Ndërlidhjet

Ahmeti: Konferenca e Donatorëve s’i zgjidh të gjitha problemet


Shpend Ahmeti

Shpend Ahmeti

“Nuk duhet të mendohet se automatikisht, për shkak se donatorët kanë premtuar, apo se do të vijë një shumë e parave, do të zgjidhen të gjitha problemet”, thotë Shpend Ahmeti, ekspert ekonomik.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ahmeti, kanë mbetur edhe pak ditë para mbajtjes së Konferencës së Donatorëve. Sa mendoni se janë përgatitur institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë?

SHPEND AHMETI
Është përgatitur ajo që të kalohet minimumi i përgatitjeve, mirëpo prapëseprapë shtrohet pyetja nëse do të jetë konferencë e tipit që të të gjithë e presim. Do të ketë edhe mangësi, pra shkon në dy drejtime. Minimumi është kaluar, por ka hapësirë për përmirësime gjithmonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës deri më tash ka bërë të ditur se në bazë të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, do të kërkojë në këtë konferencë mbi 1 miliard e 400 milionë euro. Por, në anën tjetër, institucionet qendrore dhe ato lokale kanë përgatitur edhe qindra projekte të tjera. Sa mendoni se do të përfitojë Kosova nga kjo konferencë?

SHPEND AHMETI
Korniza Afatmesme e Shpenzimeve është dokumenti bazë që do të përdoret në Konferencën e Donatorëve. Sipas të gjitha gjasave dhe sipas asaj që kemi parë edhe në agjendën që është publikuar prej Komisionit Evropian, kjo do të merret si baza e vetme.

Prandaj, nuk besoj se do të ketë hapësirë që të diskutohen projektet tjera këtu, qoftë në nivelin qendror apo në nivelin lokal.

Ato gjëra, të cilat Qeveria e Kosovës i ka kërkuar, i ka kërkuar përmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe është bërë e qartë nga donatorët se projektet tjera që kërkohen, do të vendosen nga donatorët në baza bilaterale, mirëpo nuk do të diskutohen në Konferencën e Donatorëve.

Andaj, kjo kërkesë mund të konsiderohet si kërkesë përfundimtare e Qeverisë së Kosovës – natyrisht, gjithmonë me hapësirë që në nivel lokal, ndonjë qeveri lokale mund të kërkojë nga ndonjë donator, mirëpo prapëseprapë nuk pres ndonjë ndryshim të madh nga ajo që është në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilën fushë, sipas jush, duhet të vërehen rezultatet e para pas Konferencës së Donatorëve?

SHPEND AHMETI
Ne e kemi cekur gjithmonë se zhvillimi ekonomik në Kosovë përfshin shumë sektorë dhe nuk mund të diskutojmë vetëm për ekonominë.

Natyrisht se rezultatet duam t’i shohim sa më shpejt në infrastrukturë, që të përmirësohet situata me energji elektrike, e cila po tregohet si një prej pengesave kryesore në tërheqjen e investimeve të jashtme që ne na duhen si Kosovë.

Po ashtu presim të shohim rezultate në sundimin e ligjit. Kur them presim, ne shpresojmë që të ketë rezultate, por kjo nuk do të thotë se automatikisht ne do të kemi rezultate.

Ne duhet të kujtojmë se që nga viti 1999, kemi marrë dyfishin e kësaj shume për të cilën po diskutohet tani në Konferencën e Donatorëve, pra kemi marrë më shumë se 3 miliardë euro nga donatorët.

Dhe sot, kur shikojmë mbrapa, natyrisht se ka pasur përmirësime në disa fusha, mirëpo prapëseprapë nuk mund të thuhet se ka qenë një periudhë e suksesshme e asistencës nga ana e donatorëve apo periudhë e suksesshme për Kosovën që të ecë përpara.

Prandaj, për këtë arsye, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, duhet t’i kemi caqet tona, por nuk duhet të mendojmë se automatikisht, për shkak se donatorët kanë premtuar, apo se do të vijë një shumë e parave, do të zgjidhen të gjitha problemet. Domethënë, vetë shuma e parave nuk është garanci se problemet do të zgjidhen.

RADIO EVROPA E LIRË
Janë bërë gati 5 muaj që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Sa është duke u bërë që Kosova të anëtarësohet në institucionet financiare ndërkombëtare? Nëse Kosova vendos të marrë borxh nga këta mekanizma, a ekziston rreziku që Kosova të zhytet në borxh ndërkombëtar?

SHPEND AHMETI
Prej 18 shkurtit kemi punuar në këtë drejtim, që aplikacioni i Kosovës të shkojë sa më shpejt në institucionet financiare ndërkombëtare, sepse edhe ky ka qenë nga ata ku Serbia pati thënë se nuk mund ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në këto institucione.

Rëndësia e anëtarësimit për ekonominë e Kosovës është e shumëfishtë, jo edhe aq shumë sa edhe fondet që mund t’i marrim, por më shumë për informatat që këto institucione mund t’u dërgojnë investitorëve mbi atë se çka ndodh në Kosovë, sepse këto janë informata që investitorët i marrin si të besueshme.

Sa u përket borxheve, është problem, se nëse ne anëtarësohemi, sipas planit të Ahtisaarit, ne duhet të marrim përsipër një pjesë të borxhit të ish-Jugosllavisë, që është vlerësuar që mund të jetë më shumë se 1 miliard dollarë

Kjo vetë në vete do të shkaktojë paksa vështirësi në kthim, prandaj diskutimet për borxhet duhet të shtyhen deri në atë moment kur ne ta kemi të qartë se sa i marrim apo sa i trashëgojmë nga ish-Jugosllavia në borxhe.

E dimë se edhe në Konferencën e Donatorëve, SHBA-të kanë premtuar se një pjesë e asistencës së tyre do të shkojë drejt kthimit të këtyre borxheve.

Një kohë është pritur që anëtarësimi në institucionet financiare ndërkombëtare të bëhet më 15 qershor, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës sonë. Edhe kjo për ne ishte e tepërt, prandaj ne shpresojmë dhe e kemi dërguar këtë mesazh edhe te institucionet, që aplikacioni të bëhet sa më shpejt, për shkak se procesi i anëtarësimit zgjat diku 6-9 muaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni gjendjen ekonomike pas shpalljes së pavarësisë dhe pas fuqizimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës? A vërehet ndonjë ndryshim sipas jush, apo, në fakt, a është dashur që pas kësaj periudhe të vërehet ndonjë ndryshim?

SHPEND AHMETI
Jo – me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt, ne gjithmonë kemi thënë se do ta kemi muajin e mjaltit më të shkurtër, sepse do të gëzohemi, mirëpo shumë shpejt do ta kuptojmë se pavarësia automatikisht nuk i zgjidh problemet ekonomike. Kjo po shihet edhe tani.

Tani, popullit të Kosovës do t’i vijë një dozë realiteti, që ne e kemi larguar një pengesë të madhe me pavarësinë, një bllokadë që na është shkaktuar neve për investime, për gjëra të ndryshme. E kemi hequr një bllokadë shumë të madhe, por jo të vetmen.

Për këtë arsye, duhet të punojmë shumë në reforma, që rezultatet t’i shohim në një periudhë afatmesme. Reformat ekonomike janë gjithmonë reformat më të vështira. Rezultatet nuk shihen brenda muajit.

Pra, nëse fillojmë me reforma tani në sektorin e energjisë, në sektorin e arsimit, në sektorin e sundimit të ligjit, mund të presim që të shohim rezultate pas 2-3 vjetëve, flasim për rezultate të prekshme, që të ketë një rritje ekonomike, e cila është dyfishi i asaj që është sot.

Prandaj, këtu duhet të kemi një dozë kujdesi, në mënyrë që të menaxhohen pritjet e qytetarëve, për shkak se të gjithë kanë pritur, sepse ne çdo problem e kemi lidhur me statusin dhe kemi pritur që automatikisht, 2-3 ditë pas statusit, na zgjidhen problemet.

Tani e kuptojnë, por kur ta kuptojnë, kjo mos të kalojë në ndonjë pakënaqësi shumë të madhe qytetare, që mund të shkaktojë edhe jostabilitet social, edhe pse është vështirë të parashikohet se sa gjatë mund të zgjasë qetësia sociale në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG