Ndërlidhjet

logo-print

“Qeveria injoron strukturat paralele”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të enjten për zgjatjen e mandatit të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe të Kosovës, në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Shtërpce, kanë thënë burime të Expressit. Qeveria në fakt ka vazhduar validitetin e vendimit ekzekutiv të UNMIK-ut, të cilin Joachim Ruecker nuk e kishte ripërtërirë më 18 qershor, për shkak se nuk e kishte lejuar Sekretariati i OKB-së. Në vendimin e tij në dhjetor të vitit të kaluar, Ruecker ka vendosur që Komuna e Artanës (ish-Novobërda) të udhëhiqet nga një shqiptar, që ishte kundërshtuar nga serbë lokalë. Burime të gazetës kanë thënë se vendimi i Qeverisë bazohet mbi dispozitat kushtetuese, të cilat lejojnë zgjatjen e mandatit për institucione që nuk bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Shumica e pjesëtarëve të minoritetit serb kanë bojkotuar zgjedhjet e fundit lokale të nëntorit të kaluar, dhe për ketë arsye Joachim Ruecker u kishte vazhduar mandatin kryetarëve të komunave me shumicë serbe deri më 18 qershor...

KOHA DITORE
Për kryeministrin Hashim Thaçi në Kosovë nuk ka struktura paralele serbe. Uzurpimi i ndërtesës së Komunës së Shtërpcës nga kuvendi paralel serb, sipas kryeministrit, është vetëm një "tendencë iluzioniste". Këtë vlerësim ai e ka bërë të enjten, pas mbledhjes së rregullt të kabinetit qeveritar, me ç'rast Thaçi e ka vlerësuar punën e Qeverisë për shtrirjen e sundimit të ligjit në tërë Kosovën. "Jemi duke vazhduar me përkushtimin më të madh për sundimin e rendit dhe ligjit çdo ditë e më tepër në çdo pjesë të territorit të Kosovës. Tendenca për strukturat paralele dhe strukturat e tjera institucionale janë tendenca të kota, të dështuara, jolegjitime, ilegale, plotësisht të papranueshme dhe iluzioniste", ka thënë Thaçi. Me gjithë përpjekjet e qeverisë për ta mohuar ekzistencën e këtyre strukturave, ndërtesa e Kuvendit Komunal të Shtërpcës, të mërkurën, është bartur në duar të përbërjes së re të zgjedhur në zgjedhjet serbe të muajit maj, të cilat konsiderohen ilegale nga autoritetet kosovare. Është radikali Zvonko Mihajloviq, ai i cili ka zënë vend në karrigen e të parit të Komunës, duke pranuar çelësat e zyrës së kryetarit të Komunës nga kryetari i deritanishëm legal, Stanko Jakovleviq...

ZËRI
E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tina Kaidanov, ka shprehur edhe një herë përkushtimin e qeverisë së saj për ta mbështetur Kosovën, shtetin më të ri, në sfidat e veta në të ardhmen. Premtimi amerikan për Kosovën është përsëritur dje në ambientet e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, gjatë ceremonisë për nder të Ditës së Pavarësisë së Amerikës, në prani të liderëve të Kosovës dhe personaliteteve tjera të jetës publike. "Mbi të gjitha, amerikanët janë të përkushtuar për të përdorur burimet e veta dhe energjinë e vet për të ndihmuar përmirësimin e jetëve të të tjerëve. Ky është fokus i punës sonë këtu në Kosovë. Tashmë janë ofruar qindra milionë dollarë amerikanë dhe shumë më tepër do të dedikohen për avancimin e potencialit ekonomik të Kosovës, forcimin e institucioneve të saj demokratike dhe promovimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon", ka thënë Kaidanov në ceremoninë që është mbajtur për herë të parë në Kosovën e pavarur...

LAJM
Pas një nisme të favorshme publicistike, pas shpalljes së pavaresisë, Kosova ka rrëshqitur në faqet e fundit të gazetave prestigjioze. Mediat ndërkombëtare, kur raportojnë për Kosovën, fillojnë me obstruksionet ruse dhe serbe dhe zakonisht konkludojnë se Kosova po shkon drejt një "konflikti të ngrirë", vlerëson ndër të tjera në një opinion për Kosovën, profesori i së Drejtës në Kolegjin Juridik të Kentit në Chicago, Henry Perritt. Kjo, sipas tij dhe shumë njerëzve të tjerë në Kosovë dhe jashtë saj, është pasojë e mungesës së fushatave lobuese publicistike, të cilat do të duhej të ndërmerreshin nga institucionet e Kosovës. Qeveria, më shumë se katër muaj pas pavarësisë, nuk ka ndërmarrë asnjë hap serioz në ndërtimin e një infrastrukture lobuese-publicistike, e cila do t'i jepte jehonë pozitive imazhit të shtetit të porsakrijuar. Gjithçka i është lënë në dorë fatit dhe vullnetit individual të reporterëve të medieve të huaja. Profesori Perritt thotë se është koha që të fillohet puna për imazhin e Kosovës. Sipas tij, përderisa Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës janë paraqitur me dinjitet para institucioneve dhe mediave ndërkombëtare, mesazhi i përcjellë mbetet në esencë defensivë...

KOSOVA SOT
Përkundër tensioneve të fundit brenda koalicionit, opozita kosovare nuk duket e interesuar të nxisë zhvillime të reja politike. Disponimi politik në opozitën kosovare kryesisht mbetet që partnerët e tashëm të koalicionit të jenë më të përmbajtur në politikë-bërjen ditore, të jenë më të përqendruar në bërjen sa më funksionale të institucioneve të vendit, sepse Kosova është në një situatë delikate të agjendës politike pas-statusore, që procesi të mos ngecë për shkak të fërkimeve të ndryshme për interesa të ngushta të individëve. Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli, thotë se pas incidentit të ditës së hënë, Parlamenti edhe në të ardhmen mund të përballet me incidente të ngjashme, por të natyrës së tolerueshme në jetën parlamentare, që do të kenë edhe refleksione të caktuara në funksionimin e koalicionit qeverisës, por jo në bllokimin e institucioneve dhe krijimin e situatave pa shtegdalje. "Është shumë normale që pas këtij rasti edhe do të ketë refleksione, por nuk e besoj që do të arrijnë në atë shkallën e bllokimit dhe të paralizimit të punës së institucioneve”...

EPOKA E RE
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, të enjten, gjatë një takimi në Tiranë me një delegacion të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, dhe ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami, ka shprehur gatishmërinë e shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij për ta mbështetur Kosovën në ngritjen e shtetit ligjor dhe rrugëtimin e saj integrues drejt strukturave euroatlantike. Presidenti Topi ka thënë se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri shumetnik, demokratik, që respekton të drejtat e të gjitha pakicave, klasa politike dhe populli kosovar kanë dëshmuar qartë administrimin e pushtetit, ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve sipas standardeve. Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, dhe ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami, kanë theksuar faktin se Kosova e konsideron Shqipërinë si partnere natyrale dhe pikë referimi në rrugëtimin e përbashkët integrues...

BOTA SOT
Kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi, falënderoi agjencitë e huaja në Kosovë për bashkëpunim me institucionet për përgatitjen e Konferencës së Donatorëve, në veçanti Komisionin Evropian, Bankën Botërore, USAID-in, DIFID-in dhe të gjitha ambasadat. Duke u bazuar në prezantimet që janë bërë për këtë konferencë, ai u shpreh i bindur në përkrahje jo vetëm të atyre vendeve që e kanë njohur pavarësinë. "Kemi konfirmim se do të kemi mbështetje të plotë edhe nga ato vende që janë në procedurë të njohjes së pavarësisë, sepse prioritetet, argumentet dhe projektet tona janë të qëndrueshme, andaj edhe do të kenë mbështetjen adekuate", tha Thaçi. Qeveria miratoi në parim projekt-vendimin për planin e shpenzimeve lidhur me demarkacionin e kufirit, i ofruar nga Komisioni qeveritar për përcaktimin e vijës së demarkacionit...

INFOPRESS
I pari i OKB-së ka paraparë me planin e tij që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë për çështjet që lidhen me fushën e policisë, drejtësisë, doganave, trashëgimisë fetare dhe transportit. Sado që duket që këto çështje janë thjesht teknike, në bërthamë esenca e tyre është e ndërlidhur katërçipërisht me statusin e Kosovës, konkretisht me sovranitetin e Republikës së Kosovës. Që të gjitha këto fusha për të cilat është paraparë që të bisedohet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, janë të lidhura me qenien e shtetit të Kosovës. Si të tilla, këto fusha nuk kanë çka të hidhen në tavolinën e bisedimeve me Beogradin. Aq më tepër kur Beogradi zyrtar, jo vetëm që nuk e ka ndërmend të pajtohet me pavarësinë e Kosovës, por madje synon që të ndikojë në kthimin e saj në gjendjen e mëparshme, ose ndarjen e saj. Dhe, një gjë të tillë Beogradi synon ta realizojë me një gjuhë të tillë politike, e cila askund nuk përputhet me gjuhën që e flasin aktualisht politikanët në Kosovë, por edhe ata ndërkombëtarë. Pjesë e politikës së Beogradit janë edhe zhvillimet e përditshme dhe aktivitetet politike të një pjese të serbëve të Kosovës, të cilët tentojnë të krijojnë institucione paralele...
XS
SM
MD
LG