Ndërlidhjet

logo-print

PDK e LDK besojnë se do ta tejkalojnë krizën


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike, si partnerë në Qeverinë e Kosovës, besojnë se mund të ruajnë stabilitetin e institucioneve, duke shmangur kështu krizën qeveritare pas incidentit që ka ndodhur, këtë javë, në Kuvendin e Kosovës.

Dy partnerët e koalicionit qeverisës në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerësojnë se mund t’i tejkalojnë problemet e paraqitura pas vendimit të kryeministrit Hashim Thaçi, për shkarkimin e zëvendësministrit nga radhët e LDK-së, Naser Osmani.

Incidenti në Kuvend ndërmjet zëvendësministrit të shkarkuar, Naser Osmani, nga radhët e LDK-së, dhe ministrit Fatmir Limaj, nga radhët e PDK-së, që ishte pasuar me shkarkimin e menjëhershëm të Osmanit nga ana e kryeministrit Thaçi, acaroi raportet mes këtyre dy partive.

Por, për dallim nga dita e djeshme, kur LDK-ja kishte kundërshtuar vendimin e Thaçit, sot kjo parti politike është paraqitur me qëndrime më të përmbajtura.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se partnerët e koalicionit do ta tejkalojnë këtë krizë dhe do të vazhdojë puna e përbashkët në qeverinë e koalicionit.

Sipas tij, reagimi i djeshëm i Kryesisë së LDK-së ishte më shumë një reagim i njerëzve të shqetësuar.

“Unë nuk i komentoj deklaratat e njerëzve të shqetësuar. Ata, mendoj se duhet të kujdesen që vërtet institucionet e Kosovës janë të shenjta dhe ata që dëshirojnë të jenë në institucione, duhet t’i konsiderojnë ato si të shenjta”.

“Unë nuk mendoj që do të prishet koalicioni. Mendoj se koalicioni do të bisedojë dhe do ta tejkalojë këtë krizë të panevojshme dhe të paarsyeshme”, tha Krasniqi.

Sot, fillimisht, LDK-ja ka anuluar një takim të paralajmëruar të Kryesisë së partisë. Ndërkaq, më pas, zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari, tha se LDK-ja angazhohet për institucione stabile dhe mbetet e përkushtuar që të mos krijohet destabilizimi i institucioneve.

Duke mos e precizuar nëse LDK-ja është pajtuar me vendimin e Thaçit, Miftari rikujtoi edhe qëndrimet e presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi, sipas të cilëve, shkarkimi i Osmanit është bërë duke respektuar normat ligjore e kushtetuese.

“Qëndrimet që janë shprehur dje nga vetë kryeministri Thaçi, por edhe nga presidenti i vendit, Sejdiu - është e dukshme që disa mekanizma ligjorë janë përdorur, mirëpo po ashtu vlerësimi politik është se duhet të ketë një partneritet të mirëfilltë mes partnerëve në koalicion dhe ky është qëndrimi i Kryesisë së LDK-së”, thekson Miftari.

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e opozitës, Naim Maloku, nënkryetar i AAK-së, thotë se incidenti që ndodhi këtë javë në Kuvend, është normal për praktikën parlamentare edhe në vendet tjera.

Por, ky incident, sipas Malokut, mori përmasat e një krize qeveritare, pasi që kryeministri Thaçi sanksionoi vetëm anëtarin e qeverisë nga radhët e LDK-së.

“Personalisht mendoj se masa e ndërmarrë ndaj deputetit ose zëvendësministrit Naser Osmani ka qenë paksa e ngutshme dhe nuk është dashur të merret një masë e tillë, për shkak se kështu faji po mbetet vetëm në njërën palë dhe jo në të dyja anët”, vlerëson Maloku.

Dje, Kryesia e LDK-së deklaroi se nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj. Por, ishte presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ai i cili i dha mbështetje vendimit të kryeministrit Thaçi. Andaj, tani mbetet të shihet se cili do të jetë reagimi i një pjese të LDK-së që në vazhdimësi ka kundërshtuar fuqishëm vendimin e Thaçit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG