Ndërlidhjet

Sa është i rrezikshëm lobimi serb kundër pavarësisë?


Flamuri i Republikës së Kosovës

Flamuri i Republikës së Kosovës

Përfaqësues të institucioneve presin që numri i shteteve që do ta njohin Kosovën, do të rritet para mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Por, analistët shfaqin shqetësimin se nëse do ketë edhe më tej ngecje, një kërkesë kundër pavarësisë, e paraqitur në këtë asamble nga Serbia, do të mund ta shndërrojë Kosovën në një konflikt të ngrirë

Një kërkesë eventuale e Serbisë kundër pavarësisë, që mund të shtrohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në shtator, nuk i shqetëson institucionet e Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, është optimist se numri i shteteve, të cilat do ta njohin Kosovën para mbajtjes së këtij sesioni, do të rritet. Hyseni nuk pret që Serbia mund të ketë ndonjë ndikim te vendet që e kanë njohur deri më tash shtetësinë e Kosovës.

“Po punohet në shumë plane, në shumë kanale të ndryshme, që të këtë njohje sa më shumë, deri në numrin që do të jetë i favorshëm për Kosovën dhe i cili do t'i mundësojë Kosovës që të aplikojë për anëtarësim të plotë në institucione të ndryshme financiare e politike ndërkombëtare", tha Hyseni.

Për ministrin Hyseni, politika serbe vazhdimisht mundohet të bëjë diskreditime të ndryshme për Kosovën, por, sipas tij, misioni i Serbisë për pengimin e njohjeve për Kosovën, është një mision i humbur.

“Është një mision i kotë. Është një mision paraprakisht i humbur, sepse pavarësia e Kosovës është akt i kryer, është proces i pakthyeshëm. Çështja e njohjeve është vetëm çështje e kohës, kur secili anëtar i OKB-së, përkatësisht secili komb i lirë i botës së lirë, do të marrë vendim në kohën e duhur, mbi bazën e një diskrecioni shtetëror dhe politik që e ka çdo vend veç e veç", tha ministri Hyseni.

Edhe ministri gjerman i shtetit për Evropë, Günter Gloser, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovës, është shprehur se zhvillimet në Serbi nuk mund të kenë kurrfarë ndikimi në Kosovë.

Sipas ministrit gjerman, vetëm propozimet dhe idetë pro-evropiane që vijnë nga Serbia mund të merren parasysh në kohën e duhur. Më tej, ministri gjerman ka pohuar se shteti i tij me të gjitha mundësitë dhe ndikimin e tij do të lobizojë për pavarësinë e Kosovës.

“Edhe ne pajtohemi me ministrin se me Serbinë nuk mund të ketë bisedime, sa i përket statusit të Kosovës. Kjo është një çështje e mbyllur. Do të ketë një bashkëpunim dhe këtë bashkëpunim Gjermania do ta mbështesë fuqishëm edhe sa i përket fushës ekonomike, por edhe sa i përket edhe lobimit të Gjermanisë te vendet fqinje për njohjen e pavarësisë së Kosovës", tha Gloser.

Nga ana tjetër, analisti politik, Driton Lajçi, konsideron se Serbia, si anëtare e OKB-së, mund të paraqesë kërkesa të ndryshme në Asamblesë së OKB-së. Sipas tij, një kërkesë për mosnjohje të pavarësisë mund ta vë Kosovën në një konflikt të ngrirë.

“Rreziku kryesor i këtyre iniciativave të Serbisë është se mund ta shtyjnë Kosovën në një konflikt të ngrirë për një periudhë të pacaktuar. Ky është rreziku më i madh, i cili mund t’i ndodhë Kosovës, nëse eventualisht një kërkesë e tillë mund të miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së", tha Lajçi.

Kosovën deri tani e kanë njohur 43 shtete, nga to 7 i përkasin vendeve më të industrializuara të botës, ndërsa 20 janë anëtare të BE-së.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG