Ndërlidhjet

Donia: Ngjashmëri alarmuese me strukturat serbe në ish-Jugosllavi


Robert J. Donia
Robert J. Donia

"Ka ngjashmëri alarmuese me atë se çfarë është bërë në Bosnjë e në Kroaci në vitet 1990 -1991 dhe sot në Kosovë. Emrat e strukturave të krijuara janë thuajse të njëjta”, thotë Robert J. Donia, profesor në Universitetin e Kalifornisë.



RADIO EVROPA E LIRË

Dr Donia, serbët e Kosovës vazhdojnë të mos pranojnë shtetin e ri. Çfarë ngjashmërish shihni në qasjen e serbëve në Kosovë me ato të pakicave serbe në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, si Kroacia, Bosnja apo Mali i Zi?

ROBERT J. DONIA
Nga vëzhgimet, ajo që bie në sy së pari, është se ata që udhëheqin përpjekjet për krijimin e strukturave paralele në Kosovë, janë vetëm një pjesë e Qeverisë së Serbisë dhe skenës politike atje.

Këtu hyjnë përfaqësuesit e partisë së Koshtunicës, radikalët, Ministria e Brendshme dhe ajo për Kosovën. Pjesa tjetër e Qeverisë serbe po qëndron anash këtyre përpjekjeve.

Ka ngjashmëri alarmuese me atë se çfarë është bërë në Bosnjë dhe në Kroaci në vitin 1990 dhe 1991.

Emrat e strukturave të krijuara janë thuajse të njëjta. Kuvendi i bashkësisë së komunave u krijua së pari në Kroaci, në qershor të vitit 1990 dhe në Bosnjë, në prill të vitit 1991.

Këto institucione më pas përfshinë edhe struktura të tjera dhe u bënë instrumente për marrjen e pushtetit, pastrimin etnik të joserbëve dhe konsolidimin e republikave serbe në çdo vend.

Në këtë rast, jo vetëm për nga taktikat, por edhe nga një plan më i gjerë strategjik, që kanë serbët në mendje, ka shumë ngjashmëri me atë që ndodhi në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci.

RADIO EVROPA E LIRË

Fati i strukturave serbe në Kroaci e në Bosnjë ishte i ndryshëm. Si e parashihni ecurinë e strukturave të tilla në Kosovë, më afër variantit kroat, boshnjak, apo ndryshe?

ROBERT J. DONIA
Mendoj se do të jetë ndryshe. Një element që nuk është i pranishëm në Kosovë, është mungesa e një mobilizimi masiv të paraushtarakëve në mbështetje të planit serb.

Kjo do të thotë se kapaciteti i tyre për të zbatuar planin që kanë, do të jetë i kufizuar.

Për më tepër, në Kosovë kemi një numër shumë të madh trupash të KFOR-it, plus praninë ndërkombëtare në formën e UNMIK-ut, EULEX-it dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Në këtë kuptim, gjasat që serbët të bëjnë atë që bënë në Bosnjë dhe Kroaci, janë fare të vogla. Por, ka mundësi që ata të jenë të suksesshëm në disa nga qëllimet e tyre.

Një nga këto qëllime është të ndajnë serbët e Kosovës në dy grupe - në ata që në një mënyrë mbështesin zbatimin e planit të Ahtisaarit dhe kërkojnë jetë më të mirë për serbët në Kosovë dhe grupin tjetër që vepron në emër të ambicieve irredentiste të udhëheqjes së Serbisë.

Një tjetër objektiv i planit serb është të provokojë reagimin e shqiptarëve për aktivitetet e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË

A pasqyron ndarja e serbëve të Kosovës ndarjen brenda politikës së Serbisë?

ROBERT J. DONIA
Po.

RADIO EVROPA E LIRË
Qasja e serbëve të Kosovës që të shohin nga Beogradi, sa i pengon ata që t’i realizojnë të drejtat e tyre?

ROBERT J. DONIA
Ajo që ka ndodhur që nga shpallja e pavarësisë, është ndarja e serbëve të Kosovës. Nga një anë kemi ndjekësit e Koshtunicës dhe radikalëve dhe ata që ndjekin më së shumti idetë e Tadiqit dhe grupimit pro-evropian.

Ky grupi i fundit, i cili mund të jetë pakicë në mesin e serbëve të Kosovës, po sheh nga plani i Ahtisaarit dhe është më i interesuar për të drejtat e serbëve të Kosovës, sesa interesat e Qeverisë së Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i fundit është pakicë, siç e thatë dhe ju. A shihni ndonjë mundësi që serbët e Kosovës, në një kohë të afërt, do të bashkëpunojnë me Prishtinën për zbatimin e planit të Ahtisaarit?

ROBERT J. DONIA
Jo. Të paktën jo për aq kohë sa po zbatohet plani i Serbisë. Një nga pasojat e planit serb është se paralizon atë grupim në Beograd apo brenda serbëve të Kosovës, që të ecin përpara me një bashkëpunim konstruktiv për të mirën e tyre.

Mendoj se topi në këtë rast është në anën e Bashkimit Evropian dhe faktorëve të tjerë të jashtëm, që t'ua bëjnë të qartë udhëheqësve në Serbi se kjo është një sjellje e papranueshme për një shtet sovran, që synon t'i bashkohet BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët në fillim të kësaj interviste ngjashmëritë në sjelljen e serbëve në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, si pjesë e një strategjie më të gjerë. A është ndarja e Kosovës pjesë e kësaj strategjie, duke pasur parasysh gjendjen në veriun e Kosovës?

ROBERT J. DONIA
Nuk e di se cili është plani afatgjatë. Ka mundësi që ndarja të jetë një përfundim i dëshirueshëm i kësaj strategjie serbe.

Çështja e ndarjes së Kosovës është e ndryshme nga çështja e aneksimit të veriut. Aneksimi ka shumë pak mbështetës brenda elitës politike serbe.

Sipas meje, kjo strategji më shumë synon në shkatërrimin e pavarësisë së Kosovës, duke penguar përpjekjet e udhëheqësve shqiptarë të Kosovës për të ndërtuar një shtet të ri, që i përgjigjet nevojave të serbëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se ka dallim mes aneksimit dhe ndarjes. A mund të jeni pak më konkret?

ROBERT J. DONIA
Në raport me përgjigjen e mundshme nga ndërkombëtarët ka një dallim shumë të madh. Ideja e ndarjes së Kosovës ka një mbështetje ndërkombëtare.

Mendoj se ata nuk e kanë idenë e gjendjes së serbëve në jug të lumit Ibër, por, megjithatë, ekziston një lloj mbështetjeje për këtë ide.

Nga ana tjetër, aneksimi i veriut të Mitrovicës nga Serbia do të alarmonte diplomacinë perëndimore dhe do të nxiste një krizë më të madhe.

Në emër të prakticitetit ka njerëz si në Qeverinë e Serbisë dhe në mesin e serbëve të Kosovës, që e kundërshtojnë një qasje të tillë.

Oliver Ivanoviq, për shembull, kundërshton si aneksimin, ashtu edhe ndarjen.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këto kushte, çfarë mund të bëjë Qeveria e Kosovës që të mundësojë përfshirjen e serbëve në shtetin e ri?

ROBERT J. DONIA
Mendoj se është shumë e vështirë për Qeverinë e Kosovës që t'i përgjigjet si duhet këtyre nismave.

Deri tani, udhëheqësit shqiptarë të Kosovës kanë qenë të kënaqur që kanë tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare për planin e serbëve dhe veçanërisht për krijimin e Kuvendit të serbëve të Kosovës, më 28 qershor.

Dënimi i këtij kuvendi ka marrë mbështetjen ndërkombëtare.

Por, përveç këtyre hapave, ata duhet të shohin rrugët për të qenë pajtues me serbët. Me këtë nuk kuptoj që të përmbushen kërkesat apo të njohin Kuvendin e serbëve në veri.

Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që të provokohen.

Dua të kujtoj këtu rastin e kryetarit të Komunës së Kamenicës, i cili u përball me protestat e serbëve që të mos ndërtohej një xhami në qytet. Kryetari i komunës e ndaloi ndërtimin e xhamisë, duke gjetur një zgjidhje për situatën. Këto janë ato që duhet të bëjnë shqiptarët e Kosovës.

E përsëris, nuk duhet të lejojnë të provokohen dhe të tërheqin vëmendjen për krizën, pasi në këtë moment kanë shumë pak mjete në dorë.

XS
SM
MD
LG