Ndërlidhjet

logo-print

Përsëritja e “Suhodollit” rrezikon sigurinë


Mitrovicë - Ura qendrore

Mitrovicë - Ura qendrore

Përsëritja e incidenteve në veri, si ai i Suhodollit, rrezikon të përshkallëzojë situatën e sigurisë, tërheq vërejtjen policia e Kosovës. Ngjashëm shprehet dhe kreu i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i cili fajin për këtë e hedh te strukturat paralele serbe të sigurisë.


Përsëritja eventuale e incidentit të Suhodollit, ku shqiptarët dhe serbët janë përleshur, pas mosmarrëveshjeve për ndërtimin e ujësjellësit, rrezikon të përshkallëzojë situatën e sigurisë, thonë zyrtarë të policisë së Kosovës.

Zëdhënësi Veton Elshani thotë se pas incidentit të djeshëm, situata paraqitet e qetë, por e brishtë.

“Çdo situatë që përsëritet rrezikon të eskalojë, mirëpo ajo që është duke u bërë, është që policia e Kosovës është në bashkëpunim të vazhdueshëm me atë të UNMIK-ut dhe KFOR-in, që të ndikojë që të mos eskalojë situata. Nëse rastësisht kemi të bëjmë me ndonjë eskalim, atëherë ne të jemi në gjendje që të reagojmë”, tha Elshani.

Serbët lokalë nuk lejojnë që të zbatohet projekti i Komunës së Mitrovicës për ndërtimin e ujësjellësit për fshatrat shqiptare në veri. Kanali i ujësjellësit duhet të kalojë nëpër prona të tyre, gjë kjo e cila kontestohet, meqë serbët lokalë duan që Komuna e Mitrovicës të marrë leje për këtë nga strukturat paralele serbe.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, tërheq vërejtjen se nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, nuk mund të përjashtohet eskalimi i situatës së sigurisë.

“Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje e këtij projekti për ujësjellës, UNMIK-u ka hapësirë që për katër ditë të gjejë një zgjidhje të arsyeshme, sepse është artikull vital për qytetarët. Mundësia e përsëritjes ekziston dhe situata mund të dalë jashtë kontrollit”, tha Rexhepi.

Përfaqësues të institucioneve qendrore i quajnë këto veprime si pjesë të provokimeve që gjenden në veri. Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë sot se nuk duhet lejuar që komunitetet në veri të hyjnë në një periudhë të zënkave dhe konflikteve që mund të kenë përmasa tjera.

Kreu i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, pohon se janë strukturat paralele të sigurisë ato që tentojnë të prishin rendin dhe qetësinë në pjesën veriore të Kosovës.

“Tash për tash nuk po bëhet asgjë që të zhbëhen këto struktura. Unë kam thënë nga fillimi, se prej kohës së pasluftës janë të instaluara strukturat paralele të sigurisë dhe këtë e di çdo fëmijë. Mund të dalin me deklarata edhe zëdhënësit që ua imponojnë se çka të deklarojnë, por secili e di që strukturat paralele janë në veri, pjesëtarët e MUP-it serb dhe të ashtuquajturit Rojet e Urës”, tha Rexhepi.

Në pjesën veriore te Mitrovicës tashmë është instaluar pushteti lokal i dalë nga zgjedhjet serbe të 11 majit. Ndërkohë, po në veri tashmë është formuar edhe i ashtuquajturi Kuvend i Bashkësisë së Komunave Serbe.

Zgjidhja e problemit të Mitrovicës, sipas planit të Ahtisaarit, është krijimi i një qyteti me dy komuna. Bisedimet për jetësimin e këtij plani është thënë se kanë ngecur ende pa filluar mirë.
XS
SM
MD
LG