Ndërlidhjet

Bush e Medvedev takohen për herë të parë

  • RFE /RL

Presidenti rus, Dmitry Medvedev, dhe ai i SHBA-ve, George Bush, gjatë takimit në Hokaido të Japonisë, 7 korrik 2008.

Presidenti rus, Dmitry Medvedev, dhe ai i SHBA-ve, George Bush, gjatë takimit në Hokaido të Japonisë, 7 korrik 2008.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, dhe ai i Rusisë, Dmitry Medvedev, u takuan sot në Hokaido të Japonisë, ku po i zhvillon punimet samiti i G8-ës. Ishte ky takimi i parë i presidentit Bush, i cili së shpejti e përfundon mandatin e tij, dhe i presidentit Medvedev, që posa e ka filluar mandatin e tij.


Ata diskutuan për shumë çështje, siç janë mbrojtja raketore, Irani e çështje të tjera.

Agjencitë e lajmeve raportojnë se edhe Kosova ishte njëra nga çështjet për të cilën të dyja palët kanë mospajtime.

Presidenti George Bush dhe Dmitry Medvedev nuk i kapërcyen mospajtimet lidhur me planet e Shteteve të Bashkuara për instalimin e sistemit të mbrojtjes raketore në Evropën Qendrore, që kundërshtohen fuqishëm nga Rusia.

Raportohet se politika kategorike e jashtme e ish-presidentit rus, Vladimir Putin, e ka vënë Moskën në mospajtime të fuqishme për një varg çështjesh, prej Kosovës e deri te zgjerimi i NATO-s.

Presidenti Dmitry Medvedev tha se marrëdhëniet e Moskës dhe të Uashingtonit ishin të forta, përkundër mospajtimeve të tilla, dhe presidentit Bush iu drejtua me emër - George.

Ai po ashtu tha se Rusia do të krijojë raporte edhe me administratën e ardhshme amerikane.

"Mendoj se çdo gjë do të jetë normale. Marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të zhvillohen më tutje. Në këtë aspekt, i thashë George-s se ne po ashtu do të ndërtojmë raporte me administratën e re amerikane”.

“Kuptohet, brenda gjashtë muajve, ne do të punojmë intensivisht për t'i përfunduar raportet me administratën aktuale", tha presidenti Dmitry Medvedev.

Ai po ashtu iu referua Kosovës, pavarësinë e së cilës Rusia refuzon ta njohë, si një tjetër çështje për të cilën ka mospajtime.

"Janë çështje të caktuara në agjendën tonë ku ne pajtohemi, siç janë Irani, Koreja Veriore. Por, sigurisht ka edhe tema të tjera sa u përket çështjeve evropiane dhe mbrojtjes raketore, ku ne kemi dallime",
tha zoti Medvedev.

Këtë javë, Shtetet e Bashkuara do ta nënshkruajnë marrëveshjen me Republikën Çeke për ndërtimin e një pjese të sistemit të mbrojtjes raketore në Evropë.

Uashingtoni po ashtu po zhvillon negociata me Poloninë për ndërtimin e pjesës tjetër të këtij sistemi.

Shtetet e Bashkuara thonë se sistemi i mbrojtjes raketore ka për qëllim mbrojtjen e aleatëve amerikanë nga sulmet prej shteteve të papërgjegjshme, siç është Irani, dhe se nuk ka të bëjë me Rusinë.

Por, Kremlini këtë e vlerëson si kërcënim për sigurinë e Rusisë dhe është kërcënuar se nëse sistemi ndërtohet, atëherë raketat e tij me kokë bërthamore do t'i drejtojë kah Evropa.

Presidenti amerikan, George Bush, tha se Uashingtoni dhe Moska po vazhdojnë të bashkëpunojnë në çështjet kryesore, siç është parandalimi i Iranit nga zhvillimi i armatimit bërthamor.

"Ekziston, siç e dini, çështje, siç është Irani, ku Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar së bashku në të kaluarën dhe do të vazhdojnë të punojnë së bashku, për ta bindur regjimin që të mos zhvillojë pasurimin e uraniumit", tha presidenti Bush.

Presidenti Bush tha se presidenti Medvedev ishte një "person i zgjuar", që ka besim në vetvete.

Presidenti amerikan tha se presidenca e tij ende nuk ka përfunduar dhe se ka shumë punë të t’u bërë.

"E përkujtova atë se unë largohem, por i kam edhe gjashtë muaj dhe unë e kam filluar sprintin për t'i dhënë fund presidencës. Pra, ne mund të kryejmë edhe shumë punë së bashku, shumë çështje të rëndësishme", tha presidenti George Bush.
XS
SM
MD
LG