Ndërlidhjet

Si të shpenzohen mjetet e donatorëve?


Shuma të ndryshme të mjeteve materiale kanë filluar të premtohen nga vende të ndryshme të botës për Konferencën e Donatorëve që do të mbahet për Kosovën, javën e ardhshme, në Bruksel. 400 milionë dollarë kanë premtuar SHBA-të, ndërkaq 15 milionë euro Danimarka. Ekspertët kosovarë për çështje ekonomike thonë se autoritetet kompetente duhet të kenë kujdes që mjetet e fituara nga Konferenca, të shfrytëzohen për zhvillim ekonomik.


Ndihma e premtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se gjatë Konferencës së Donatorëve për Kosovën do të ndajnë 400 milionë dollarë për katër vjetët e ardhshëm, sipas ekspertëve të ekonomisë, fillimisht është e mjaftueshme.

Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, pohon se është një shumë mjaft e rëndësishme për shtetin e ri të Kosovës.

“Janë mjete, të cilat SHBA-ja pak a shumë i ka bërë publike që nga shpallja e pavarësisë. Pra, që atëherë, ata kanë premtuar asistencë sociale. Ndërsa, tani janë të domosdoshme, për arsye se ka nevoja dhe identifikimi i projekteve ka filluar të bëhet”, tha Kusari-Lila.

Por, pjesa më e madhe e këtyre fondeve, sipas zyrtarëve amerikanë, do të shkojë në pagimin e borxhit të jashtëm të Kosovës, që i ka mbetur nga koha e ish-Jugosllavisë.

Mimoza Kusari-Lila, lidhur me këtë thotë se pa kontributin e Shteteve të Bashkuara, por edhe të vendeve tjera që do të marrin pjesë në Konferencën e Donatorëve, Kosova e ka vështirë të paguajë borxhin e jashtëm.

“Pagesa e tyre do të jetë ndihmë, sepse do të llogaritet njëjtë sikur këto mjete të derdhen në buxhetin e Kosovës, apo sikur të paguhen drejtpërdrejt si borxhe - të njëjtin efekt e kanë, sepse Kosova duhet t’i paguajë ato borxhe. Do të jenë si pjesë e zgjidhjes së problemeve rreth definimit të statusit, që është tani pavarësia, apo ndarja nga ish-Jugosllavia, nga etniteti i ish-Jugosllavisë”, shprehet Kusari-Lila.

Por, Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se me gjithë rëndësinë e madhe të këtyre mjeteve, Konferenca e Donatorëve duhet të ketë karakter për zhvillim ekonomik dhe për zbutje të krizës sociale dhe mos të fillohet, siç thotë ai, menjëherë me pagimin e borxheve ndërkombëtare ende të padefinuara.

“Në rend të parë, nuk duhet të ngutemi me atë që është e fundit, sepse pagimi i borxhit ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera është një problem, i cili duhet të zgjidhet në etapa të mëvonshme. Jo menjëherë të fillohet me pagimin e borxheve, ndërsa jemi në një krizë ekonomike, krizë që mund të tensionohet çdoherë e më tepër”, thotë Gërxhaliu.

Ndryshe, edhe pse shifra zyrtare deri më tani mungojnë, sipas ekspertëve të ekonomisë, borxhi ndërkombëtar arrin deri në një miliard dollarë. Autoritet kosovare tashmë kanë pranuar se do të shlyejnë pjesën e vet të borxhit, pasi të verifikohet se ato kredi janë shfrytëzuar në Kosovë.

Por, Safet Gërxhaliu thotë se ekzistojnë forma të tjera për pagimin e borxheve, e jo të shfrytëzohet Konferenca e Donatorëve.

“Ekziston Klubi i Parisit, Klubi i Londrës dhe problemi i borxheve në të gjitha vendet nga tradita është zgjidhur në forma krejt tjera, më solidare, më humanitare”, thekson Gërxhaliu.

Ndryshe, Konferenca e Donatorëve për Kosovën do të mbahet më 11 korrik, në Bruksel. Përveç premtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një premtim prej 15 milionë eurosh tashmë e ka konfirmuar edhe Danimarka.
XS
SM
MD
LG