Ndërlidhjet

Paradigma politike për Kosovën duhet të ndryshojë


Mitrovica
Mitrovica

Serbët e Kosovës janë të vetëdijshëm për realitetin e ri në Kosovë, por njëkohësisht e ndjejnë presionin e fuqishëm të Beogradit që të mos e pranojnë atë. Kështu thotë Latinka Petroviq, anëtare e grupit që përfaqëson Komitetin e Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi.

Serbët e Kosovës janë në dilemë, ta pranojnë ose jo realitetin e ri në Kosovë, si dhe gjithnjë e më shumë po vetëdijesohen se si ta kundërshtojnë presionin e Beogradit, i cili këmbëngul që ky realitet të mos pranohet. Kështu thotë Latinka Petroviq, anëtare e grupit që përfaqëson Komitetin e Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi.

Ky grup këto ditë është duke qëndruar në Kosovë dhe është duke i vizituar mjediset, në të cilat jetojnë pjesëtarët e komunitetit serb, në funksion të realizimit të projektit të quajtur “Dialogu ndërmjet serbëve në Kosovë”.

Zonja Petroviq thekson se serbët e Kosovës tashmë janë të vetëdijshëm për realitetin e ri të krijuar në këtë vend.

“Ata e dinë se askush nuk mund t’u sigurojë të drejtat e tyre dhe nuk mund të presin as siguri, nëse nuk pranojnë dhe nuk korrespondojnë me institucionet e atij shteti në të cilin jetojnë. Njëkohësisht, serbët e ndjejnë presionin e fuqishëm të Beogradit që të mos e bëjnë këtë dhe janë gjetur në një situatë, e cila shkon në dëm të tyre. Këtë na e kanë thënë vetë ata”, tha zonja Petroviq.

Ajo shpreh mendimin se institucionet e Kosovës duhet të jenë më afër serbëve të Kosovës, në mënyrë simbolike dhe konkrete, dhe para së gjithash, sipas saj, duhet të sigurohet pushteti i ligjit.

“Unë mendoj se në nivelin simbolik është e nevojshme të bëhen disa gjeste. Këtë e bën politika dhe është shumë e rëndësishme se çfarë janë ato gjeste. Ndoshta në sjelljet e pushtetit ka simulim, por është shumë e rëndësishme çfarë simulohet. Nëse simulohet, atëherë të respektohen disa të drejta për gjuhën, si dhe të përmirësohen disa padrejtësi në çështje pronësore. Të gjitha këto kanë rëndësi dhe është qenësore për gjithë Ballkanin. Ky është sundim i ligjit dhe unë kështu e kuptoj evropianizimin”,
tha zonja Petroviq.

Sipas saj, realiteti i tashëm në Kosovë nuk mund të injorohet dhe duhet pranuar si i tillë, sepse ai nuk mund të kthehet prapa.

“Paradigma politike për Kosovën duhet të ndryshojë, si dhe duhet të ndryshojë edhe mendimi për Kosovën. Unë mendoj se ky realitet është qenësor për Serbinë dhe i nevojitet vetë Serbisë”, tha zonja Petroviq.

Ajo shtoi se gjendja sociale e serbëve në Kosovë është dramatike dhe se është krejtësisht e kundërt me projeksionet e Beogradit. Sipas saj, të rinjtë serbë nuk shohin ndonjë perspektivë, edhe pse nuk mendojnë të largohen nga Kosova. Megjithatë, ata ndjehen të vetmuar, thotë Latinka Petroviq.

Ata ndjehen të braktisur. Askush nuk vjen që t’i dëgjojë se çfarë ata kanë për të thënë ose sugjeruar. Ata kanë një revoltë të fuqishme ndaj përfaqësuesve të partive të ndryshme politike dhe mund të thuhet se kanë mosbesim të thellë”, tha zonja Petroviq.

Sidoqoftë, ideja e projektit “Dialogu ndërmjet serbëve në Kosovë” është që përmes njerëzve autoritativë, intelektualë, të cilët nuk i përkasin orientimeve politike, të cilat aktualisht dominojnë në Serbi, t’ua shpjegojnë serbëve të Kosovës perspektivën e tyre në këtë vend, si dhe mundësitë që ua ofron plani i Ahtisaarit.

Sipas pjesëmarrësve në këtë projekt, qëllimi është që të krijohet një lloj lidhjeje në mes të serbëve dhe institucioneve të Kosovës, për shkak se, sipas vlerësimeve të tyre, serbët janë të gatshëm që të hyjnë në dialog me autoritetet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG