Ndërlidhjet

Koalicioni PDK-LDK (s')është në krizë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Incidenti i djeshëm në Kuvendin e Kosovës ndërmjet ministrit Fatmir Limaj dhe zëvendësministrit të shkarkuar, Naser Osmani, ka futur në krizë koalicionin ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme, Kryesia e LDK-së shqyrtoi vendimin e kryeministrit Hashim Thaçi për shkarkimin e zëvendësministrit Osmani dhe ka ardhur në përfundim se vendimi i kryeministrit është shkelje e marrëveshjes për koalicionin qeverisës.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është pajtuar me vendimin e djeshëm të kryeministrit, Hashim Thaçi, për shkarkimin e zëvendësministrit, Naser Osmani, pas incidentit që ndodhi dje në Kuvendin e Kosovës.

Pas një mbledhjeje të gjatë të Kryesisë së LDK-së, nënkryetari i saj, Fadil Ferati, tha se LDK-ja kërkon nga kryeministri ta rishqyrtojë vendimin e tij për shkarkimin e Naser Osmanit, pasi që ky vendim, sipas tij, është në kundërshtim me marrëveshjen për koalicionin qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së:

“Kryesia e LDK-së vlerëson se vendim-shkarkimi i zëvendësministrit Osmani nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi, është vendim i ngutshëm dhe shkelje e marrëveshjes së partneritetit qeverisës. Kryesia e LDK-së kërkon që krerët e marrëveshjes së koalicionit të takohen në kohën më të shpejtë të mundshme për ta shqyrtuar rastin në fjalë. Deri atëherë, Kryesia e LDK-së e konsideron rastin të pazgjidhur”, tha Ferati.

Për dallim nga partia e tij, presidenti Fatmir Sejdiu e ka cilësuar të ligjshëm vendimin e Thaçit për shkarkimin e Osmanit. Por, edhe Sejdiu e ka parë të nevojshme që PDK-ja dhe LDK-ja të komunikojnë mes vete dhe ta tejkalojnë këtë krizë.

“Unë e quaj nevojën që të kemi veprime racionale të përbashkëta dhe natyrisht se kryeministri ka vepruar mbi bazë të dispozitave kushtetuese dhe të asaj pjese që është mbi ligjin për organizimin e qeverisë apo rregulloren për organizimin e qeverisë”, u shpreh Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi thotë se vendimi i tij për shkarkimin e zëvendësministrit Osmani, nuk ka të bëjë me LDK-në e as me Osmanin, por ka të bëjë me mënyrën e tij të udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës.

“Kjo çështje nuk ka të bëjë fare me emrin, nuk ka të bëjë fare me partinë, por ka të bëjë me normat, me rregullat dhe parimet mbi të cilat punoj unë si kryeministër dhe Qeveria e Kosovës”, tha Hashim Thaçi.

Në anën tjetër, njëri nga protagonistët e incidentit të djeshëm në Kuvend, zëvendësministri i shkarkuar, Naser Osmani, deputet i LDK-së, thotë se koalicioni mes PDK-së e LDK-së është në krizë dhe nëse nuk rikthehet vendimi i kryeministrit mund të vijë deri te shkurorëzimi i këtyre partnerëve.

Është çështje që do të diskutohet seriozisht, për arsye se ky koalicion ka ardhur në një krizë të thellë. Do të bisedojnë domethënë krerët e të dyja subjekteve politike dhe do të vijë deri te një përfundim tjetër”, tha Osmani.

Incidenti i djeshëm në Kuvend ndërmjet ministrit nga radhët e PDK-së, Fatmir Limaj, dhe zëvendësministrit nga radhët e LDK-së, Naser Osmani, erdhi si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve për rendin e ditës së seancës, me ç’rast kishte dhe fyerje të ndërsjella.

Pas këtij incidenti, kryeministri Thaçi shkarkoi menjëherë zëvendësministrin Osmani, për shkak të sjelljeve të tij, si thuhej, të padinjitetshme dhe fyese ndaj Qeverisë së Kosovës.

Sidoqoftë, tani në veprimin e vet politik janë kryeministri Hashim Thaçi, si kryetar i PDK-së, dhe presidenti Fatmir Sejdiu, i cili ndonëse e ka pezulluar postin e kryetarit të LDK-së, është nënshkruesi i marrëveshjes për koalicion me PDK-në.

Në rast se koalicioni do të hynte në krizë, atëherë kjo mund të shpijë Kosovën pashmangshëm edhe kah zgjedhjet e reja.
XS
SM
MD
LG