Ndërlidhjet

Zannier: Pres ftesën nga Beogradi


Lamberto Zannier
Lamberto Zannier

Shefi i ri i administratës së UNMIK-ut, Lamberto Zannier, është në pritje të ftesës zyrtare nga Beogradi për t'u takuar me liderët serbë. Zannier, pas takimit që pati me liderët e opozitës kosovare, Ramush Haradinaj dhe Nexhat Daci, ka thënë se pret që takimi në Beograd të jetë interesant.


Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, është në pritje të ftesës nga Beogradi, për të vizituar këtë vend në kudër të përgatitjeve për bisedime teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, siç parashihet në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon.

"Po pres ende që të shoh se çfarë do të ndodhë atje, pres që të marr ftesën, ende nuk e kam marrë atë, por e shihni që qeveria ende nuk është formuar. Mendoj se ky është hapi i parë dhe pas kësaj, sapo të marr ndonjë sinjal, unë do të shkoj”.

“Siç e kam përmendur edhe më parë, unë do të shkoj pas konsultimeve të ngushta me autoritetet e Kosovës",
tha Zannier, pas një takimi me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Zannier pohon se Qeveria serbe do të jetë e gatshme që ta presë, sapo të jetë krijuar, përderisa thekson se takimi me zyrtarët serbë do të jetë interesant.

Beogradi zyrtar, që nga shpallja e pavarësisë, ka mbështetur forcimin e mëtejmë të strukturave paralele, të cilat janë më të theksuara në veriun e Kosovës.

Në këtë kuadër, lideri opozitar, Ramush Haradinaj, ka thënë se situata në veri të Mitrovicës, pas krijimit të komunave paralele serbe, nuk është në rrugë të mirë. Haradinaj thotë se ndryshimi i kësaj situate mund të ndodhë me projekte konkrete.

“Situata në veri nuk është në një trend të mirë. Këtë e dimë të gjithë në bazë të njohurive që kemi. Reagimet tona do të ishte mirë që të vijnë përmes një plani se si do të vendosim një rregull në veri dhe si do të ndihmojmë që jeta atje të funksionojë në kushte normale”.

“Veç reagimet se pajtohemi ose nuk pajtohemi me diçka, nuk mjaftojnë. Por, duhet të kemi një plan se si t’i japim jetës një kuptim, një rregull në veri. Ju i dini qëndrimet e mia, se është në interes të veprohet rreth doganave dhe një jetë më të rregullt në veri",
tha Haradinaj.

Kurse, nga ana e tij, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, pas takimit me shefin e UNMIK-ut, Zannier, ka theksuar se institucionet qendrore nuk kanë dëshmuar se po luftojnë strukturat paralele.

"Nuk besoj se është mjaftueshme që vazhdimisht të deklarojmë diçka që nuk lejohet. Mendimi im është që institucionet ndërkombëtare dhe në veçanti institucionet e Kosovës duhet të fillojnë jo me forcë, por me hapa të vegjël të demonstrojnë se janë përgjegjëse dhe qytetarët të mund të kenë gjumë të rehatshëm”.

“Nuk besoj se deri më sot e kemi demonstruar këtë. Veç me fjalë nuk mjafton. Qëndrimi i LDD-së është që duhet të fillojmë", tha Daci.

Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, mendon se është dialogu politik ai që mund të zgjidhë problemin e funksionimit të strukturave paralele serbe.

"Unë mendoj se duhet të angazhohemi që t’i zgjidhim çështjet në terren, përfshirë edhe rajonet me minoritete. Ajo që po mundohem të bëj, është që të flas në nivelin politik, jo vetëm me liderët këtu, por edhe në rajonet me minoritetet. Me këtë dialog të nivelit polik mund të gjejmë hapësirë për një angazhim konstruktiv", tha Zannier.

Përfaqësuesit e partive opozitare janë shprehur të gatshëm për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës në shuarjen e strukturave paralele serbe në Kosovë.
XS
SM
MD
LG