Ndërlidhjet

Franca në krye të BE-së

  • Ahto Lobjakas - Radio Evropa e Lirë

Francë - Ministri i Jashtëm slloven, Dimitrij Rupel, zyrtarisht i kalon presidencën e radhës së BE-së homologut francez, Bernard Kouchner, 30 qershor 2008.

Francë - Ministri i Jashtëm slloven, Dimitrij Rupel, zyrtarisht i kalon presidencën e radhës së BE-së homologut francez, Bernard Kouchner, 30 qershor 2008.

Refuzimi i Traktatit të Lisbonës nga Irlanda ka zgjatur krizën kushtetuese të vitit 2005, kur Franca dhe Holanda votuan kundër. Kryesimin e radhës të BE-së tani e ka marrë Franca, si njëra ndër vendet kryesore dhe të cilës i bie barra e marrjes me këto probleme.

Menaxhimi i krizës sërish është çështja kryesore në Bashkimin Evropian. Franca, si kryesuese e radhës, ka shpresuar se do të fokusohet në çështje të imigracionit dhe mbrojtjes, gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Por, Francës i duhet tani të përballet me konsolidimin kushtetues pas refuzimit të Traktatit të Lisbonës nga Irlanda, më 12 qershor.

Jean David Levitte, këshilltar i presidentit Nicolas Sarkozy, tha se Franca synon të shtyjë përpara çështjen e Traktatit, me gjithë kundërshtimin në Irlandë.

"Nuk ka plan B. Besoj se është e rëndësishme që procesi i ratifikimit, i cili po zhvillohet në të gjitha vendet anëtare, të vazhdojë, në mënyrë që në fund të vitit të mund të vlerësojmë situatën", tha Levitte.

Traktati është bllokuar edhe në Poloni, ku presidenti Kaczynski ka refuzuar nënshkrimin; në Gjermani, presidenti Koehler e ka pezulluar ratifikimin, ndërsa në Çeki, Traktati po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Të gjitha këto vështirësojnë planet e Francës për "Paktin e Imigracionit" si një çështje shumë e ndjeshme, si për vendet që përballen me numër të lartë të imigrantëve ilegalë, ashtu edhe për ato me popullsi në plakje. Franca favorizon imigracionin selektiv.

Patrick Veil, nga Instituti Kombëtar për Kërkime Shkencore, tha se çështje shqetësuese për Francën është edhe standardizimi i procedurave për azil në vendet e BE-së.

"Me siguri, në të ardhmen, në nivel evropian do të ekzistojë një lloj i gjykatës së apelit për azil, sepse janë të papranueshme kriteret aktuale që dallojnë shumë nga njëri tek vendi tjetër anëtar", tha Veil.

Ndër prioritetet e Francës llogaritet edhe promovimi i bashkëpunimit brenda BE-së në lëmin e mbrojtjes, si dhe në raport me NATO-n. Parisi ka vendosur t'i bashkohet strukturës komanduese ushtarake të NATO-s.

Këto, sidoqoftë, nuk janë lëmitë e vetme në të cilat reflektohen vështirësitë e krijuara rreth Traktatit të Lisbonës. Ato konsiderohen shenjë jo e mirë edhe për shpresat për integrim të vendeve fqinje të BE-së.

Tradicionalisht, Franca ka qenë skeptike rreth zgjerimit. Presidenti Nicolas Sarkozy u ka thënë liderëve të BE-së në samitin e qershorit se nuk mund të ketë zgjerim të mëtejmë pa Traktatin e Lisbonës.

Zyrtarët francezë e pranojnë se suksesi i presidencës franceze do të varet nga aftësia për të projektuar imazhin e modestisë në krye të BE-së. Integrimi politik ka qenë në masë të madhe projekt francez, projektkushtetuta e BE-së në variantin e parë ishte lancuar nën lidershipin e presidentit francez, por edhe ishte refuzuar fillimisht në Francë.

Prandaj, "thellimi" i Bashkimit Evropian mbetet synim, i cili lidhet ngushtë me Parisin.
XS
SM
MD
LG