Ndërlidhjet

“LDK kërcënon koalicionin me PDK-në”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Ashtu siç pritej, presidenti Sejdiu dhe kryesia e partisë së tij kanë dalë me dy qëndrime dhe paralajmërime të ndryshme pas shkarkimit të zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Naser Osmani. Me pozicionimin e tij, kryetari Sejdiu ka treguar se është “konstruktiv”, por me kërkesën për rishikimin e vendimit nga kryeministri Hashim Thaçi, LDK-ja ka vënë në pikëpyetje seriozisht koalicionin qeveritar. Sipas Kushtetutës, kryeministri ka të drejtën të ndërmarrë veprime të tilla, si shkarkime zyrtarësh, kur ata bëjnë shkelje të natyrave të ndryshme. Në rastin konkret, ofendimi publik i Qeverisë, pas një tensionimi në Kuvend, e ka ulur së tepërmi nivelin e kësaj qeverie dhe, si duket, nuk ka pasur zgjidhje tjetër për kryeministrin, përveç shkarkimit të deputetit të LDK-së. Ndoshta i ngutshëm, por vendimi duket se është i pakthyeshëm , edhe në rast se LDK-ja vendos të dalë nga koalicioni. Kjo gjë duket e pritshme nëse marrim parasysh vendosmërinë e Kryesisë së LDK-së për të biseduar me Thaçin në lidhje me vendimin e tij. Koalicioni prej ditës së djeshme rrezikon të humbasë votat në Parlament dhe vënien në pikëpyetje të Qeverisë...

BOTA SOT
Institucionet e Kosovës edhe katër muaj nga shpallja e pavarësisë dhe dy javë nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikë së Kosovës, nuk kanë arritur të zgjidhin një nga çështjet që konsiderohet me rëndësi për vendin, tashmë kur jemi shtet i pavarur dhe sovran, çështjen e emërimit të ambasadorëve dhe hapjes së ambasadave në qendrat e vendimmarrjes. Përderisa opozita e quan të vonuar këtë proces, duke vlerësuar se vonesat në emërimin e ambasadorëve dhe hapjen e ambasadave të Kosovës nëpër shtete të botës ndikon në një masë të madhe edhe në mosnjohjen e Kosovës nga disa shtete, zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Ramë Manaj, hedh poshtë këtë mundësi. "Nuk ka lidhje as direkt dhe as indirekt në mes të kësaj shkalle të njohjes së pavarësisë dhe mosemërimit të të ngarkuarve me punë të ambasadorëve në 9 qendra të botës, për të cilat presidenti veç ka nxjerrë dekret. Procedura është pjesë e procesit përgatitor të përzgjedhjes. Duam që njerëzit që emërohen në përfaqësim të vendit, të kenë kualitete të larta profesionale,politike dhe kjo është arsyeja pse deri tash nuk është arritur të emërohen ambasadorët", tha Manaj...

LAJM
Refuzimi i një punëtori rus të administratës së UNMIK-ut që të pranojë t'i vihet vula e Republikës së Kosovës në pasaportën e tij ka bërë që për disa orë eprorë të lartë të policisë së UNMIK-ut të kërkonin kthimin e vulave të vjetra. Ngjarja ka ndodhur të shtunën në Aeroportin e Prishtinës, një ditë pasi në pasaportat e udhëtareve kanë filluar zyrtarisht të vihen vulat e shtetit. Sjellja e këtij udhëtari rus, sipas burimeve të gazetës nga Ministria e Punëve të Brendshme, është ende e mjegullt, nëse ka qenë refuzim apo vetëm alibi për të kërkuar kthimin në përdorim edhe të vulave të UNMIK-ut, që deri javën e kaluar tregonin hyrjen në një vend nën protektorat ndërkombëtar. "Incidenti i shkaktuar nga udhëtari rus ka zgjatur vetëm disa orë, pasi dy eprorë të lartë të policisë së UNMIK-ut (emrat e njohur për redaksinë), njëri nga të cilët është edhe britaniku Malvin Goudie në ANP, kishin kërkuar nga pjesëtarët e policisë kufitare të Kosovës që t'i vendosin vulat e vjetra (të UNMIK-ut). Pak kohë më vonë, pas mosmarrëveshjeve me policinë, situata ka marrë nuancat e qetësisë së përkohshme të vënies së vulave. Më vonë u kuptua se ky mund të kishte qenë vetëm një pretekst i UNMIK-ut për t'i kthyer vulat e vjetra, të cilat është duke i përdorur në pikat kufitare me Serbinë, në portat 1 dhe 31", thotë burimi i gazetës...

EXPRESS
Amerikanit Richard Wilcox nuk po i buzëqesh fati për të vazhduar karrierën nga Beogradi në Kosovë. Ai është Shef i Zyrës së OKB-së në Beograd dhe shokët e tij në Nju Jork nga Departamenti për Operacione Paqeruajtëse e kanë propozuar, ditë më parë, tek Ban Ki-Moon për zëvendësshef të UNMIK-ut. Gjatë javës së kaluar, emri i tij është përmendur si punë e kryer për t'u ulur në karrigen e bashkëkombësit të tij, Larry Rossin, i cili ka braktisur UNMIK-un më 16 qershor. "Diplomatë amerikanë i kanë bërë të ditur Sekretarit të Përgjithshëm se janë kundër emërimit të Richard Wilcox në postin e zëvendësit kryesor në UNMIK", kanë thënë për Express, diplomatë perëndimorë. "Edhe britanikët dhe francezët janë kundër emërimit të tij". Tre diplomatë perëndimorë në selinë e OKB-së, të kontaktuar nga Express, kanë bërë të ditur se të hënën dhe të martën, gjasat e Wilcox që përmes lidhjeve miqësore në DPKO të marrë këtë post, kanë qenë të barabarta me zero...

EPOKA E RE
Ambasadori francez në Beograd, Zhan-Fransoa Teral, në një konferencë me gazetarë me rastin e fillimit të kryesimit të Francës me BE-në, ka thënë se njohja e Kosovës dhe pranimi i Serbisë në BE janë dy procese të ndara. Ai ka përkujtuar se kusht për vazhdimin e anëtarësimit të Serbisë në BE është bashkëpunimi i plotë me Tribunalin e Hagës dhe se BE-ja për ketë do të mbështetet në vlerësimet e prokurorit kryesor të Tribunalit, Serzhio Bramerc. Duke përkujtuar se Franca dhe shumë partnerë të saj e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ai ka thënë se Parisi dëshiron të ndihmojë që të zgjidhen problemet dhe ka vlerësuar se rreth Kosovës duhet të flasim në mënyrë konkrete. Ai ka thënë se tani është me rëndësi që të mbrohen interesat legjitime, historike serbe në Kosovë, përkatësisht pozita e banorëve në veri të Kosovës dhe në enklavat e tjera, si dhe trashëgimia kulturore e fetare...

ZËRI
Kryeministri i Kosovës ka dalë me qëndrimin se kuvendi të cilin e kanë themeluar përfaqësuesit e politikës radikale të Serbisë në Kosovë, më 28 qershor, "nuk do të ketë sukses". Ai u ka munguar fizikisht zhvillimeve politike në Kosovë në 10 ditët e fundit, duke marrë pjesë në vizita të ndryshme, së pari në Shqipëri e pastaj në Bruksel dhe në forumin e Krans Monlanës, kështu që kryeministri Thaçi ka bërë komentin e parë të tij rreth tubimit të së shtunës në pjesën veriore të Mitrovicës, të sponsorizuar nga ministri serb Slobodan Samarxhiq. Thaçi e ka cilësuar "Kuvendin e Serbëve" si një "forum artificial". "Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i garantuar dhe i njohur ndërkombëtarisht dhe nuk do të ketë sukses asnjë qasje e ndarjes territoriale apo etnike. Nuk do të ketë sukses asnjë pretendim për funksionalizimin e ndonjë pretendimi të strukturave paralele, të krijimit të një forumi artificial i nxitur nga Beogradi. Për Kosovën, vendimet do t'i marrë Prishtina me këshillat dhe rekomandimet e komunitetit ndërkombëtar", ka thënë kryeministri Thaçi...

KOHA DITORE

Ndonëse jo njësoj si me Maqedoninë sa i përket kontestit historik të përdorimit të emrit zyrtar, Bashkimi Evropian duket se probleme të ngjashme ka edhe me Kosovën. Megjithëse 2/3 e shteteve anëtare të BE-së e kanë njohur Republikën e Kosovës, në logon zyrtare të Konferencës së Donatorëve për Kosovën, që do të mbahet më 11 korrik në kryeqytetin evropian, Bruksel, tek emri Kosova është futur një yll që në fusnotë sqaron se ky vend është nën Rezolutën 1244 të KS të OKB-së të vitit 1999. Kjo rezolutë në pjesën hyrëse e kishte njohur atëbotë sovranitetin dhe integritetin e ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, ashtu siç ishte caktuar në Aktin Final të Helsinkit në aneksin 2. Një diplomat nga BE në kushte anonimiteti i ka thënë "Kohës Ditore" se telashet me përdorimin e emrit po bëhen nga presioni i shteteve anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën si: Spanja, Qiproja dhe vende të tjera. "Është shumë e qartë se derisa Republika e Kosovës nuk do të njihet nga të gjitha njëzet e shtatë vendet anëtare do të ketë probleme rreth përdorimit të emrit të Kosovës ashtu siç e definon Kushtetuta e këtij shteti", ka thënë diplomati evropian...


XS
SM
MD
LG