft negativ”, shprehet Keqa.

Ndërkaq, Ethem Çeku, ish-ministër i Energjisë dhe Minierave, thotë se pikërisht mungesa e ekspertëve në KEK ka bërë që gjendja në këtë korporatë të jetë e vështirë.

“Siç duket, relacionet që janë ndërtuar në mes ministrisë dhe konfliktet e hapura, ngritja e sulmeve të vazhdueshme ndaj njerëzve në KEK, kanë bërë që edhe ata një grimë ekspertë që kanë pasur një frymëmarrje, tani po iu ngushtohet frymëmarrja. Dhe, normalisht, në KEK tani është zvogëluar hapësira e njerëzve ekspertë për të vendosur mbi të ardhmen dhe strukturën e energjetikës”,
thotë Çeku.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji e ka marrë vendimin për rritjen e tarifave në përputhje dhe në zbatim të ligjit për Rregullatorin e Energjisë Elektrike, por edhe në pajtim me Programin e Qeverisë, që synon përshtatjen graduale të çmimeve të energjisë, në mënyrë që ato të mbulojnë koston jo vetëm të prodhimit, por edhe çmimet e importit, të cilat tani kanë vlera shumë të larta.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG