Ndërlidhjet

Pajaziti: Uzuprimi i objekteve çon kah konfrontimi me strukturat legale


Zenun Pajaziti
Zenun Pajaziti

“Rasti i Shtërpcës tregon se ata (serbët) nuk kujdesen për komunitetin e tyre dhe po e dërgojnë atë drejt konfrontimeve me institucionet tona legale”, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Pajaziti, strukturat paralele komunale, të dala nga zgjedhjet serbe të 11 majit, po okupojnë objektet publike të Kosovës, siç është rasti i fundit në Shtërpce. Si do të reagoni karshi këtij veprimi?

ZENUN PAJAZITI

Është e vërtetë se po vazhdojnë disa veprime jolegale të disa nga përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë. Këto veprime kanë qenë evidente, kohëve të fundit, edhe në pjesën veriore. Këto ditë, po ashtu kemi pasur rastin edhe në Shtërpce.

Kemi vazhduar të thërrasim komunitetin serb që mos t’i përgjigjet veprimeve që çojnë në izolimin e popullatës serbe. Sidomos, rasti i Shtërpcës tregon se ata nuk po kujdesen për komunitetin e tyre. Ata, në fakt, po e dërgojnë komunitetin e tyre drejt konfrontimeve të panevojshme me institucionet tona legale.

Qeveria e Kosovës, siç e dini, ka marrë vendimin që disa nga vendimet ekzekutive të ish-kryeadministratorit që kanë të bëjnë me zgjatjen e mandatit të institucioneve vendore, ku nuk kanë mundur t’i mbajnë zgjedhjet legale, t’u shtyhet ky mandat, derisa të krijohen kushtet për zgjedhjet lokale në ato vendbanime ku jeton komuniteti serb.

Reagimi tash për pash është i ditur. Ne jemi kundër veprimeve të tilla. I kemi shpallur dhe i kemi trajtuar si jolegale. Ashtu do të vazhdojmë t’i trajtojmë, jo vetëm ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, por një reagim të tillë e kanë pasur edhe të gjitha institucionet ndërkombëtare që na mbështesin dhe që veprojnë këtu në Kosovë.

Tanimë reagime të tjera do të shohim pas vendimit të Qeverisë që t’i bëjë legjitime këto institucione lokale që kanë ekzistuar deri më tash. Do të provojmë dhe jemi në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar që mos të lejojmë veprime të tilla të njëanshme. Jemi po ashtu të kujdesshëm që të mos shkaktojmë reagime eksesive, që të mos shkaktojmë dhunë.

Por, një diçka që duhet të dihet, është se jemi shumë të vendosur në fuqizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe jemi shumë të vendosur në mosnjohjen e të gjithë atyre mekanizmave që po provojnë t’i instalojnë vetëm disa përfaqësues të manipuluar nga politikat që janë jashtë Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË

Edhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, institucionet nuk kanë mundur të shtrijnë autoritetin në tërë Kosovën. Kur do të ketë sundim të ligjit edhe në veri?

ZENUN PAJAZITI

Siç e dini, Kushtetuta e Kosovës ka hyrë në fuqi së fundi. Është e pamundur që për një periudhë të shpejtë kohore të fuqizohet dhe të implementohet e gjithë infrastruktura ligjore që është e përfshirë në Kushtetutë. Kjo për shkak të aspektit kohor, por edhe për shkaqe specifike, sepse duhet ta kalojmë një fazë tranzicioni, duke respektuar ligjet e veçanta një nga një.

Ndërsa, sa i përket fuqizimit ose implementimit të legjislacionit të ri apo të Kushtetutës në të gjithë territorin e Kosovës, kemi ende disa refuzime, sidomos nga një pjesë e komunitetit serb në veri të vendit.

Me angazhimet e përbashkëta që po i bëjmë me faktorin ndërkombëtar dhe me një politikë të kujdesshme dhe njëkohësisht të vendosur të institucioneve tona, ne jemi të sigurt se gradualisht do të rritet fuqizimi i Kushtetutës në të gjithë territorin e Kosovës dhe sidomos do të krijohet një atmosferë e sundimit të ligjit në gjithë territorin, sepse kjo nuk ka alternativë.

Sa i përket sundimit të ligjit, e kemi obligim ndaj qytetarëve të Kosovës që të krijojmë një frymë të tillë në Kosovë, pa dallim nacionaliteti.

Luftimi i krimit, i korrupsionit është një çështje me interes për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe aq më tepër, krijimi i disa hapësirave të izoluara ku mund të dominojë krimi dhe kontrabanda, janë kundër interesave të popullatës lokale atje.

Prandaj, do të provojmë që të mos ngjyrosen politikisht veprimet e tilla, por, në fakt, të gjejmë mënyra për krijimin e hapësirës për sundimin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË

Cila mbetet sfida më e madhe për sigurinë?

ZENUN PAJAZITI

Në fakt, çështjen e determinimit të sigurisë në përgjithësi nuk e ilustron vetëm forca e sigurisë, ose vetëm policia, ose vetëm Ministria e Punëve të Brendshme. Për të pasur siguri të plotë për të gjithë qytetarët, nevojitet funksionim normal i të gjitha institucioneve në Kosovë.

Meqenëse në Kosovë kemi institucione stabile tashmë, meqenëse kemi mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, kemi NATO-n, kemi misionin e ri të Evropës - EULEX-in etj., në Kosovë mund të themi se kemi një stabilitet sa i përket sigurisë.

Sfidë janë pretendimet e grupimeve të manipuluara nga Beogradi. Ato janë sfida që i kemi tejkaluar edhe përpara.

Kemi mirëkuptim të plotë nga faktori ndërkombëtar, edhe për shkak të veprimeve tona të matura, por tanimë të gjithë janë mësuar me veprimet e tilla, të cilat vijnë kryesisht nga Beogradi dhe mendoj se sfidat e tilla do t’i tejkalojmë edhe në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë ato kompetenca që do t’i marrë policia e Kosovës në kuadër të planit për rikonfigurimin e UNMIK-ut?

ZENUN PAJAZITI

Policia e Kosovës do t’i marrë të gjitha kompetencat që i takojnë me Ligjin e ri të Policisë dhe me Kushtetutën e re të Kosovës. Ne e patëm një ceremoni të vogël në lokalet e policisë.

Atje, tre nga departamentet shumë të rëndësishme të policisë që janë të shtyllës operative, departamente që merren me luftimin e krimit, tanimë janë në duar të vendorëve. Ne patëm rastin t’i falënderojmë shumë strukturat e policisë së UNMIK-ut, të cilat kanë ndihmuar për një kohë të gjatë ngritjen e kapaciteteve vendore dhe krijimin e këtyre departamenteve kaq të rëndësishme.

Po ashtu, patëm rastin të falënderojmë edhe një numër të madh eprorësh të policisë, të cilët kanë punuar, kanë qenë të motivuar mirë dhe që kanë arritur standarde të larta profesionale.

Kjo dëshmon se së shpejti ne do të jemi të gatshëm që t’i marrim kompetencat edhe në sferat tjera. Policia jonë, siç e dini, është një polici multietnike, e garantuar me Kushtetutën, me Ligjin për Policinë.

Tanimë është një tregim i mirë policia, një mekanizëm profesionalisht i ngritur mjaft. Normalisht që ende duhet punuar shumë, vazhdimisht secila kohë ka sfidat e veta, por Ligji e siguron një polici të organizuar mirë dhe në përputhje me interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur do t’i lëshoni pasaportat e para dhe a keni arritur ndonjë marrëveshje me ndonjë shtet për njohjen e tyre?

ZENUN PAJAZITI

Të gjitha shtetet që na kanë njohur ne, do t’i njohin edhe pasaportat tona. Tanimë kemi bërë një material informativ, i cili ka informatat bazike për pasaportën tonë. Në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme do t’ua japim të gjitha shteteve që na kanë njohur, përmes përfaqësive të tyre diplomatike.

Pasaportat tona do të fillojnë ashtu siç u kemi premtuar qytetarëve, do të fillojnë të lëshohen këtë muaj. Kërkoj mirëkuptim nga qytetarët, sepse këto ditë fillon ndërrimi i sistemit të pasaportave. Do të ketë pak vonesa, sepse komplet duhet një infrastrukturë e prodhimit të pasaportave, por kjo nuk do të zgjasë shumë.

Do të lëshohen shumë shpejt formularët e ri për aplikim për pasaportat e reja të Kosovës. Pasaportat tona do të jenë të njohura ndërkombëtarisht.

Sa për informatë, numri i shteteve që na kanë njohur ne, është më i madh se numri i shteteve që kanë njohur pasaportën e UNMIK-ut. Po ashtu, disa nga shtetet tona mike, mezi po presin që ne të fillojmë t’i aplikojmë pasaportat tona.

Këtë muaj, do të fillojmë me dhënien e pasaportave dhe shumë shpejt me dhënien e letër-njoftimit dhe patentë-shoferit.

XS
SM
MD
LG