Ndërlidhjet

Prishtina pret njohje të reja


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

"Këto ditë do ketë njohje të reja". Kështu tha sot presidenti Fatmir Sejdiu, pa saktësuar se cilat janë ato shtete që do ta njohin Kosovën. Ai sot është takuar me diplomatin britanik, Mark Lyall Grant, si dhe me kryediplomatin e Republikës së Letonisë, Maris Riekstins.


Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës janë optimistë se numri i shteteve që do ta njohin shtetin e Kosovës do të rritet këtyre ditëve.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se kjo gatishmëri ekziston te disa shtete, por ai nuk saktëson se për cilat shtete bëhet fjalë.

"Është proces i njohjes. Ne e kemi biseduar disa herë, janë 43 vende, të cilat i falënderojnë për vendimet që kanë marrë dhe besoj se ka gatishmëri edhe të vendeve të tjera që janë në proces të njohjeve të mëtejme. S'them se ka ngelur. Këto ditë do të kemi edhe njohje të reja”.

“Për ne është me rëndësi që të zhvillojmë aktivitete lobizuese edhe si institucione të Kosovës, por natyrisht edhe të kemi mbështetje. Kemi kërkuar mbështetjen edhe të vendeve siç është Mbretëria e Bashkuar, që me rrjetin e tyre të ndihmojnë dhe ekziston kjo gatishmëri. Ne jemi në këtë proces. Nuk them se është një proces i lehtë, kjo duhet të dihet shumë qartë", tha presidenti Sejdiu.

Këto komete, presidenti Sejdiu i ka bërë pas një takimi me drejtorin politik për çështje të jashtme në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Mark Lyall Grant.

Diplomati Grant tha se njohja e Kosovës duhet inkurajuar nga të gjitha palët. Ai theksoi se edhe Qeveria e Kosovës duhet t’i rrisë angazhimet për njohje dhe këtë të mos e bëjë vetëm te vendet fqinje, por në të gjitha shtetet e botës.

"Mendoj se ka qenë një fillim i mirë në muajt e parë. 43 njohje janë mjaft krahasuar me njohjet e Sllovenisë apo Kroacisë në vitet e nëntëdhjeta, dhe këto shtete përbëjnë shumicën e vendeve të BE-së, shumicën e Këshillit të Evropës, shumicën e vendeve të OSBE-së, por, sidoqoftë, është fakt se mbetet vetëm çereku i shteteve të botës”.


“Kështu që është e rëndësishme që numri i njohjeve të rritet, sepse, në të kundërtën, do të jetë shumë vështirë për Kosovën që të bëhet anëtare e organizatave kryesore. Ne duhet të vazhdojmë atë që po bëjmë, të inkurajojmë njohje të tjera, Qeveria e Kosovës duhet t’i rrisë përpjekjet për të inkurajuar njohje të tjera, jo vetëm në vendet fqinje, por në tërë botën", tha diplomati britanik Mark Lyall Grant.

Nga ana tjetër, edhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Letonisë, Maris Riekstins, pas takimit me presidentin Sejdiu, ka thënë se shteti i tij në mënyrë diplomatike do të lobizojë për pavarësinë e Kosovës.

“Numri i shteteve që kanë njohur Kosovën shtet është impresiv. Ne mendojmë që institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë me punën e tyre për të lobizuar. Për këtë çështje ne biseduam edhe me presidentin Sejdiu. Mendoj se tash e tutje autoritetet e vendit duhet të demonstrojnë atë që kosovarët janë më të mirë se të tjerët”.


“Mendoj se numri i shteteve që do ta njohin Kosovën, do të rritet. Natyrisht, Letonia është në raporte të mira me shtete të ndryshme dhe në mënyrë diplomatike do të ftojë shtete që ta njohin pavarësinë e Kosovës",
tha ministri Riekstins.

Ndryshe, presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës janë përpjekje për pengimin e njohjes së Kosovës nga shtetet që ende hezitojnë ta ndërmarrin këtë hap.
XS
SM
MD
LG