Ndërlidhjet

Çeku: Rikonfigurimi i dëmshëm për të gjithë


Agim Çeku
Agim Çeku

“Rikonfigurimi paraqet një mision të skaduar, të padëshirueshëm në Kosovë. Si i tillë i bën dëm Kosovës, por edhe Serbisë, sepse ngjall shpresa të serbëve që ende është 1244-shi”, thotë ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Çeku, Kosova tash ka Kushtetutën e saj, por ajo nuk po zbatohet në gjithë territorin. Sipas jush, cilat do të jenë sfidat në zbatimin e saj?

AGIM ÇEKU
Ne të gjithë i jemi gëzuar Kushtetutës, e kemi pritur, kemi sakrifikuar, kemi vuajtur, kemi duruar, kemi arritur, por përpos një akti solemn, ende qytetarët e Kosovës nuk e kanë hetuar fuqinë e Kushtetutës dhe ajo ende nuk ka mbërritur përtej lumit Ibër.

Një ndër sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova dhe fatkeqësisht do të ballafaqohet edhe një kohë, është integrimi i veriut në sistemin kushtetues juridik të Kosovës dhe integrimi i pakicës serbe në jetën tonë publike dhe institucionale.

Unë mendoj se këtu duhet të bëhet shumë më shumë. Në radhë të parë, ne duhet të kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka përgjegjësi për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës. Duhet të jemi shumë të qartë në kërkesat ndaj tyre.

Kërkesat janë të afatizuara dhe nëse në një afat të caktuar nga institucionet tona, bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmerr asgjë, atëherë e humb edhe të drejtën që të ankohet nëse institucionet tona ndërmarrin hapa çfarë duhet të ndërmerren.

Institucionet tona mund të bëjnë shumë më shumë. Thjesht, duhet të tregojnë se çfarë duan. Duhet t’i bëjnë kërkesat shumë të qarta ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Të thonë që duhet të garantohet tërësia territoriale, duhet të vendoset kufiri, të ruhet kufiri, të vendosen doganat aty ku duhet të jenë, duhet të shpërbëhen strukturat paralele, duhet të shemben ato dhe duhet të kushtëzohen gjërat.

Nuk mund të vazhdojmë me implementim të planit të Ahtisaarit, nëse nuk e kemi pushtetin në tërë Kosovën. Kjo duhet të jetë kusht. Thjesht, duhet të jenë më decidivë, më këmbëngulës në kërkesat e tyre dhe kërkesat e tyre duhet të jenë shume të qarta dhe të afatizuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni ju rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe shtrirjen e misionin të Bashkimit Evropian – EULEX?

AGIM ÇEKU
Këtë vendim të Sekretarit të Përgjithshëm e shoh si shumë të gabuar dhe të dëmshëm për të gjithë, në radhë të parë për Kosovën, mandej për serbët, për Serbinë, por edhe për Kombet e Bashkuara.

Është një mision i skaduar, është një mision i panevojshëm, është një mision i padëshirueshëm në Kosovë dhe si i tillë i bën dëm Kosovës, e i bën dëm edhe Serbisë, sepse po ngjall shpresa të serbëve që ende është 1244-shi, që ende mund të kërkohet një zgjidhje tjetër.

I bën dëm UNMIK-ut, sepse e qet në një pozitë të keqe, që të jetë jo i respektuar nga të gjithë; i bie që UNMIK-ut t’i referohet vetëm një pjesë e qytetarëve të Kosovës, jo të gjithë, dhe thjesht bën një situatë që ta përfundojë mandatin në mënyrë jo të suksesshme.

E ka pasur rastin që më 15 qershor misioni ta ulë flamurin e Kombeve të Bashkuara dhe të largohet nga Kosova si mision i suksesshëm. Tani rrezikon të komprometohet. Kështu që janë dy misione, të cilat do të harxhojnë shumë energji në ndarjen e kompetencave apo të them në luftë kompetencash mes njëri-tjetrit.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët formuan parlamentin e tyre paralel. Institucionet e Kosovës thonë se nuk do të ketë efekt ligjor. Çfarë mendoni se do të jetë roli i tij?

AGIM ÇEKU
Serbët vazhdimisht janë duke përdorur një strategji – strategji refuzuese ndaj realitetit të ri në Kosovë dhe bëjnë përpjekje për ndarje funksionale të Kosovës. Në këtë mënyrë, ata dëshirojnë të shkaktojnë lodhje te bashkësia ndërkombëtare dhe me këtë lodhje të detyrojnë bashkësinë ndërkombëtare që të kërkojë ndoshta një zgjidhje tjetër.

Ky është një rrezik. Unë nuk jam nga ata që i injorojnë. Por, është një element, është një fakt, është një përpjekje e tyre që është duke e thelluar ndarjen mes komuniteteve e jo duke e ndihmuar integrimin e tyre. Dhe, çdo gjë që shkon në atë drejtim, është për t’u kundërshtuar.

Unë habitem se si bashkësia ndërkombëtare nuk ka pasur një qëndrim më të ashpër. Por, ne duhet ta dimë se bashkësia ndërkombëtare është shumë e interesuar që ta mbajë situatën e qetë dhe nuk i dëshiron veprimet më radikale, sepse për ta misioni numër një është që situata të mbetet e qetë, që atë të mund të raportojnë se janë duke mbajtur situatën e qetë në Kosovë dhe të dalin si të suksesshëm me misionin e tyre.

Por, situata gjithmonë do të mbahet e qetë në qoftë se ne tolerojmë. Një qasje tolerante ndaj veprimeve të tilla vetëm është duke thelluar ndarjen, është duke e bërë më të vështirë integrimin dhe ne duhet të fillojmë të merremi me këto çështje më seriozisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Njohja e Kosovës ka ngecur. Çfarë mendoni se do të mund të bënin institucionet më shumë që të rritet numri i njohjeve?

AGIM ÇEKU
Unë po dëgjoj që të gjithë zyrtarët thonë se janë të kënaqur me dinamikën e njohjes së Kosovës. Unë nuk e ndaj atë mendim. Unë, si qytetar i Kosovës, nuk jam i kënaqur.

Kemi shtatorin, kur është Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe i kemi vetëm 43 vota në asamblenë prej 193 shteteve. Nuk mjaftojnë dhe mund të ndikohen shumica e vendeve në Asamblenë e Përgjithshme që të nxjerrin ndonjë deklaratë që nuk është në favor të Kosovës. Kështu që duhet të bëjmë më shumë.

Deri tash, institucionet tona kanë dhënë mesazhin e duhur që jemi seriozë në implementimin e pakos së Ahtisaarit, duke shndërruar atë në kushtetutë dhe në ligje.

Deri tash, qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar se edhe ne jemi të pjekur, të matur, të durueshëm, duke i pranuar qetë të gjitha këto veprime të serbëve. Edhe kjo shkon në favor të njohjes.

Por, duhet të lobohet shumë më shumë. Nuk mjafton të lobohet vetëm në nivel të ambasadorëve. Ambasadorët nuk janë krijues, dizajnerë të politikave të jashtme; ata janë vetëm bartës të mesazheve kudo në botë.

Duhet të fokusohemi në disa vende, për shembull në Vatikan, në Spanjë, në Egjipt; janë vende që kanë domino efekt në vende të ndryshme. Duhet edhe presidenti, edhe kryeministri personalisht, në çdo rast, të jenë shumë më aktivë.

Nuk ka detyrë më të rëndësishme tani se njohja e pavarësisë. Njohja e pavarësisë nga një numër shumë më i madh i shuan shpresat e radikalëve serbë, të politikanëve nacionalistë në Beograd, që mund të detyrohet bashkësia ndërkombëtare që të tentojë edhe një zgjidhje tjetër.

Kur ta shohin se nuk kemi njohje aq të madhe numerike, atyre u ngjallen shpresat dhe u lindin ide të ndryshme për ta forcuar, për ta betonuar këtë ndarje që ata dëshirojnë ta bëjnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Para pak ditësh, Partia Social-Demokrate ka mbajtur kuvendin e VIII të saj. Cili është vizioni juaj për të ardhmen e Kosovës?

AGIM ÇEKU
Vizioni jonë është Kosova – shtet i zhvilluar ekonomikisht, Kosova – shtet i ndërtuar mbi vlerat e social-demokracisë dhe Kosova – shtet i integruar, i integruar brenda vetes, por edhe në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, qoftë na rajon apo në Kombet e Bashkuara, në Unionin Evropian, në NATO etj.

Ne e shohim një Kosovë të tillë dhe social-demokracia ka përgjigje në të gjitha pyetjet, në të gjitha problemet serioze me të cilat sot ballafaqohet Kosova dhe që mundësojnë që Kosova të lëvizë në atë drejtim.
XS
SM
MD
LG