Ndërlidhjet

Mandatet janë obligime e jo çështje vullneti


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thanë se vendimi i Qeverisë për vazhdimin e mandatit për 4 kryetarët e komunave me shumicë serbe, është obligativ, por nëse ata e refuzojnë këtë, do gjendet një zgjidhje alternative. Ndërkaq, serbët thonë se nuk i pranojnë vendimet e Qeverisë.


Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e mandatit të përfaqësuesve serbë të komunave Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Shtërpcë, do të jetë vështirë që të realizohet.

Menjëherë pas këtij vendimi, përfaqësuesit serbë, të cilëve u është vazhduar mandati, e kanë refuzuar atë, ndërkohë që zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se ligji duhet të respektohet.

“Çështja e zbatimit nuk është çështje e vullnetit, por çështje obligative. Ne do të bashkëpunojmë edhe me faktorin ndërkombëtar që është përgjegjës për siguri, por edhe përgjegjës për fushat politike dhe ne do të bashkëpunojmë vetëm me ata që e kanë mandatin e njohur nga institucionet e Kosovës”, theksoi zëvendëskryeministri Kuçi.

Në anën tjetër, kryetarët e deritashëm të komunave me shumicë serbe kanë thënë se nuk do ta respektojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se nuk i pranojnë autoritetet kosovare.

Slavisha Ristiq, kryetar i deritashëm i Komunës së Zubin Potokut, ka reaguar duke thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është i pavlefshëm, sepse, siç ka thënë ai, është marrë nga një qeveri e një shteti inegzistent.

Me tone të ngjashme ka reaguar edhe Velimir Bojoviq, kryetar i deritashëm i Komunës së Leposaviqit, i cili ka deklaruar se do ta respektojë vullnetin e popullit dhe rezultatet e zgjedhjeve serbe të 11 majit të këtij viti.

Oliver Ivanoviq, lider i serbëve të Kosovës, thotë se reagimi i tillë i serbëve lokalë ka qenë i pritur.

“Mendoj se ky është reagim që është pritur. Serbët nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe me këtë as institucionet që dalin nga kjo pavarësi. Ky do të jetë problem serioz dhe nëse ato institucione mendojnë të jenë ndonjëherë institucione që do të bashkëbisedojnë, atëherë duhet ta ndryshojnë sjelljen e tyre”, vlerëson Ivanoviq.

Ndryshe, tash e tri ditë, objektin e Komunës së Shtërpcës e kanë uzurpuar strukturat serbe, të cilat kanë fituar në zgjedhjet serbe të 11 majit të këtij viti. Ndërkohë, përderisa serbët refuzojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës, ajo insiston në faktin se ligji duhet të respektohet.

Zëvendëskryeministri Kuçi thotë se do të kërkohet një zgjidhje alternative, por para së gjithash duhet të respektohet ligji.

“Atëherë, do ta mendojmë zgjidhjen tjetër alternative. Do të respektohet rendi dhe ligji. Në çdo kuptim, çdo kush që e ka shkelur rendin dhe ligjin, do të përgjigjet për veprimet e veta”, tha zëvendëskryeministri Kuçi, duke mos precizuar se cila do të jetë zgjidhja alternative.

Ndërkaq, Oliver Ivanoviq, thotë se rezultati i zgjedhjeve të 11 majit nuk mund të injorohet, por njëkohësisht nuk mund të injorohet as vendimi i UNMIK-ut që rezultatet e atyre zgjedhjeve të mos njihen.

Sipas tij, zgjidhja duhet kërkuar në mes të rezultatit të këtyre zgjedhjeve si dhe qëndrimeve të UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës.

“Mendoj se tash duhet të dalë në skenë UNMIK-u dhe ta marrë për obligim që ta zgjidhë këtë situatë, duke biseduar me Qeverinë e Serbisë, e cila është e vetmja që mund të ndikojë në serbët që të pranojnë ndonjë zgjidhje kompromisi, në mes të rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit në nivelin lokal dhe të asaj që ofron Qeveria në Prishtinë, e kjo është vazhdimi i mandatit”, tha Ivanoviq.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës i konsideron jolegale rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit. Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe UNMIK-u, i cili në mjaft raste ka potencuar se kuvendet komunale, të cilat kanë dalë nga rezultatet e zgjedhjeve lokale serbe, janë jolegale, për shkak se vetëm UNMIK-u ka të drejtë të organizojë zgjedhje në Kosovë.


XS
SM
MD
LG