Ndërlidhjet

Kermabon: EULEX-i nën ombrellën e BE-së


 Yves de Kermabon
Yves de Kermabon

EULEX-i është nën udhëheqjen evropiane dhe do të raportojë për punën e vet para Brukselit, ka thënë sot në Prishtinë, shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Kermabon u prit nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe udhëheqës tjerë të lartë kosovarë.

Misioni i EULEX-it mirëpret vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për rikonfigurimin e UNMIK-ut, por mandati i këtij misioni do të jetë nën ombrellën e Bashkimit Evropian dhe jo nën OKB-në, ka thënë sot në Prishtinë shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon.

Në kuadër të përgatitjeve për shtrirjen e misionit policor e gjyqësor në Kosovë, shefi i EULEX-it po qëndron në Prishtinë, me ç’rast ai është pritur edhe nga udhëheqësit më të lartë shtetërorë.

Kermabon edhe sot u zotua se misioni i Bashkimit Evropian që merr përgjegjësitë e veta në fushën e policisë, gjyqësisë dhe doganave, do të ketë shtrirje në gjithë territorin e Kosovës.

Ai tha se do të bashkëpunojë me UNMIK-un për fillimin dhe përfundimin e planit të rikonfigurimit të administratës së Kombeve të Bashkuara, që nënkupton marrjen e përgjegjësive nga kjo administratë.

Por, siç tha Kermabon, misioni i EULEX-it do të jetë krejt ndryshe nga UNMIK-u dhe ka të bëjë më shumë me asistimin që do t’u bëjë institucioneve vendore. Po ashtu, EULEX-i, sipas Kermabonit, do të raportojë për punën e vet para Bashkimit Evropian dhe jo para OKB-së.

“EULEX-i është nën udhëheqjen e lartë evropiane dhe do të raportojë tek mekanizmat specifikë në Bruksel, që merren me kriza civile, në përbërje prej 27 vendeve anëtare dhe para zotit Solana”, u shpreh Kermabon.

Lidhur me sfidat që paraqet për shtrirjen e EULEX-it në pjesën veriore të Kosovës pas kundërshtimeve të serbëve, të cilët e kanë edhe mbështetjen e Beogradit dhe Moskës, Kermabon tha se atje mund të ketë disa vështirësi dhe se shtrirja mund të marrë më shumë kohë, por, sipas tij, EULEX-i do të ketë shtrirje edhe në këtë pjesë të Kosovës.

Kermabon nuk ka dashur të komentojë asgjë në lidhje me kërkesat që ai mund t’ia parashtrojë Qeverisë së re në Beograd në lidhje me shtrirjen e misionit të tij në veri të Kosovës, duke ia lënë këtë çështje më shumë në përgjegjësi shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, zotit Javier Solana.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se pret që institucionet e Kosovës dhe EULEX-i të kenë një bashkëpunim të ngushtë, si në çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e planit të Ahtisaarit, ashtu edhe në përmirësimin e gjendjes në gjyqësorin e Kosovës dhe fushën e sundimit të rendit dhe të ligjit në përgjithësi.

Kurse, në lidhje me sfidat që po paraqet kundërshtimi i serbëve dhe i Beogradit për shtrirjen e misionit të Bashkimit Evropian nëpër pjesët e banuara me serbë, Sejdiu tha se Beogradi duhet të japë dëshmi se me të vërtetë po ndërton një qeveri pro-evropiane.

“Kjo qeveri edhe presidenti Tadiq, që është mbështetur në një formë me qasjet e tij të deklaruara se është në politikat pro-evropiane, të japë dëshmi të drejtpërdrejta. Prandaj, është edhe në BE-në që të shohë shumë qartë se është një mbështetje e parimeve të BE-së, të ecjeve të proceseve integruese dhe të relaksit të përgjithshëm të marrëdhënieve në gjithë rajonin. Andaj, sa më parë, do të jetë edhe më mirë”
, u shpreh Sejdiu.

Yves de Kermabon ka takuar më pas dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Ky i fundit tha se Qeveria e tij do të ketë shumë prioritete të përbashkëta me EULEX-in.

“Ky bashkëpunim do të vazhdojë në kuptimin e funksionimit demokratik dhe efektiv të institucioneve, të sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës, të punës së përbashkët në interesin e gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike dhe natyrisht të përkushtimit të përbashkët për luftimin e dukurive negative, korrupsionit dhe krimit të organizuar”
, tha Thaçi.

Bazuar në planin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, për rikonfigurimin e UNMIK-ut, misioni i EULEX-it pritet të jetë funksional në Kosovë diku në fund të tetorit.

Ky mision, edhe pse nën ombrellën e Bashkimit Evropian, do të vendoset në Kosovë mbi bazën e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ky fakt, siç tha sot Kermabon, nuk e pengon atë që të ndihet se është nën mandatin e BE-së dhe jo atë të Nju Jorkut.

XS
SM
MD
LG