Ndërlidhjet

"(S')ka ngecje në lobim për njohjen e Kosovës"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Numri i shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës mbetet 43, ndërkaq shteti i fundit që e ka njohur në këtë periudhë kohore është Sierra Leone. Zyrtarët e institucioneve kosovare vazhdojnë të deklarojnë se nuk ka kurrfarë ngecjeje të procesit të njohjes, dhe se për më shumë gjithçka është duke shkuar sipas planifikimit... Analisti Haqif Mulliqi thotë se faktori kosovar nuk është lojtar i madh në procesin njohjes, për shkak të rreshtimit të shteteve të ndryshme rreth atyre që janë mbështetëse të politikës amerikane, dhe atyre qe nuk e mbështesin. "Çështja nuk ndërlidhet tashmë me të qenit apo jo aktiv të institucioneve të Kosovës, por kjo ka të bëjë me një rirreshtim ndërkombëtar të shteteve, të cilat në një mënyrë apo tjetër e pranojnë apo nuk e pranojnë politikën ndërkombëtare të Amerikës dhe aleatëve të saj. Diplomacia e Kosovës dhe institucionet e vendit nuk janë lojtare të fuqishme në këtë proces, për të mos thënë janë jashtë loje. Kjo, si? E thashë, për shkak të një rirreshtimi mes Perëndimit dhe Lindjes, në fakt Rusisë dhe bllokut perëndimor që e kanë njohur Kosovën", shpjegon Mulliqi...

EPOKA E RE
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramë Manaj, ka thënë për Kosovapress se nuk ka ngecje në çështjen e lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe në këtë drejtim nuk është bërë lobim vetëm i institucioneve kosovare, por edhe i vendeve mike. Manaj ka thënë se në kontestin e rrethanave të kohës, nuk ka ngecje në çështjen e lobimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke shfaqur besimin se një shkallë e njohjes numerike do të vazhdoje gjate ditëve të ardhshme. "Kemi nevojë dhe është reale të pritet vazhdimi i njohjes numerike të pavarësisë së Kosovës nga disa vende, por ky është një proces që zgjat, ngaqë vendet e tjera që kanë dalë nga ish-Federata Jugosllave nuk kanë pasur një njohje aq numerike për një kohë aq të shkurtër sikurse Kosova. Prandaj, gjithçka është në kuadër të kornizave dhe procesit normal", është shprehur Manaj...

EXPRESS
Kryeministri Hashim Thaçi ka paralajmëruar të dielën se do të duhet edhe më tepër kohë deri në emërimin e bartësve të posteve të larta institucionale dhe të të ngarkuarve me punë në dhjetë misionet e para diplomatike. "Sugjerimet e pjesës së opozitës demokratike do të jenë të vlerësuara nga ana ime. Por, natyrisht se ne kemi përgjegjësi shtetërore dhe nuk duhet të bëhen veprime të nxituara, por të përgjegjshme dhe të kujdesshme dhe në kohë të duhur", ka deklaruar Thaçi, për Express, në një bisedë telefonike nga Zagrebi, ku ka marrë pjesë në Samitin e Dubrovnikut. Disa subjekte opozitare e kanë kritikuar Qeverinë për vonesa të paarsyetueshme në caktimin e ministrit të Forcës së Sigurisë, shefit të Shërbimit të Inteligjencies, dy zëvendësministrave dhe të ngarkuarve me punë në dhjetë misionet e para diplomatike të Kosovës, ndonëse Kosova ka marrë përgjegjësitë me Kushtetutën e hyrë në fuqi...

LAJM
Një përplasje e re po troket në partinë tek e cila fraksionet përbrenda janë bërë pjesë e funksionimit. Pasi Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka hequr dorë nga qëndrimi për ta rikthyer Naser Osmanin në pozitën e vet, duke u munduar ta përdorë autoritetin e partisë si pjesë e Qeverisë se Kosovës, dinjiteti i partisë ka rënë përtokë në momentin kur kjo këmbëngulësi nuk është përfillur fare. "LDK-ja e ka humbur dinjitetin e saj si parti, sepse aty bëhen politikë e ngutshme, politikë fëmijaqe që dy ditë s'e mbajnë - sot marrin një vendim, nesër e shkelin atë", tha Ali Lajçi, anëtar i Kryesisë së LDK-së. Fillimisht, partia doli në mbështetje të Naser Osmanit, por më vonë qëndrimet u zbuten. Edhe pse LDK-ja tha se me mbrojtjen e zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Naser Osmani, do të mbrohet dinjiteti i LDK-së, Kryesia e kësaj partie, e përbërë kryesisht nga njerëz që mbajnë poste të rëndësishme, dështoi ta çojë deri në fund këtë "mbrojtje". "Ata që kanë thënë se do ta ruajnë dinjitetin e LDK-së, pikërisht ata e kanë shkatërruar", tha Lajçi...

KOHA DITORE
Politikani serb nga Kosova, kandidat i G-l7 plus për deputet në Kuvendin e Serbisë, Oliver Ivanoviq, ka thënë se Qeveria e re e Serbisë duhet të vazhdojë të merret me ruajtjen e Kosovës në kuadër të Serbisë, mirëpo duhet t'i kushtojë rëndësi të madhe mbetjes së serbëve në Kosovë, si dhe krijimit të kushteve për kthim. "Pres nga Qeveria e Serbisë që Ministria për Kosovë e Metohi të zhvendoset këtu (në Kosovë) dhe që me të të udhëheqin njerëzit, të cilët janë nga këtu dhe familjet e të cilëve jetojnë në Kosovë e Metohi", ka thënë Ivanoviq për agjencinë serbe të lajmeve FoNet. Sipas tij, "duhet të ndryshohet koncepti i veprimit të kësaj ministrie, që do të thotë Qeveria ta krijojë politikën, ndërsa ministria ta zbatojë atë, e jo siç ka qenë deri tani, që ministria ta përpilojë politikën karshi Kosovës, e madje edhe politikën e jashtme të Serbisë, gjë që kurrsesi nuk është diçka e mirë". Ivanoviq beson se Qeveria e re e Serbisë dhe Ministria për Kosovën do t'i rishikojnë "rrugët dhe mënyrat e shpenzimit të parave që nga buxheti i Serbisë kanë ardhur në Kosove e Metohi"...

ZËRI
Pavarësisht se sot në Beograd pritet që në një seance të veçantë të Parlamentit serb të konstituohet Qeveria e re e Serbisë, e cilësuar nga ndërkombëtarët si pro perëndimore, kjo nuk e bind ish-kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin aktual të Mitrovicës, Bajram Rexhepi, që gjërat në Kosovë, e posaçërisht në veriun e saj, do të mund të ndryshojnë shpejt pozitivisht, ndërsa strukturat paralele serbe të shuhen. Ai thotë se prefiksi "demokratike", të cilin e mban partia e presidentit serb Boris Tadiq dhe disa parti të tjera, të cilat kanë arritur pajtimin për formimin e Qeverisë së re në Beograd, nuk është e mjaftueshme që ato ta kuptojnë realitetin në Kosovë dhe të ushtrojnë ndikimin e tyre në zhbërjen e strukturave paralele serbe, të cilat deri më tash janë mbështetur hapur nga ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, dhe satelitët e tij në Kosovë. "Nuk dua t'i prejudikoj gjërat; pritjet e ndërkombëtarëve janë të mëdha nga partitë në Beograd që do ta formojnë qeverinë dhe që kanë prefiksin demokratike, sepse ata u kanë premtuar se do të jenë më bashkëpunues, por unë nuk jam shumë optimist në këtë aspekt, pasi që nuk dihet ende nëse kanë ndërmend të bashkëpunojnë apo i kanë fjalët vetëm retorike...

BOTA SOT
Problemet me shtrirjen e ushtrimit të pushtetit në pjesën veriore të Kosovës vazhdojnë të mbesin shqetësuese, përderisa zyrtarë qeveritarë janë optimistë se në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, KFOR-in, praninë e UNMIK-ut dhe së shpejti me praninë dhe punën e EULEX-it, gradualisht, pandërprerë dhe të sigurt, institucionet e Kosovës do të shtrijnë pushtetin në gjithë territorin e Kosovës. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj tha se Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të fundit, ka miratuar vendimin për vazhdimin e ushtrimit të mandatit për kryetarët e 5 komunave serbe dhe anëtarët e asambleve komunale të tyre dhe në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar do të bëjmë përpjekje që të implementojmë këtë vendim, në mënyrë që të pamundësohet ekzistimi i strukturave paralele, sepse në asnjë variant nuk pranohen struktura paralele në asnjë nga komunat dhe as në pjesën veriore të Kosovës, struktura këto që janë formuar si rezultat i zgjedhjeve të 11 majit...

INFOPRESS
Lirimi i partive politike të Kosovës nga barra e angazhimeve rreth statusit politik të Kosovës pas pavarësisë së saj, do t'iu lë mundësi atyre të fokusohen më tepër në çështjet e brendshme partiake. Në këtë kuadër, realiteti i ri politik do t'iu imponojë transformimin e nevojshëm për të përballuar kërkesat e reja të elektoratit të tyre. Megjithatë, ky proces nuk pritet të jetë i lehtë. Kuvendet zgjedhore të tyre që do të pasojnë nuk pritet të kenë ndonjë zhvillim përfundimtar në këtë drejtim, duke pasur parasysh edhe faktin që profilizimi nuk nënkuptohet si akt, por si proces i vazhdueshëm dhe mjaft sfidues. Fakti që partitë politike do ta ndryshojnë qasjen dhe ofertat e tyre ndaj elektoratit, duke ia lënë historisë politike ofertën për pavarësi, do të shënojë edhe një thellim të strukturimit dhe profilizimit të tyre...
XS
SM
MD
LG