Ndërlidhjet

"SHBA: Kosova të mos pengohet nga Serbia"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

BOTA SOT
Zyrtarët amerikanë nuk i kanë dhënë fare rëndësi krijimit të "Kuvendit të serbëve të Kosovës", duke thënë se "as që ia vlente të mendohej fare për të". Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është se Kosova është shtet i pavarur dhe parlamenti i saj, institucionet e saj të demokracisë duhet të udhëhiqen dhe të drejtohen nga vetë vendorët dhe nuk duhet të ndërhyjë Serbia apo kushdo qoftë tjetër nga jashtë", ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Casey. Lidhur me të ashtuquajturin "Kuvend i serbëve të Kosovës”, zëdhënësi Casey tha se “as që kishte provuar të mendonte fare për atë Kuvend”, sepse, shtoi më tej ai, “politika jonë ndaj Kosovës është mjaft e qartë”. Ndërkohë, në Uashington dje është takuar Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleeza Rice, me ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, ku, siç u njoftua, një nga çështjet e rajonit që kanë biseduar ka qenë edhe Kosova, si dhe aspektet më të gjera të sigurisë dhe politikës evropiane...

KOHA DITORE

Çarja e krijuar në mes forcave të koalicionit qeverisës PDK-LDK pas shkarkimit të Naser Osmanit nga posti i zv/ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, është duke u parë me shqetësim të theksuar nga përfaqësuesit politikë të vendeve që kanë kontribuuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Zyrtarë të lartë të politikës vendëse, të mërkurën, kanë bërë të ditur se "miqtë e jashtëm" kanë kërkuar nga drejtuesit e PDK-së dhe LDK-së qe t'i tejkalojnë mosmarrëveshjet mes vete dhe të mos lejojnë në asnjë mënyre që vendi të kalojë në krizë qeveritare. Burimet e gazetës thonë se kjo këshillë e diplomatëve të akredituar në Kosovë është bërë pothuajse në formë të "urdhrit të prerë". "Kosova nuk guxon të shkojë në krizë qeveritare si rrjedhojë e pakënaqësive të shfaqura nga individë të caktuar brenda subjekteve politike që e udhëheqin qeverinë", kanë parafrazuar fjalët e një diplomati të jashtëm burimet e gazetës. Presioni i jashtëm, sipas tyre, për një dozë më të madhe rëndon mbi Kryesinë e LDK-së, për faktin se të martën, ky organ partiak e ka akuzuar kryeministrin Hashim Thaçi për shkelje të marrëveshjes së partneritetit qeverisës...

EPOKA E RE
Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili tash drejton Komunën e Mitrovicës, ka akuzuar UNMIK-un se po përdor standarde të dyfishta, duke mos penguar funksionimin e strukturave paralele serbe në veri dhe procesin e ndërtimit të objekteve të financuara nga Beogradi, në njërën anë dhe duke penguar projektet ndërtuese të Komunës së Mitrovicës në veri të qytetit, në anën tjetër. Ndërprerja e rindërtimeve në "Lagjen e Doktorëve" në veri të Mitrovicës dhe maunat me materie kimike të stacionuara në hapësirat e Parkut Industrial, ishin temat kryesore për të cilat është biseduar të mërkurën në seancën e Komitetit për Siguri në këtë komunë. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ka thënë se strukturat e sigurisë kanë kërkuar që të ndërpriten projektet e rindërtimit në "Lagjen e Doktorëve", për çka komuna ka ndarë fondin për ndërtimin e 7-8 shtëpive. Mirëpo, sipas tij, problemi ka dalë pas zgjedhjeve të kontestuara serbe, me ç'rast fituesit e tyre, në bashkëpunim me zyrtarët e UNMIK-ut, kanë kërkuar ndërprerjen e projekteve. Rexhepi tha se nëse këto projekte duhet të ndërpriten për shkaqe sigurie, atëherë kjo duhet të vlejë për të gjithë, jo vetëm për shqiptarët...

LAJM
Përpjekje të madhe për ta kthyer Naser Osmanin në pozitën e mëhershme janë bërë edhe gjatë ditës së mërkurë. Për këtë çështje është angazhuar edhe presidenti Fatmir Sejdiu, i cili pasdite ka pasur një takim me kryeministrin Hashim Thaçi. Por, edhe nëse arrihet marrëveshja midis dy liderëve të partive në koalicion, askush nuk do të mund ta bindë deputetin e LDK-së, Osmani, që të kthehet në pozitën e zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë. “Nuk kthehem më në atë qeveri. Jam kundër kësaj qeverie. Në një moment më të relaksuar do të shkoj të marr gjërat e mia personale që më kanë mbetur aty”, tha Osmani për “Lajm”. Megjithëkëtë, ai pret që Thaçi ta tërheqë vendimin e marrë, sidomos pas takimit që është mbajtur në Presidencë mes autoriteteve të larta të të dyja partive, PDK-së dhe LDK-së...

ZËRI
Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, strukturat paralele serbe në Shtërpcë dje kanë uzurpuar edhe zyrën e kryetarit të komunës. Kryetari i strukturave paralele serbe dhe i ashtuquajturi kryetar i Shtërpcës, Zvonko Mihajloviq, kishte zënë vend dje në karrigen e të parit të Shtërpcës. Në një ceremoni të shkurtër pranim-dorëzimi të detyrës, kryetari i deritanishëm i Shtërpcës, Stanko Jakovleviq, ia ka "dorëzuar detyrën" dje, rreth orës 9 të mëngjesit radikalit Zvonko Mihajloviq. Ky akt ka ndodhur në zyrën e kryetarit të Shtërpcës, ku edhe është vendosur nga dje radikali Zvonko Mihajloviq. Ai tha se zgjedhja e tij si kryetar i Shtërpcës ka ardhur pas zgjedhjeve lokale serbe të 11 majit, që u mbajtën në këtë komunë, ndërkaq aktin e zgjedhjes si kryetar dhe vendosjen e tij në zyrën e kryetarit të Shtërpcës e ka quajtur legjitim. Zvonko Mihajloviq i tha dje gazetës se është legjitim, ngase atë e ka zgjedhur Kuvendi serb i Shtërpcës i dalë nga zgjedhjet e 11 majit. "Nuk jam uzurpator dhe jolegjitim, siç thoni ju. Mua më ka zgjedhur vota e popullit tim dhe do të punoj për të mirën e tij, pa kurrfarë hezitimi", i ka thënë dje gazetës "Zëri", i ashtuquajturi kryetar i Shtërpcës, Zvonko Mihajloviq, vetëm disa çaste pas uzurpimit të zyrës së kryetarit të komunës...

EXPRESS

Ish-ambasadori britanik, Bryan Hopkinson, do të udhëheqë një ekip që ka për detyrë t'i përkthejë në shifra dhe plane konkrete udhëzimet e Ban Ki-Moonit për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Ai është rekrutuar nga OKB-ja para disa javësh, ndërkaq të mërkurën ka filluar punën në Prishtinë. Hopkinson do të qëndrojë në Kosovë katër muaj, aq sa parashihet të zgjasë procesi i rikonfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare. Ky nuk është angazhimi i tij i parë në Kosovë. Para disa vitesh ai ka punuar në UNMIK, si koordinator për strategji. Hopkinson ka qenë ambasador i Britanisë së Madhe në Sarajevë (1994-96), si dhe analist i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG). Gjatë disa javëve të ardhshme, Task Forca e udhëhequr nga Hopkinson, do të vlerësojë se cilat departamente të UNMIK-ut do të shuhen; cilat do të zvogëlohen; afatet kohore të reduktimit; sa pjesëtarë të UNMIK-ut duhet të ikin; cilat aktivitete shuhen dhe cilat mbesin, kanë thënë për Express, zyrtarë të administratës ndërkombëtare...

INFOPRESS
Sipas zëdhënësit të UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, këto ditë, në Kosovë ka mbërritur një grup Task Force, i cili do të merret me çështjen e rikonfigurimit të misionit të UNMIK-ut në Kosovë dhe reduktimet e stafit të këtij misioni. "Nuk kemi date të caktuar, por gjysma e dytë e tetorit do të jetë afati i fundit kur do të përfundojë rikonfigurimi i misionit tonë në Kosovë. Reduktimi i personelit të UNMIK-ut do të bëhet dukshëm, por nuk kam informacione konkrete për këtë çështje", është shprehur Ivanko. Ndërsa, ka shtuar se UNMIK-u ende nuk është i njoftuar se kur do të emërohet zv/kryeadministratori i UNMIK-ut në Kosovë, ngase, siç u shpreh ai, çështja e emërimeve varet nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon. Ivanko gjithashtu ka ritheksuar edhe njëherë qëndrimin e UNMIK-ut për të mos bashkëpunuar me strukturat paralele serbe...

KOSOVA SOT
Përfaqësuesit e institucioneve të Republikës dhe të partive politike e vlerësuan si ngjarje të rëndësisë së veçantë miratimin e Deklaratës Kushtetuese më 2 Korrik të vitit 1990. Në vazhdën e përpjekjeve për liri dhe emancipim politik të popullit të Kosovës, dokumenti i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 është dëshmi e këmbënguljes së delegatëve të Kuvendit të Kosovës për ta shprehur vullnetin e qytetarëve tanë për pavarësi. Kështu thuhet në mesazhin e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 18- vjetorit të Deklaratës Kushtetuese. "Kjo datë ka hyrë në kalendarin e ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë të re, si paralajmërim se populli i Kosovës jo vetëm që nuk pajtohej me statusin e krahinës autonome dhe reduktimin e saj të bërë një vit më parë, por ishte i pjekur për ta shpallur botërisht vullnetin për të qenë i barabartë me të tjerët", thuhet më tej në mesazhin e kryeministrit...



XS
SM
MD
LG