Ndërlidhjet

G8: Ekonomia, sfidë e madhe

  • Andrew Tully

Flamujt e vendeve të G8-ës

Flamujt e vendeve të G8-ës

Pak rëndësi ka se si ndihen udhëheqësit e G8-ës lidhur me luftën në Irak, në Afganistan, programet bërthamore të Iranit apo zgjedhjet presidenciale në Zimbabve. Çmimet në rritje të ushqimeve bazë dhe kriza ekonomike është tema që ata nuk mund ta shmangin në takimin e radhës që do mbahet në Japoni.

E ndonëse kriza e kredive në tregun e shtëpive dhe çmimet e ushqimeve dhe naftës kanë përcaktuar ecurinë e ekonomisë botërore në vitin 2008, udhëheqësit e Britanisë, Kanadasë, Francës, Italisë, Gjermanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të jenë në gjendje t'i zgjidhin problemet ekonomike gjatë takimit që fillon të hënën.

Së paku ky është mendimi i Tony Avirgan, nga Instituti për Politikat Ekonomike me qendër në Uashington.

Avirgan thotë se kriza e kredive ka filluar vite më parë, kur bankat, fillimisht në Shtetet e Bashkuara dhe më pas në Evropë, për të rritur fitimet, vendosën të lehtësonin qasjen në kredi.

Fillimisht kjo politikë solli fitime, por, me kohën, qasja në fjalë i ka futur në telashe bankat amerikane dhe evropiane.

Krerët e G8-ës nuk mund ta zgjidhin këtë problem, pasi varet nga legjislacioni i çdo vendi dhe është para së gjithash një problem amerikan.

"Kjo bëhet në varësi të çdo vendi, por Shtetet e Bashkuara janë burimi i problemit. Arsyeja e përhapjes së krizës në vende të tjera nuk ka të bëjë me rregulloret, por me faktin se bankat e vendeve të tjera kanë investuar në tregun e pronësisë së patundshme në Amerikë", sqaron Avirgan, nga Instituti për Politika Ekonomike.

Dy problemet tjera të ekonomisë botërore, çmimet e larta të naftës dhe ushqimeve, ndonëse nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë, ndikojnë tek njëri–tjetri.

Sërish Avirgan sqaron:

"Shumë nga prodhimet ushqimore në botë varen nga plehrat kimike, çmimi i të cilave ka brenda edhe komponentët e karburanteve, duke shtuar këtu edhe rritjen e kostos së transportit, për shkak të çmimeve të naftës. Kjo është varësia mes çmimit të naftës dhe atyre të ushqimeve."

Avirgan mendon se pjesëmarrësit e takimit të G8-ës nuk do të jenë në gjendje të gjejnë zgjidhje për këto probleme.

"Mendoj se ata janë shumë të ndarë", thotë Avirgan.

Por, edhe nëse do të ketë ndonjë mundësi zgjidhjeje për krizën e ushqimeve, nuk mund të ofrohet zgjidhje për çmimin e naftës.

Historikisht, shton Avirgan, asnjëherë çmimi i naftës nuk ka paraqitur ndonjë problem urgjent në SHBA si në Evropë, pasi ajo anë e Atlantikut gjithmonë është furnizuar me naftë me çmim më të ultë.

Edhe nëse krerët e shteteve dhe qeverive të G8-ës do të jenë të gatshëm të flasin për strategji të përbashkëta lidhur me naftën, Avirgan pohon se nuk do të jenë në gjendje të zgjidhin problemin, deri në momentin që industritë e këtyre vendeve të gjejnë alternativa ndaj naftës.

Nëse kjo nuk ndodh, çmimi i naftës dhe gazit vetëm sa do të njohë rritje.

XS
SM
MD
LG