Ndërlidhjet

Gashi: Dridhet koalicioni PDK-LDK


Ibrahim Gashi
Ibrahim Gashi

"Partnerët e koalicionit të jenë të përgjegjshëm dhe t’i shmangin përplasjet, sepse kanë marrë përsipër barrën e konsolidimit të institucioneve dhe të ndërtimit të shtetit të Kosovës", thotë Ibrahim Gashi, nga Aleanca Kosova e Re.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, pavarësisht fuqizimit të Kushtetutës më 15 qershor, në Kosovë vazhdon të mbetet ende në fuqi Rezoluta 1244, ndërkohë që ka zëra që thonë se në Kosovë është duke mbretëruar një kaos juridik. Çfarë mendoni ju?

IBRAHIM GASHI
Situata nuk është edhe aq e thjeshtë, është mjaft komplekse, domethënë aspektet juridike të situatës në Kosovë, për faktin se ne tashmë kemi një realitet tjetër nga 17 shkurti, kemi shpalljen e shtetit të pavarur, dhe nga prilli kemi edhe Kushtetutën e aprovuar, e cila, sipas marrëveshjes me autoritetet ndërkombëtare, ka hyrë në fuqi më 15 qershor.

Mirëpo, në të njëjtën kohë, sikundër e dini, ne kemi ende në fuqi Rezolutën 1244 dhe tash është një paqartësi, e cila është provuar të zgjidhet përmes letrës së zotit Ban Ki Moon, me të cilën ai e pranon rikonfigurimin e misionit të UNMIK-ut, që do t’i hapë rrugë pastaj bartjes së një numri të madh të kompetencave te institucionet e Kosovës dhe i hap rrugë edhe vendosjes së misionit evropian, që do t’i mbikëqyrë pastaj dikasteret më të rëndësishme në fazën e ndërtimit të shtetit të Kosovës, siç është gjyqësia dhe policia.

Mirëpo, situata thashë se është komplekse, për faktin se kemi aprovuar një numër të madh ligjesh në konformitet me Kushtetutën dhe me pakon e Ahtisaarit.

Tashti do të duhej që në Kosovë të fillonte zbatimi i ligjeve të shtetit të Kosovës në të gjithë territorin, të cilat ligje janë bërë tërë kohën në bashkërenditje me faktorët ndërkombëtarë prezentë në Kosovë dhe në përputhje të plotë me planin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari.

RADIO EVROPA E LIRË
A lë vend për interpretime të ndryshme letra e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, dhe sa mund të funksionojë si shtet Kosova, përderisa UNMIK-u ende është këtu dhe përderisa Rezoluta 1244 mbetet në fuqi?

IBRAHIM GASHI
Natyrisht se lë vend për interpretim ambiguist, por ajo që është e rëndësishme te kjo letër është se Sekretari i Përgjithshëm pranon rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe parasheh një bartje graduale të kompetencave dhe në njëfarë mënyre ndryshim të misionit që do ta ketë UNMIK-u në të ardhmen në Kosovë.

Kjo është inkurajuese për institucionet e Kosovës. Sipas intensitetit të bartjes së këtyre kompetencave, mund të thuhet se edhe po funksionalizohet pavarësia e shtetit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër është veriu i Kosovës, ku serbët formuan parlamentin e tyre paralel, që prej institucioneve të Kosovës u tha se nuk do të ketë efekt ligjor. Çfarë, në fakt, mendoni se do të jetë roli i tij?

IBRAHIM GASHI
Këtij akti të krijimit të parlamentit, sikundër dihet, i parapriu një proces i zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, që autoritetet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë edhe UNMIK-un, i shpallen si ilegale, të jashtëligjshme.

Dhe tash, mbi bazën e rezultatit të këtyre zgjedhjeve, kemi konstituimin e një trupi që mëton të jetë parlament i serbëve në Kosovë.

Unë mendoj se krejt kjo është e jashtëligjshme dhe bie ndesh jo vetëm me Kushtetutën e Kosovës, me realitetin e ri politik në Kosovë, por bie ndesh edhe me pakon e Ahtisaarit.

Duke i pasur parasysh krejt këto shkelje që i bën komuniteti serb, bëhet fjalë për një obstruksion të drejtpërdrejtë që i bëhet realitetit të ri politik në Kosovë dhe natyrisht këtu do të duhej që institucionet e Kosovës, në bashkërenditje me institucionet ndërkombëtare, të gjejnë mënyrën se si ta preventojnë vazhdimin e këtij obstruksioni nga ana e serbëve edhe në të ardhmen.

Kjo nuk i ndihmon konsolidimit të shtetit të Kosovës. Kjo është në kundërshtim me këtë dhe është një përpjekje për ta sfiduar ndërtimin e shtetit të Kosovës. Unë mendoj se ka vend që të merren masa për t’u parandaluar veprimet e tilla - skajshmërisht kundërshtuese ndaj shtetit të Kosovës.

Mendoj se nuk do të ketë efekte të drejtpërdrejta kjo, por efekte anësore, efekte indirekte do të ketë, sepse ky lloj organizimi paralel i serbëve, me tendencë që të krijojnë struktura të pushtetit paralel, do t’i mbajë edhe një kohë të gjatë larg institucioneve të Kosovës.

Ndërkaq, bashkësia ndërkombëtare palës kosovare i ka dhënë detyra që t’i integrojë serbët e Kosovës në gjirin e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
U kthehemi zhvillimeve të tjera politike në vend. Koalicioni qeverisës PDK-LDK duket të jetë në krizë pas ngatërresës që patën zoti Limaj me zotin Osmani. Si i shihni ju zhvillimet në këtë kuadër?

IBRAHIM GASHI
Ishte një incident i rastit që ndodhi ndoshta ‘ad hoc’ për një moment. Mund të ketë pasur edhe frustrime të mëhershme, por unë nuk i di ato dhe nuk do të doja t’i komentoj. Ngjarja që ndodhi në Parlament, çoi në njëfarë dridhjeje të koalicionit pashmangshëm.

Por, unë mendoj se partnerët e koalicionit duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe t’i shmangin përplasjet e tilla, sepse kanë marrë përsipër një barrë të madhe, barrën e konsolidimit të institucioneve dhe të ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Kosova përballet me shumë sfida dhe asaj i duhet më shumë se kurrë një stabilitet politik. Natyrisht, pa dashur t’i komentoj më shumë arsyet se pse ndodhi ajo, unë mendoj se koalicioni qeverisës duhet të funksionojë në kondita të një bashkëpunimi të shëndoshë, sepse problemet e Kosovës, vështirësitë që kanë institucionet e Kosovës, janë aq të mëdha.

Dhe, nëse brendapërbrenda ka disonancë në qëndrime, disonancë në veprime, bashkëpunim jo të mjaftueshëm, atëherë efektet dhe konsekuencat e krejt kësaj do t’i bartin qytetarët e Kosovës dhe procesi do të ketë ngecje.

Nëse vërtet ky koalicion është amorf dhe brenda vetes ka probleme që ne nuk i dimë, atëherë është mirë që të rishikohet, sepse Kosovës i duhet një qeveri funksionale, një qeveri që garanton stabilitet politik dhe që lëviz në drejtim të zgjidhjes së problemeve reale të qytetarëve, siç janë ato ekonomike, por natyrisht edhe juridike dhe sfidat tjera që kanë të bëjnë me shtrirjen e sovranitetin në tërë territorin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A parashihni thellim apo zgjidhje të krizës?

IBRAHIM GASHI
Është vështirë duke mos i ditur zhvillimet, rrethanat e brendshme. Ne jemi vëzhgues nga jashtë të asaj dhe nuk do të doja të bëj komente paragjykuese për zhvillimet që mund të rrjedhin atje.

Por, edhe një herë po them se nëse ky koalicion ka qenë që nga fillimi jo shumë i natyrshëm, siç është komentuar në opinion, jo shumë funksional, siç kemi pasur rast ta vërejmë aty-këtu, dhe nëse i referohemi një interviste të nënkryetarit të LDK-së, një ditë përpara, se nuk është i kënaqur me performacën e ministrave nga radhët e LDK-së dhe njërës nga gazetat ditore, krejt kjo flet se diçka brenda këtij koalicioni nuk funksionon mirë.

Nëse kjo është e vërtetë, do të duhej të rishikohej kompozicioni i qeverisjes, për të krijuar një qeverisje efikase, që Kosovës i duhet më shumë se gjithherë më parë. Pra, Kosova është në një fazë delikate të konsolidimit të pavarësisë dhe të sovranitetit të saj.
XS
SM
MD
LG