Ndërlidhjet

Zannier nis bisedimet Prishtinë-Beograd?!


Lamberto Zannier

Lamberto Zannier

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, pritet të vizitojë Beogradin javën e ardhshme, vizitë kjo që synon fillimin e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit për çështje teknike, siç parasheh edhe plani i Ban Ki Moonit.


Shefi i ri i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, javën e ardhshme pritet të vizitojë Beogradin, duke shënuar kështu vizitën e parë pas dy vjetësh të një shefi të UNMIK-ut në kryeqytetin serb.

“Siç ka thënë Sekretari i Përgjithshëm në raportin e tij, PSSP do të lehtësojë dialogun Prishtinë-Beograd. Kështu që PSSP do të shkojë në Beograd, javën e ardhshme, por nuk kemi datën e saktë ende”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko.

Në planin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, parashihet që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë për çështjet që lidhen me fushën e policisë, drejtësisë, doganave, trashëgimisë fetare dhe transportit.

Vizita e Zannierit organizohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara në Beograd, zyrë kjo që pati nisur pas shpalljes së pavarësisë bisedime për Kosovën me Beogradin, e të cilat qenë kundërshtuar nga Prishtina.

Ivanko thotë se para se të shkojë në Beograd, Zannier do të konsultohet me autoritetet vendore të Prishtinës.

“Natyrisht se ai do të konsultohet me ta. Ndryshe, mund të konfirmoj se vizita po organizohet nga zyra e OKB-së në Beograd”, tha Ivanko.

Prishtina zyrtare pranon që të bisedohet për çështje teknike, por hedh poshtë në mënyrë kategorike çdo mundësi të dialogut për statusin. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj thotë se ekzistojnë mjaft çështje teknike, që kërkojnë zgjidhje.

“Rreth statusit politik të Kosovës nuk mund të bisedohet me askënd e as me Serbinë, sepse është çështje e zgjidhur dhe pavarësia e Kosovës është e njohur ndërkombëtarisht, e procesi i njohjes vazhdon. Çështjet tjera të interesit reciprok, praktike e pragmatike, me Serbinë mund të bisedohen.”

“Gjithçka që është në interes të qytetarëve tanë, është e pranueshme dhe mund të bëhet. Unë mund të ilustroj faktin, për shembull, që ka nevojë të ngritët në shkallë më të lartë serioziteti, dialogu që zhvillohet me Serbinë për të pagjeturit. Por, sa i përket statusit, nuk i lejohet as PSSP-së e askujt tjetër që ta shtrojnë për diskutim”, tha Manaj.

Në anën tjetër, analisti për çështje politike, Ismajl Hasani, thotë se asnjë bisedë me Beogradin nuk duhet të fillojë, pa u konsultuar më parë institucionet e Kosovës.

“Nevoja për bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të kornizohet me konsulencën e institucioneve të Kosovës dhe me përgjegjësitë dhe kompetencat që i ka zyra e PSSP-së”.


“Në këtë kuptim, mendoj se vizita në Beograd, takimet e radhës, janë pjesë e asaj që ka administrata ndërkombëtare për synim - stabilizimin e situatës në Kosovë dhe përpjekjet e institucioneve vendëse që të kontribuojnë në hapjen e diskutimeve dhe takimeve sidomos për çështje teknike, si për të pagjeturit dhe çështje tjera që janë të rëndësishme”, tha Hasani.

Plani për rikonfigurim i Ban Ki Moonit parasheh një zvogëlim gradual të UNMIK-ut dhe bartje të kompetencave te institucionet vendore dhe te misioni i Bashkimit Evropian, i koduar me emrin EULEX. Por, ky plan po ashtu parasheh bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike.

Ismajl Hasani thotë se ajo që duhet bërë institucionet e Kosovës është që të mos futen nën presionin e mekanizmave paralelë serbë dhe në këtë kuadër edhe agjenda e takimeve të jetë në funksion të instalimit të jetës normale, demokracisë e sundimit të ligjit në Kosovë, e në asnjë mënyrë të legjitimohen strukturat paralele serbe.
XS
SM
MD
LG