Ndërlidhjet

Dëshira për migrim ende e madhe


Dëshira e kosovarëve për të migruar në vende të ndryshme të botës nuk është zbehur edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kështu thonë disa qytetarë kosovarë, sipas të cilëve, edhe pas shpalljes së pavarësisë dhe fuqizimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjendja ka mbetur e njëjtë.

Njëri prej tyre, Valon Hoti, thotë se nëse i jepet mundësia, është i gatshëm ta lëshojë Kosovën.

“Po, do të shkoja, sepse për punë është më mirë, jeta është më e mirë, standardet janë më të larta se këtu“, thotë ai.

Edhe Astrit Canolli pohon se me dëshirë do të migronte në cilindo vend të Bashkimit Evropian. Ai thotë se në Kosovë ende mungon perspektiva për një jetë më të mirë.

“Me gjithë qejf, sepse gjithçka është më mirë atje, vendi i punës mund të gjendet më lehtë se këtu, kushtet janë më të mira”.

Zyrtarë të Institutit për Hulumtime për Migrim pohojnë se mungesa e perspektivës për të ardhmen është arsye kryesore që qytetarët kosovarë, në forma të ndryshme, mundohen të braktisin Kosovën.

Rifat Blaku, udhëheqës i këtij instituti, thotë se krahasuar me vitet e kaluara, pas shpalljes së Republikës së Kosovës, po vërehet një qetësim në këtë drejtim, por, megjithatë, ai thotë se numri i të interesuarave për ta lëshuar Kosovën është jashtëzakonisht i madh.

“Sikur vërehet një lloj stagnimi apo qetësimi, ndonëse anketimet që janë bërë nëpër Kosovë, qoftë nga organizatat joqeveritare apo institutet tjera, tregojnë një lloj qetësimi dhe pritjeje të një shprese nga Konferenca e Donatorëve. Por, megjithatë, të punësuarit në Kosovë, pagat që i marrin nga buxheti i Kosovës, janë fare të pakta”,
thotë Blaku.

Por, nga statistikat e organeve të rendit nuk vërehet ndonjë zvogëlim i dukshëm i numrit të personave që në mënyrë ilegale mundohen ta braktisin Kosovën.

Violeta Elezaj, zëdhënëse në Shërbimin Policor të Kosovës, thotë se në pikat kufitare dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës jo rrallëherë zihen persona me dokumente të falsifikuara, që mundohen të ikin nga Kosova.

Ajo jep statistikat për gjashtëmujorin e parë të këtij viti dhe për gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

“Gjatë periudhës gjashtëmujore në vitin 2007, kemi pasur gjithsejtë 288 raste, ndërkaq në vitin 2008 - 213 raste. Pra, kemi një rënie të rasteve sa i përket këtyre gjashtëmujorëve”,
thotë Elezaj.

Sidoqoftë, sipas demografit Blaku, vendet më atraktive për ata që synojnë të migrojnë, sipas tij, edhe në mënyrë klandestine, janë vendet e Bashkimit Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye, demografi Blaku parqet nevojën e formimit të ministrisë për migracion dhe diasporë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG